Pse bizneset shqiptare po orientohen drejt euros?

Lufta në Ukrainë dhe rritja e fortë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ka bërë që bizneset shqiptare të orientohen më shumë drejt monedhës europiane euro sesa ndaj lekut.

Kjo konstatohet në raportin e fundit të tendencave të kreditimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë konstaton se kredia në valutë për biznese ka pësuar rritjen më të madhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Kredia në valutë njohu rritje dyshifrore, prej 12,5 %, ose dy herë më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo kredi dominon portofolin e kredisë për biznese, me 57%, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të ardhura në valutë, shkruhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Rritja e kredisë në valutë u mbështet nga kërkesa e shtuar e bizneseve për blerjen e mallrave jashtë, në kushtet e rritjes së shpejtë të çmimeve dhe pasigurisë që solli fillimi i konfliktit në Ukrainë.

Po kështu, edhe likuiditeti i bollshëm i bankave në valutë si rrjedhojë e rritjes së qëndrueshme të depozitave në monedhë të huaj, është një tjetër faktor në mbështetje të kreditimit në valutë.  “Norma e rritjes së kredisë në lekë për biznese është ngadalësuar dukshëm, në 5.4%. Përdorimi i burimeve alternative të financimit, përkeqësimi i besimit dhe rritja e pasigurisë tek bizneset e vogla dhe ato të mesme duken se kanë ulur kërkesën për financim në monedhën vendase.

Bizneset e vogla dhe të mesme, për vetë natyrën e biznesit të tyre, e kryejnë aktivitetin kryesisht në lekë dhe rreziku i kursit të këmbimit dhe pasiguria e lartë e krijuar mbas fillimit të konfliktit Rusi – Ukrainë kanë ndikuar edhe në shtrëngimin e standardeve për këtë grup nga bankat” shkruhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Një element tjetër që ka ndikuar në uljen dhe ngadalësimin e kreditimit në lekë është edhe përfundimi i skemave mbështetëse që ka dhënë më parë qeveria, sikurse ishin garancitë sovrane.

Në këtë kontekst, situata e kreditimit në lekë pritet të ndryshojë, për faktin se qeveria shqiptare ka rikthyer skemën mbështetëse për bizneset.

Përmes një akti normativ, qeveria shqiptare i ka hapur rrugën ripërdorimit të mekanizmit të  garancisë sovrane.

Kompanitë e shumicës për produktet ushqimore e kanë të vështirë të krijojnë rezervën 3 mujore të përcaktuar me ligj, shkak për të cilin Qeveria ka vendosur të hyjë në lojë.

Qeveria sapo ka dërguar në Kuvend një Akt Normativ, i cili bën të mundur që këto kompani të përfitojnë kredi nga bankat tregtare, për të cilat del garant qeveria përmes mekanizmit të garancisë sovrane. /Scan/

Artikulli paraprakKontrolloni llogaritë, ekzekutohen 100 eurot nga qeveria për punëtorët e sektorit privat
Artikulli tjetërPrivimi i individëve të pronësojnë të mirat e domosdoshme për shoqërinë