Derisa nga PDK-ja nuk kanë vendosur përfundimisht nëse deputetët e kësaj partie do të votojnë pro ose kundër buxhetin e vitit 2017, deputetë nga radhët e LDK-së, shprehen të bindur se buxheti i vitit të ardhshëm do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.
Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, tha për “Gazeta Blic” se Grupi Parlamentar i partisë të cilës ai i takon ende nuk ka marrë ndonjë qëndrim në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ende nuk e ka diskutuar projektligjin për buxhetin dhe në momentin që do ta diskutojë do të dalë me një qëndrim. Por ende nuk ka ardh në diskutim”, tha Reçica, raporton GazetaBlic
Por, ende pa u zhvilluar ky takim, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj është shprehur i bindur për “Gazeta Blic” se deputetët nga PDK-ja do ta votojnë këtë buxhet.
“Tash për tash PDK po bën shantazhe lidhur me aprovimin e buxhetit ,me qëllim që të përfitojë sa më shumë. Në fund besoj se edhe PDK do ta votojë,besoj se kjo që po ndodhë është vetëm një lojë e pasuesve të Kadri Veselit”, tha Salihaj.
Sipas këtij deputeti nga LDK-ja, janë disa arsye për të cilat PDK-ja është e pakënqaur me buxhetin e vitit 2017, por ajo më kryesore sipas Salihajt është rritja e buxhetit prej 1.6 në 2 miliardë euro.
“Mendoj se rritja e madhe prej 1.6 në 2 miliardë euro është arsyeja kryesore ,e cila po e pengon PDK-në,sepse kjo po kuptohet si sukses i LDK-së. Këtë sukses nuk po mund ta përballojë PDK-ja,sepse po e përjeton si debakël të saj”, ka thënë ky deputet.
Më tej, duke mohuar arsyen kundërshtimit të këtij buxheti nga PDK-ja, Salihaj tha se ky buxhet e favorizon këtë parti.
“PDK është e pakënaqur me buxhetin,sepse ndoshta këtë herë nuk janë favorizuar shumë sikur vitet e kaluara regjionet në të cilat dominon ajo,si dhe institucionet ,të cilat i dominon. Kjo ka shkaktuar një lloj alarmi në PDK. Në fakt edhe ky buxhet e favorizon PDK-në,por në një masë më të vogël se më parë. Por,shikuar në një aspekt tjetër,ndoshta kjo edhe nuk është arsyeja kryesore që kjo parti po e kundërshton buxhetin”, përfundoi ai.
PDK në vazhdimësi e ka kritikuar buxhetin e propozuar nga Qeveria Mustafa, duke e konsideruar atë si fiktiv.
Por megjithë kundërshtimet ndaj këtij tij, komisioni për Buxhet dhe Financa e ka proceduar projektligjin për vitin 2017 për në Kuvend. Procedimin e tij e votuan 5 anëtarë të komisionit për Buxhet dhe Financa dhe 3 ishin kundër./GazetaBlic