Ballina Artikuj Përse duhet të zhvillojmë aftësinë e leximit kritik me bazë besimin

Përse duhet të zhvillojmë aftësinë e leximit kritik me bazë besimin

Young tired man trying to concetrate on reading book after long day of work

Si e filtroni atë që lexoni përmes botëkuptimit të imanit (besimit)?

Siç thotë shprehja, “nëse lexon atë që lexojnë të gjithë, do të mendosh si të gjithë”. Dhe në një epokë të mbingarkesës me informacion dhe përmbajtje virale, ne po lexojmë më shumë se kurrë atë që lexojnë të gjithë të tjerët. Prandaj, mund të jetë e vështirë të ushqejmë botëkuptimin tonë islam dhe ta gjejmë veten më laikë në të menduarit dhe në qasjen tonë ndaj jetës.

Një musliman beson me siguri të plotë se qëllimi i jetës është të adhurosh Allahun [xh.sh.]. Siç thotë Allahu në Kuran:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” [Kuran 51:56]

Kjo e vendos botëkuptimin tonë menjëherë në kundërshti me shumë ideale që mësohen dhe promovohen.

Librat e shkruar nga një këndvështrim laik, për nga vetë përkufizimi, adoptojnë një paradigmë tjetër. Kjo paradigmë argumenton se duke eliminuar fenë, eliminon edhe anshmërinë. Prandaj, një botëkuptim laik mundëson shikimin e botës përmes realitetit të vëzhgueshëm, i cili është më i prekshëm dhe më pak i diskutueshëm sesa një këndvështrim besimi, të cilin shumë njerëz mund të mos e besojnë.

Problemi me këtë është se qasja laike, apo edhe ajo akademike, është një botëkuptim më vete. Ajo parakupton ideale të caktuara. Librat e biznesit dhe të zhvillimit personal janë plot me supozime, si për shembull, qëllimi përfundimtar është përmbushja e potencialit të vetë individit.

“Siç thotë shprehja, ‘nëse lexon atë që lexojnë të gjithë, do të mendosh si të gjithë’. Dhe në një epokë të mbingarkesës me informacion dhe përmbajtje virale, ne po lexojmë më shumë se kurrë atë që lexojnë të gjithë të tjerët.” – Omar Usman

Në një botëkuptim laik, potenciali duhet të matet – sërish – me realitete “të vëzhgueshme”.

Këto masa shpesh përfundojnë tek tregues të prekshëm si paratë e fituara. Më kujtohet kur dëgjova një autor të njohur të lidershipit të fliste për idenë e shtimit të vlerës tek të tjerët.

Ai tha se kur shton vlerë, shpërblehesh me certifikata mirënjohjeje – nga ato jeshilet me fytyra presidentësh (d.m.th. dollarë!). Adoptimi i këtij botëkuptimi do të thotë të pranosh, deri në një farë mase, se ata që i shtojnë më shumë vlerë shoqërisë janë ata që gjenerojnë më shumë fitim. Qartësisht, nuk është kështu, e megjithatë, njerëzit e përvetësojnë këtë si motivim në përpjekjen e tyre për të pasur sukses.

Masat e paprekshme të suksesit në një botëkuptim laik shpesh reduktohen në ideale të tilla si ‘të bësh gjithçka që të bën të lumtur’, ose ‘të jesh aq i pasionuar sa të mos e ndiesh kurrë se po punon’, ose ‘bëhu versioni më i mirë i vetes’.

Paradigma laike do të jetë gjithmonë e prangosur nga idealet popullore të shoqërisë në çdo kohë të caktuar. Kjo do të thotë se përkufizimi i “versionit më të mirë të vetes” mund të ndryshojë bazuar në atë që vlerëson shoqëria. Për shembull, nëse shoqëria e zvogëlon rëndësinë e familjes duke lartësuar idealin e individit – atëherë familja mund të shihet si diçka që e pengon dikë të arrijë suksesin personal për të cilin ndihet i destinuar.

Një botëkuptim me bazë besimin synon të jetë më holistik (gjithëpërfshirës). Në Islam, ne nuk e ndajmë fenë nga aspektet e tjera të jetës. Feja (dini) është mënyrë jetese. Kjo mënyrë jetese rregullon jo vetëm mënyrën se si e përkufizojmë suksesin, por edhe mjetet me të cilat e arrijmë atë.

Versioni më i mirë i vetes, nga këndvështrimi i besimit, është përmbushja e qëllimit tënd në jetë, duke qenë një ‘Abd (rob) i vërtetë i Allahut dhe përmbushja e të drejtave dhe përgjegjësive ndaj atyre që të rrethojnë, siç është urdhëruar nga Dini ynë. Kjo paradigmë mund të nënkuptojë fare mirë që ti të refuzosh një punë fitimprurëse për shkak të sakrificës që do të kërkonte në familje. Fitimi monetar nuk është një tabelë rezultatesh për të matur vlerën tënde. Përkundrazi, fitimi monetar shihet në mënyrë kritike, duke vlerësuar se si është arritur dhe për çfarë qëllimi.

Një botëkuptim me bazë besimin kërkon shumë më tepër sesa një etikë në zhvillim – ai fut një komponent moraliteti, i cili thjesht nuk mundet (sërish, për nga vetë përkufizimi) të ekzistojë në një paradigmë laike.

Shumë libra janë shkruar për lidershipin, komunikimin, marketingun, psikologjinë, dinamikat ndërpersonale, bindjen, median e kështu me radhë. Një botëkuptim laik nuk mund ta rregullojë atë çfarë njerëzit bëjnë me atë informacion apo arsimim. Për shembull, këmbëngulja dhe durimi janë karakteristika të admiruara. Ato janë pjesë e pandashme e çdo historie frymëzuese në të cilën dikush punon fort për të triumfuar kundër çdo vështirësie. Fatkeqësisht, këmbëngulja dhe durimi gjenden edhe në historitë e atyre që ngrihen në pushtet dhe mashtrojnë apo shtypin të tjerët.

Është pikërisht botëkuptimi me bazë besimin ai që siguron rregullimin, përmes etikës fetare, për t’u kujdesur që këto mjete të përdoren për mirë. Një botëkuptim islam do të thotë të filtrojmë atë që mësojmë përmes thjerrëzës së Ahiretit. Çfarë po mësoj? Si po e përdor? Si po më ndihmon kjo të përmirësohem? Si po ndihmon kjo për të përmirësuar jetën e të tjerëve?

Ajo që na duhet, pra, është një mënyrë për të shqyrtuar në mënyrë kritike dhe për të filtruar informacionin që konsumojmë. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të përfituar nga realitetet e vëzhguara në libra, duke kuptuar në të njëjtën kohë anshmëritë që ndihmuan në krijimin e përfundimeve të autorit. Duhet të vlerësojmë në mënyrë kritike se si mund t’i zbatojmë mësimet e nxjerra në një mënyrë që na e rrit përshpirtshmërinë, në vend që të na e zvogëlojë.

Omar Usman

Artikulli paraprakStatistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Maj 2025
Artikulli tjetërHumbja e kohës në epokën e rrjeteve