Ndryshimi: Qasjet dhe veglat
Ka shumë njerëz, të cilët fillojnë ndryshimin e shprehive dhe sjelljeve të tyre. Pa dyshim, disa prej tyre arrijnë sukses, përderisa shumica dështojnë ose ndoshta korrin sukses në fillim, pastaj gjatërrugës së mëtejshme dështojnë. Nëse e shqyrtojmë gjendjen e atyre,të cilët përpiqen të ndryshojnë, mirëpo dështojnë, ne lirisht mund të themi se ata kanë pasur vendosmëri dhe vizion, mirëpo dituria e tyre për ndryshim dhe metodat e tij kanë qenë të kufizuara. Gjatë gjithë procesit të edukimit tonë, ne kemi prirje të mbështetemi në dëgjim dhe në komunikim gojor. Megjithatë, shumë pak në mesin tonë blejnë një libër, e dëgjojnë një audio ligjëratë, ose konsultohen me një ekspert në këtë fushë, edhe pse kjo është një çështje shumë e rëndësishme që na brengos dhe na shkakton stres.
Kur bëhet fjalë për ndryshimin, ne mund ta konsiderojmë atë si diçka të kotë ose me ndikim të kufizuar, ndonëse kompetencat e tilla mund të jenë vendimmarrëse dhe të kenë efekt të jashtëzakonshëm.
Ekzistojnë lidhje misterioze midis bindjeve dhe emocioneve, përveç lidhjeve të tjera me ndikimet mjedisore dhe rrethanore. Në vijim dëshiroj të jap një shpjegim të shkurtër të qasjes dhe metodave ndikuese që besoj se do të ndihmojnë suksesin tonë në rrugën e ndryshimit dhe rivitalizimit
Të menduarit lidhur me vetveten
Ne giithmonë kemi gjëra që e preokupojnë mendjen dhe jetën tonë. Ne gjithmonë kemi diçka që mendojmë se është më e rëndësishme sesa të qëndruarit ulur për të menduar për gjendjen tonë dhe situatën e tanishme. Për më tepër, ne frikësohemi ta konfrontojmë vetveten, frikësohemi t’ia drejtojmë gishtin të metave dhe gabimeve tona. Ndoshta këtë e bëjmë sepse nuk dëshirojmë të ndiejmë se gjendet diçka që duhet ta ndryshojmë ose ta heqim qafe.
Fillimi i udhëtimit të ndryshimit nis kur ne e bejmë shprehi të mbyllemi në një dhomë vetëm, për një periudhë të shkurtër kohore madje edhe për dhjetë minuta çdo ditë ose çdo javë për vetëvlerësim dhe vetorganizim. Ne duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje të thella dhe t’u japim përgjigje të ndershme pyetjeve të tilla. Pyetjet e tilla duhet të jenë kësi lloji:
A. A meritojnë të jenë prioritet i imi më i lartë çështjet si ngarendja pas suksesit, arritja e suksesit më të mirë financiar, shtimi i pasurisë, ose gëzimi i popullaritetit?
B. Cilat janë gjërat e mira të personalitetit tim që i konsideroj të jenë burim i suksesit, krenarisë dhe qetësisë sime? Është me rëndësi të ndriçohen këto aspekte dhe të bëhet një listë e detajuar e tyre.
C. Cilat janë gjërat që ndjej se po mbesin prapa në jetën time, të cilen mund ta kontrolloj: Veprat e adhurimit, leximi, marrëdhëniet shoqërore, marrëdhëniet e mira me anëtarët e familjes etj. Cilat janë shkaqet për këtë?
Ç. Cilat janë pikat e dobëta që i posedoj? A janë këto pika të dobëta të lidhura me vullnetin dhe vendosmerinë time ose a janë të lidhura me aftësitë dhe potencialin tim? A janë ato të lidhura me mjedisin në të cilin jetoj apo mos jane të lidhura me një mungesë të vizionit tim të qartë për të ardhmen.
D. A po shkoj kah drejtimi i duhur? A e konsideroj arritjen e kënaqësisë së Allahut si objektivin tim më të lartë dhe më të rendësishëm në jetë? Apo mos kam qëlim të mjegulluar, të harruar apo ai mungon tare?
F. Pse nuk arrij progres të dukshëm në jetën time në nivel të suksesit dhe fitores? A është kjo per shkak të dembelisë dhe aspiratave të dobëta ose nga mungesa e qartësisë sa u përket mjeteve të ndryshimit, apo ka arsye të tjera?
Këso lloj pyetjesh dhe të tjera janë shumë të domosdoshme për procesin e ndryshimit. Nuk mjafton t’i bëjmë vetes pyetje të tilla, e as nuk mjafton të mendojmë qetësisht në vetvete për përgjigjet e mundshme ndaj këtyre pyetjeve. Ne duhet t’i përsërisim pyetjet herë pas here dhe të përpiqemi t’i thellojmë pyetjet vazhdimisht. Në rutinën e tyre ditore, shumë njerëz janë sikur ata që ecin në gjumë.
Njerëzit e tillë kryesisht janë të pavëmendshëm për gjërat që i rrethojnë dhe gjërat që u kalojnë pranë dhe ata nuk mbajnë në mend asgjë kur të zgjohen. Mos u bë prej këtyre njerëzve!
Ndrysho ose do të humbësh | Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar