Për çfarë e përdorin internetin shqiptarët? Ja raporti i fundit i Eurostat

30% e individëve që kanë përdorur internetin në vend në 2018-n e kanë bërë këtë për të luajtur apo për të shkarkuar lojëra, afër mesatares europiane prej 34%, sipas një raporti të fundit të Eurostat për argëtimin online për vendet e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në krahasim me vendet e tjera Shqipëria renditet e 23-a, nga 33 shtete.

Shtetasit e Kosovës janë më të prirur që të shpenzojnë kohë në internet duke luajtur, në raport me gjithë shtetet e tjera të rajonit.

Po sipas Eurostat, në vitin 2020, ata renditeshin të shtatët në Europë, pas Islandës, me 40% të individëve që përdorën internetin në tre muajt e fundit për të luajtur apo për të shkarkuar lojëra. Më të pa interesuarit për të shpenzuar kohë në internet duke luajtur janë serbët (21%) dhe boshnjakët (20%).

Kur vjen puna te përdorimi i internetit për të parë TV, apo video, shqiptarët renditen të parafundit në Europë, me vetëm 41% të përdoruesve (nga 74% që është mesatarja europiane). Sërish Kosova është e para në rajon, me 81%, Mali i Zi dhe Serbia me 70%, Bosnja me 60%.

Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se 57% e shqiptarëve e përdorin internetin për të lexuar lajme online ose gazeta (nga 75% që është mesatarja europiane). Përdorimi më i lartë është për të dëgjuar muzikë, me 67%, e vetmja tendencë më e lartë se mesatarja europiane prej 61%.

Tendenca në Bashkimin Europian

Në BE në 2020, 75% e individëve të moshës 16 deri në 74 vjeç që përdornin internetin në 3 muajt e mëparshëm lexuan faqe lajmesh në internet, gazeta dhe revista lajmesh, ndërsa 74% shikonin TV ose video të transmetuara në internet.

Përqindjet ishin më të ulëta për të dëgjuar muzikë (61%) dhe luajtur ose shkarkuar lojëra (34%).
Holanda dhe Qipro regjistruan peshën më të madhe të njerëzve që përdorën internetin për TV ose video (të dy 95%), e ndjekur nga Finlanda dhe Malta (të dyja 93%). Përqindjet më të ulëta janë vërejtur në Rumani (37%) dhe Bullgari (44%).

Holanda kishte pjesën më të lartë të individëve që luanin ose shkarkonin lojëra (56%). Malta dhe Danimarka vijuan me 47% secila). Në Bullgari dhe Poloni, ishte pesha më e ulët, nën 20%.

/monitor

Artikulli paraprakLiria dhe vetëkontrolli, liberalizmi dhe besimi
Artikulli tjetërMungesa e çipave godet edhe prodhuesin më të madh të veturave