Rrëfimi i Hava Malokut, kosovares së LinkedIn-it: Të synosh hënën për të qenë mes yjesh!

Ëndrrat e saj nuk dinin kufi. Hava Maloku gjithmonë ka pasur ambicie për të punuar në kompani të mëdha, por nuk e ka menduar se do të gjejë punë në një kompani gjigante si LinkedIn. Në fakt, duke siguruar këtë vend pune, Maloku është i(e) vetm(ja)i shqiptar(e) që punon në rrjetin më të madh profesional në internet.

Ajo foli për rrugëtimin e saj për të punuar në LinkedIn.

E lindur dhe i rritur në Prishtinë, Maloku, pas përfundimit të arsimit fillor dhe të mesëm, fitoi një bursë për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, rrugëtimi i saj në fushën akademike ka qenë i gjatë.

“Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam kryer në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme fitova një bursë për të studiuar në ‘Graceland University’ me vendndodhje në Iowa, SHBA. Për tre vjet kam kryer dy drejtime në fakultet: Marrëdhënie Biznesi dhe Biznes Ndërkombëtar me orientim në Teknologji Informative. Për studimet master vendosa të ndryshoj vendbanimin dhe të shkoj diku me një perspektivë më të madhe. Dilema ishte mes New York-ut apo San Francisco-s, pasi isha pranuar në universitetet e të dy qyteteve. Vendosa të shkoj në San Francisco edhe pse nuk e kisha vizituar kurrë, por Silicon Valley sapo kishte filluar të bëhej kështu që mendova se ishte një mundësi e mirë të isha atje. Mbarova Masterin në Biznes dhe Administrim (MBA) në Universitetin e San Francisco-s dhe pasi e mbarova, fillova të punoj në San Francisco. Ndërkohë kam mbaruar edhe doktoraturën në ‘Golden Gate University’ në drejtimin e Marketingut”, thotë ajo.

Megjithatë, për të realizuar ëndrrat e saj, Maloku ka punuar vazhdimisht. Për Atlantik, Maloku thotë se puna dhe ëndrrat kanë ecur paralel me njëra-tjetrën.

“Gjithmonë kam pasur ëndrra të mëdha. Sigurisht, nuk e mendoja se do të punoja në LinkedIn, por ëndërroja që do të punoja në një kompani të madhe. Megjithatë, edhe një ëndërr pa punë nuk vlen. Të dyja shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën. Amerikanët kanë një shprehje ku thonë ‘synoni për hënën dhe nëse ju mungon do të jeni përsëri mes yjeve’, që do të thotë se nëse synoni diçka, edhe nëse nuk e arrini, do të jeni akoma diku më mirë se ku keni filluar”, shprehet më tej Maloku.

Por cili është roli i Hava Malokut në kompaninë LinkedIn?

“Unë menaxhoj produktin më të madh në LinkedIn, LinkedIn Premium. Me fjalë të tjera, unë menaxhoj marketingun në internet përmes postës elektronike dhe faqeve të internetit për Linkedin Premium. Premium është një produkt me pagesë (29,99 dollarë në muaj) që shtohet në profil dhe si rezultat anëtari premium ka akses në LinkedIn Learning ku mund të marrë mësime online duke marrë parasysh bibliotekën me më shumë se 15,000 klasa. Roli që kam është shumë i përgjegjshëm; vetëm në një javë kam dërguar mbi 130 milionë e-maile për anëtarët. Që do të thotë se duhet pasur kujdes maksimal që çdo gjë të jetë korrekte sepse ndikon në të gjithë imazhin e kompanisë”, shpjegon Hava Maloku.

Meqenëse është pjesë e kësaj kompanie, Maloku ka komentuar interesimin e kosovarëve për përdorimin e rrjetit social LinkedIn, i cili është gjithmonë në rritje. Por, nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Në fillim të kësaj platforme nuk kishte asnjë shqiptar që e përdorte.

“Të rinjtë kosovarë kanë filluar ta përdorin më shumë këtë rrjet social, sidomos vitet e fundit. E di që kur krijova profilin tim në 2008, nuk kishte fare shqiptarë në platformë. Fillimisht, shqiptarët në diasporë kanë filluar dalëngadalë të shtohen dhe prej atëherë edhe ata në Kosovë. Por sidomos vitet e fundit mendoj se janë ndërgjegjësuar shumë për përfitimet e të qenit pjesë e platformës. Duke pasur parasysh që numri i përdoruesve është rritur, kam parë që ata japin rekomandime edhe në gjuhën angleze në mënyrë që të gjithë anëtarët ta kuptojnë platformën. Kjo është për t’u duartrokitur.”

Maloku thotë se të rinjtë në Kosovë janë të aftë për tregun ndërkombëtar, prandaj është e rëndësishme që të përdoret LinkedIn për t’i hapur dyert kompanive ndërkombëtare.

Hava Maloku e mbyll intervistën me një mesazh për të rinjtë kosovarë: “Vendosni vetes synime të larta në jetë, zhvilloni kontakte profesionale apo sociale dhe ecni me kohën”.

Përktheu në shqip: Fitim Hajrullahu, Gazeta Atlantiku (Media e shkruar shqiptaro-amerikane )

https://atlantiku.com/albanian-american/hava-maloku-the-only-kosovar-working-on-linkedin/2022/08/04/

Artikulli paraprakKush është i obliguar të deklarojë TVSH-në?
Artikulli tjetërImami Maliqi: Nuk ishte aspak pengesë shamia që Rumana Ahmed të ishte këshilltare kryesore e Presidentit Obama