Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin për Reforma Ekonomike 2017, program i përfshirë në dialogun e strukturuar mbi qeverisjen ekonomike si pjesë e bashkëpunimit institucional në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri, Isa Mustafa, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë program, duke thënë se i ndihmon Kosovës të afrohet me BE-në.
“Është një program që është bashkërenditur me të gjitha ministritë. Është bërë konsolidimi i të gjitha këtyre prioriteteve mbi bazën e asaj se çka mund të realizohet në vitin 2017. Është një dokument tepër i rëndësishëm, sepse na ndihmon që edhe të krijojmë një ndërlidhje me programin e stabilizim asociimit, por edhe me BE-në në përgjithësi në implementimin e përcaktimit tonë të gjitha reformave që duhet t’i bëjmë në suazat e integrimit evropian”, tha Mustafa.
Programin e prezantoi ministri i Financave Avdullah Hoti, duke thënë se ky program që do t’i dorëzohet për herë të tretë Komisionit Evropian, përmban përshkrim të detajuar të kornizës afatmesme makroekonomike dhe fiskale.
“Ky program e vendos agjendën tonë të reformave në një kontekst më të fokusuar drejt anëtarësimit në BE. Këtë dokument si çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor, edhe Kosova e dorëzon në Komisionin Evropian në cilësinë e një shteti që fillon rrugëtimin drejt BE-së brenda procesit të stabilizim asocimit si partner i barabartë”, tha Hoti.
Ndryshe, në mbledhjen e qeverisë u ndanë mjete financiare prej afro 7 mijë eurosh studentëve të Universitetit të Prishtinës për pjesëmarrje në konferencën e organizuar nga Universiteti i Harvardit në ShBA. Një grup prej dhjetë studentëve të shkëlqyer nga Universiteti i Prishtinës, janë përzgjedhur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në mesin e më se 200 universiteteve amerikane dhe botërore.