Kompanitë nga Kosova: Agroprodukt, OrganicHerb, A-D-E Group, Fungo dhe Hit – Flores, do të promovojnë produktet e tyre në Panairin e ushqimeve organike “BIOFACH 2022”, në Nuremberg të Gjermanisë nga data 26 korrik 2022.
Hapësirën ekspozuese në këtë panair për kompanitë nga Kosova e ka siguruar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Sipas njoftimit për media nga Kosovo Investment and Enterprise Support Agency – KIESA, ky panair është një mundësi e mirë për kompanitë kosovare që krahas promovimit të produkteve, të njihen me trendet e industrisë ndërkombëtare dhe të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me kompani të jashtme, me synim të rritjes së eksportit.
Në shtandin e Kosovës do të ekspozohen: bimë mjekuese aromatike bio – organike, fruta mali të ngrira dhe të thata, kërpudha, dredhëza dhe produkte të tjera të sektorit të bujqësisë.
Shtandi i Kosovës në këtë panair ka hapësirën ekspozuese prej 48 m2 dhe gjendet në Hall 4-271.
Panairi është i hapur nga data 26 deri 29 korrik 2022 në Exhibition Centre, Nuremberg.
Siç edhe e dijmë, Gjermania është një ndër partnerët kryesor të Kosovës, si në fushën e IHD-ve, ashtu edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare.
Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, IHD-të nga Gjermania gjatë vitit 2021 ishin 123.8 milionë euro, kurse nga janari deri prill të vitit 2022 është 66.6 milionë euro.
Ndërsa eksporti i mallrave të Kosovës në Gjermani gjatë vitit 2021 ishte 61.3 milionë euro, kurse nga janari e deri në maj të vitit 2022 është 32 milionë euro. /Buletini Ekonomik