Ratifikimi i huave të jashtme dhe dështimi në tërheqjen e fondeve e metë serioze e financimit publik në Kosovë

Menaxhimi i mirë i huas publike është një çështje thelbësore në kuadër të politikave makroekonomike e që ndërlidhet gjithashtu edhe me politikën fiskale dhe atë monetare. Qeveritë krijojnë hua publike, të brendshme dhe të jashtme, për të financuar rritjen ekonomike me fonde shtesë ndaj atyre që sigurojnë nëpërmjet tatimeve dhe taksave.

Huaja publike e Kosovës në tremujorin e katërt të vitit 2020 arriti shumën 1,487.69 ose 21.83% e BPV.  Në këtë shumë huaja publike e jashtme merr pjesë me 525.80 mil euro, ndërsa pjesa tjetër prej 961.90 milionë euro i përket huas publike të brendshme. Ndonëse Republika e Kosovës ende ka një shkallë relativisht të ulët të ngarkesës me hua publike, me pjesëmarrje 21.83% në BPV, dinamika e rritjes së huas publike është shumë e theksuar – nga 6.12% e PBV-së në vitin 2009 në 16.63% të PBV në vitin 2019, ndërsa në tremujorin e katërt të vitit 2020 arriti në 21.83% të BPV. Nëse dinamika e rritjes vazhdon me këtë ritëm Kosova shumë shpejtë do ta arrij kufirin ligjor të huas publike që është 40% e BPV.

Një indikator shumë i rëndësishëm i menaxhimit të mirë të financimit publik në një shtet është menaxhimi i mirë i huas publike, të brendshëm dhe të jashtëm. Huaja publike e jashtme në Kosovë në vazhdimësi nuk është menaxhuar mirë. Hyrja në marrëveshje të huave ndërkombëtare dhe dështimi në tërheqjen e fondeve në dispozicion për shkak të vonesave në realizimin e projekteve, paraqet defekt serioz në funksionimin normal të hallkave të financimit publik dhe keqmenaxhim me financimin publik në tërësi që për pasoj do ketë kosto shtesë për ekonominë e vendit.

Përveç kësaj kjo për pasojë në perspektiven e ardhshme kohore do të ketë edhe luhatjen e besimit të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve në aftësitë menaxhuese të Kosovës në huazimin publik.

Në raportin e Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për menaxhimin financiar dhe kontrollet e borxheve publike për vitet 2009-2017 theksohet se borxhi ndërkombëtar i ratifikuar deri në fund të vitit 2017 është 422.15 mil euro. Në mungesë të përgatitjeve të duhura për fillimin e ekzekutimit të projekteve, vlera e pa tërhequr e huave deri në fund të vitit 2017 ishte 295.80 mil. Euro. Si rezultat i kësaj, Qeveria e Kosovës është duke paguar tarifë të zotimit për vlerën e mjeteve të zotuara të cilat nuk i ka tërhequr. Si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes alokimit të huave dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e huave të pa tërhequra nga huamarrësit është 890,000 euro, theksohet në raportin e lartëpërmendur.

Nga raporti i Ministrisë së Financave –të dhënat tremujore (tremujori i 4) mbi borxhin e përgjithshëm 2020, rezulton se një ritëm i tillë i raportit të huave të jashtme të ratifikuara dhe të pashfrytëzuara ka vazhduar edhe pas vitit 2017. Sipas këtij raporti huaja e jashtme e ratifikuar në tremujorin e katërt të vitit 2020 ishte 525.80 mil euro nga të cilat janë tërhequr 141.91 mil euro. Sigurisht se mosshfrytëzimi i fondeve të huave vazhdon të pasohet me tarifa të zotimit për shkak të mos shfrytëzimit të  huave të të ratifikuara dhe kjo krejt pa nevojë e ngarkon buxhetin e varfër të Kosovës.

Në raportin e Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për menaxhimin financiar dhe kontrollet e borxheve publike për vitet 2009-2017 theksohet se zbatimi i projekteve të planifikuara përmes financimit nga huamarrjet, ka rezultuara me dobësi të cilat kërkojnë një vëmendje të shtuar të Qeverisë dhe subjekteve shfrytëzuese të këtyre fondeve. Procesi i miratimit të nismës për marrëveshje ndërkombëtare, kishte vonesa të gjata dhe koordinim jo të mirë ndërmjet institucioneve të përcaktuara me ligj. Më tutje raporti konstaton se planifikimi jo i mirë i projekteve të cilat financohen nga huamarrjet e jashtme, ka rezultuar me dobësi dhe vonesa në realizimin e tyre. Vonesat e tilla janë rezultat i një studimi të dobët të fizibilitetit të projekteve, si dhe mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e të gjitha pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, për çka Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar. Si rezultat i kësaj, një pjesë e konsiderueshme e fondeve të buxhetuara nuk është shfrytëzuar për projektet e parashikuara. Qeveria ka nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare të huamarrjeve për të cilat nuk ka qenë e përgatitur t’i zbatoj apo materializoj në projekte. Kjo ka ndikuar në dështimin e përfitimeve publike. Njëherit, dështimi i realizimit të projekteve nga huamarrja brenda periudhës së përcaktuar në marrëveshje, rrit rrezikun për ri negocim të marrëveshjes ose hyrjen në marrëveshje të reja.

Më tutje Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që Ministri i Financave të sigurohet që para fillimit të negocimit të marrëveshjeve për huamarrje, nga ana e organizatave zbatuese janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që sigurojnë zbatim të plotë dhe pa pengesë të projekteve.

Dobësitë e lartë theksuara në menaxhimin e huas, veçanërisht lidhur me përgatitjen dhe zbatimin e projekteve dhe shfrytëzimin e destinuar dhe në kohën e paraparë të tyre, shtrojnë nevojën për përmirësimin e menaxhimit të huave publike të jashtme, organizimit institucional dhe rritjen e kapaciteteve absorbuese në nivel të Qeverisë, Ministrisë së Financave  dhe zbatuesve të projekteve.

Konsideroj se Qeveria Kurti duhet të niset nga premisa se në periudhë afatmesme dhe afatgjatë edhe një hua prej 21.83% e BPV % mund ta rrezikojë më shumë stabilitetin makroekonomik dhe financiar nëse projektet përcillen me dobësi të tilla në menaxhim përgjatë ciklit të tyre, sesa vlerat e një hua publik edhe mbi 40% ndaj BPV, nëse projektet realizojnë efektet e pritura në periudhën e tyre të zbatimit.

Qeveria Kurti duhet të zhvillojë strategjinë e menaxhimit të huas publike dhe të vendosë rregulla strikte se huat publike mund  të përdoren vetëm për projekte që janë përgatitur mirë me studime fizibiliteti dhe kapacitete zbatuese  dhe të cilat i kalojnë testet e fizibilitetit në aspektin  e kthimit të investimeve,  sipas metodologjisë standarde ndërkombëtare të cost-benefit analizës.

 

Autori është anëtar në panelin këshillëdhënës të Elsevierit- Amsterdam, bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të Profesorëve të së Drejtës Tatimore –Amsterdam si dhe Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. /kallxo/

Artikulli paraprakIndustria nxjerrëse prin me rritje
Artikulli tjetërMario Monti: është e nevojshme një axhendë ambicioze për normalitetin post Covid