Ballina Blog Faqe 688

Rrudhet xhepi i diasporës

Të ardhurat nga diaspora kanë rënë për qindra mijëra euro, nëse krahasohen të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për këtë fillimvit me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku del se ka rënie për 6 milionë euro. Për rënien e remitencave ka dalë edhe një raport i UNDP-së, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se rënia është si pasojë e krizës në vendet ku kemi diasporën.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 dërgesat e mërgimtarëve kapin shumën 119.1 milionë euro, që është 4.8 për qind më pak së në të njëjtën periudhë kohore. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar shifra e dërgesave ishte 125.1 milionë euro. Ndërsa shifra totale e remitencave ndër vite sipas raportit të BQK-së është: në vitin 2011 totali i remitencave ishte 584. 8 milionë euro, në vitin 2010 584.3 milionë euro, në vitin 2009, 585.7 milionë euro, në vitin 2008, 608.7 milionë euro, në vitin 2007, 515.6 milionë euro, në vitin 2006, 467.1 milionë euro, në vitin 2005, 418.0 milionë euro dhe në vitin 2004, 357.0 milionë euro.

Në një hulumtimin për të hyrat nga remitencat në vitin 2011 në Kosovë nga Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara thuhet se shenjat nga jashtë janë burimi më i madh i të hyrave për amvisëritë në Kosovë, pas fitimeve nga punësimi i rregullt, dhe bëjnë më shumë se 20 për qind të të hyrave të përgjithshme. Sipas këtij hulumtimi, në vitin 2011 shuma e përgjithshme e remitencave në Kosovë ishte 379.6 milionë euro, që është më pak se 14 për qind për shkak të krizës ekonomike në Evropë, në krahasim me 442 milionë euro sa janë shënuar në vitin 2010, dhe është parë se remitencat kanë rritur standardin e atyre që i kanë marrë.

Drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, thotë për Zërin se kjo po ndodh për shkak se mërgimtarët janë orientuar më shumë tek kursimet për shkak të krizës. “Rënia e remitencave është një tregues që diaspora jonë është orientuar më shumë në kursime në kohët e krizës së eurozonës dhe normalisht se do të ndikojë në rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, meqenëse Kosova është mjaft e varur nga paratë që i merr nga jashtë”, tha Abdixhiku.

Si problem tejet të madh Abdixhiku e konsideron edhe rënien e eksportit dhe investimeve nga jashtë. /Telegrafi/ kohaislame

Bankat dyfishojnë fitimet

Vlera neto e kredive të dhëna për klientët nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë është rritur lehtë ndërmjet periudhës mars e qershor të këtij viti. Sipas raportit të Bankës Qendrore të publikuar në fund të javës së kaluar, vlera e tërësishme e kredive të bankave ka arritur në 1 miliard e 613 milionë euro deri më 30 qershor.

Krahasuar me muajin mars, vlera e kreditimit është për 37 milionë euro më e lartë. Krahas kreditimit, edhe vlera e depozitave të klientëve në banka është rritur ndjeshëm. Deri në fund të qershorit vlera e depozitave të klientëve në banka arriti në 2 miliardë e 105 milionë euro, apo rreth 15 milionë euro më shumë sesa në tremujorin e parë të vitit, shkruan koha.
Me gjithë rritjen e lehtë të vlerës së kreditimit dhe depozitave, bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë dyfishuar profitin ndërmjet periudhës mars-qershor të këtij viti. Profiti i shënuar deri në fund të qershorit kap vlerën prej 16 milionë e 298 mijë eurosh, nga 8 milionë e 672 mijë euro sa ishte në mars.
Profitin më të lartë e ka shënuar “Pro-Credit Bank”. Kjo bankë e ka dyfishuar profitin brenda tre muajve, nga 5 milionë euro sa ishte në mars, në 10.4 milionë euro në fund të qershorit./Indeksonline/kohaislame

SHBA hedhin çdo vit në koshin e plehrave 165 miliardë $

Në Shtetet e Bashkuara çdo vit hidhen në koshin e plehrave deri në 40% të produkteve ushqimore me shumë rreth 165 miliardë $.

Te dhëna të tilla përmbahen në raportin e lëshuar të martën nga organizata jo-qeveritare mjedisore amerikane Këshilli për mbrojtjen e burimeve natyrore.

Sipas fjalëve të shkencëtarëve, një familje mesatare amerikane prej katër vetësh hedh çdo vit produkte ushqimore me shumë prej 2.275$. Në vitin 1970 kjo shifër ishte 50% më e ulët.

Pjesën më të madhe të gjërave që përfundojnë në koshin e plehrave e përbëjnë produktet që prishen shpejt, të tilla si frutat dhe perimet. Megjithatë, sipas fjalëve të ekspertëve, produktet ushqimore gjenden shpesh në koshin e plehrave jo sepse janë prishur, por për shkak se janë të tepërta, të panevojshme./koha/kohaislame

Bankat në Kosovë nuk i ulin normat e interesit

Edhe përkundër faktit se bankat komerciale që veprojnë në Kosovë janë mjaft profitabile dhe me një qëndrueshmëri stabile, normat e kamatave të kredive vazhdojnë të jenë të larta, thonë njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë. Sipas disa organizatave joqeveritare që merren më këtë çështje, normat e kredive sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Ibrahim Rexhepi, njohës i ecurive ekonomike në Kosovë, thotë se bankat në Kosovë janë komerciale, që përballë kanë vetëm interesin, dhe në asnjë mënyrë nuk e ndajnë fatin me ekonominë dhe kredimarrësit e tyre.

Ai madje dyshon se ka marrëveshje të fshehta në mes institucioneve bankare për të mbajtur nivelin e lartë të kamatave.

“Nuk ka ndonjë veprimtari aq profitabile në Kosovë, ku një investim mund të kthehet në 12 deri 15 për qind në fitim. Çka do të thotë se investimet nuk mund të mbulojnë as nivelin e kamatave që kërkojnë bankat. Prandaj, edhe bankat kanë riorientuar plasimin e mjeteve, kanë përzgjedhur veprimtaritë që mund të financojnë dhe në këtë rast është tregtia”, shprehet Rexhepi.

Normat e interesit të kredive në Kosovë janë të më të lartat në rajon, vlerëson edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ai konsideron se vetëm konkurrenca e fortë në tregun bankar, mund t’i detyrojë bankat që të ulin kamatat e kredive.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale.

“Unë pajtohem se tetë banka në numër janë të mjaftueshme për numrin e popullsisë dhe kapacitetin e ekonomisë së Kosovës. Por, këto banka janë shumë konservative në dhënien e kredive dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të furnizuar ekonominë, sektorin e biznesit në Kosovë”.

“Nëse analizojmë këto tetë banka që operojnë në Kosovë, deri në 85 për qind të kapitalit të tyre është kapital i depozituesve. Kjo krijon një garanci se sistemi është i shëndoshë dhe pa probleme në sigurimin e mjeteve”, thekson Bektashi.

Ndryshe, kamatat e kredive i përcaktojnë bankat në bazë të politikave të tyre, ndërsa Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave.

Bektashi shpjegon se cilat janë mundësitë që të institucionet shtetërore të ndikojnë në uljen e kamatave të kredive.

“Në Unionin Evropian ka shtete që kanë banka partneritet publiko-privat dhe përmes kapitalit shumë të madh që kanë ato banka mikse, drejtpërdrejt ndikojnë në uljen e normave të interesit”.

“Disa shtete madje përdorin edhe subvencione për disa sektorë kyç, siç është sektori i bujqësisë, blegtorisë apo disa degë të veçanta të industrisë, ku shteti subvencionin më qëllim që të fusin investime të reja”, shprehet Bektashi.

Edhe Ibrahim Rexhepi e sheh të nevojshëm sigurimin e një kontrolli më të mirëfilltë të sistemit financiar nga autoritetet kompetente.

“Forma më e mirë, jo që të ulet, por së paku që të ketë një mbikëqyrje më të madhe në sistemin bankar, qoftë edhe më mundësi të ndërhyrjes së herëpashershme, me qëllim të stabilizimit të rrjedhave, është forcimi i Bankës Qendrore të Kosovës”.

“Do të thotë që ajo të ketë komponentin për sistemin monetar, në mënyrë që në momente të caktuara të ndikojë në qetësimin apo uljen e kamatave”, thotë Rexhepi.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale dhe përbëjnë 76.0 për qind të aseteve totale të sektorit financiar.

Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes 300 degëve dhe nëndegëve.

Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Nga totali i kredive afër 70 për qind janë kredi për ndërmarrjet. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë, sektori i industrisë dhe ekonomitë familjare./koha/kohaislame

Versioni i ELKOS-it për PTK-në

Zyrtarët e kompanisë Elkos thonë se do të ishin ende në garë për PTK’në, sikur t’u merrej parasysh nga Qeveria kërkesa për shtyrje të procedurave të parakualifikimit.

Ata brenda dy javësh synonin të hynin në konzorcium me Franc Telekomin, por kërkesa nuk iu mor parasysh.
Kompania Elkos ka mundur të jetë në garë për privatizimin e Post-Telekomit të Kosovës, sikur t’i pranohej një kërkesë për zgjatje të procedurave të parakualifikimit.
Kjo kompani, e cila ishte e vetmja vendore në garë për PTK-në, i kërkoi këshilltarit të transaksionit, dy javë kohë, pasi ishte në bisedime me Franc Telekomin, për një konzorcium të mundshëm.
Por Bekim Abazi, menaxher i këtij projekti, thotë se Qeveria përkundër kërkesës, i shpalli kompanitë e parakualifikuara pas tri ditësh. Ai thotë se nuk mbahet mend që me një shpejtësi të tillë, të shpalleshin fituesit.
Si pasojë, Elkos u eliminua nga gara me arsyetimin se nuk kishte përvojë në fushën e telekomunikimeve, kriter ky që synonin ta përmbushnin duke e futur në konsorcium Franc Telekomin, raporton Express.
“Kemi bërë kërkesë për shtyrje të afatit deri në shtator. Deri në këtë kohë, pritej të finalizohej marrëveshja me Franc Telekomin. Por kërkesa jonë nuk u mor parasysh dhe u eliminuam për mungesë përvoje”, ka thënë Abazi./Indeksonline/kohaislame

Në Kosovë, nuk ka përmirësim ekonomik dhe social

Qytetarët e Kosovës edhe për një periudhe shumë të gjatë nuk mund të presin që gjendja e tyre ekonomike e sociale do të përmirësohet, pasi që zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk po reflekton rritje të mjaftueshme ekonomike, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.Rritja ekonomike për vitin 2012, e cila ishte parashikuar të jetë mbi 5 për qind ka rënë në 3.8 për qind, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Përderisa gjatë vitit 2011 rritja ekonomike në Kosovë ishte 5 për qind.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në perspektivën afatshkurtër, kjo rritje ekonomike nuk është e mjaftueshme, duke pasur parasysh, siç thekson Rukiqi, që Kosova ka nevojë për dyfishin e rritjes ekonomike aktuale.

“Unë, gjithmonë duke pasur një optimizëm të matur, mendoj që mbajtja e ritmit të rritjes është me rëndësi, po duhet përfundimisht të bëhen përpjekje që të dyfishohet kjo, dhe tash perspektiva mund të jetë në implementimin e suksesshëm të projekteve në energji dhe telekomunikacion, perspektiva mund të jetë në anëtarësimin në BERZH, për shkak se anëtarësimi në BERZH mundëson qasjen e fondeve zhvillimore”, thotë Rukiqi.

Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës kishte treguar trend negativ në ekonominë e Kosovës. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, sipas BQK-së, ka pasur rënie të eksporteve për 24.4 për qind, ngritje të importeve, rënie të dërgesave të emigrantëve për 4.8 për qind, e po ashtu rënie të investimeve të huaja direkte prej 27.6 për qind.

Sipas Rukiqit, këto të dhëna janë treguesi më i mirë për gjendjen, në të cilën ndodhet ekonomia e Kosovës. Kjo rritje ekonomike, thotë Rukiqi, nuk mund ta zbusë papunësinë. Rënia e remitencave, rënia e investimeve ndikojnë që Kosova edhe për një kohë të gjatë të ketë këtë gjendje të vështirë ekonomike, shton Rukiqi.

“Duke pasur parasysh tani që ne kemi nevojë për dyfishim të rritjes ekonomike në mënyrë që të mund ta akomodojmë numrin e madh të punëkërkuesve në një anë, që mund të jenë potencial për destabilizim në nivele apo në aspektin social, dhe të njëjtën kohë të kemi një rritje të të ardhurave dhe të mos mbetet vendi me të ardhurat më të vogla për kokë banori në këtë pjesë të Evropës”, thekson Rukiqi.

Trendët aktual makroekonomikë edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Ismail Kastrati nuk janë të favorshme. Rënia e remitencave dhe investimeve të huaja direkte, kanë ndikuar në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Kjo detyrimisht ndikon në rrjedhat ekonomike, e në veçanti në situatën sociale, e cila dita-ditës po rëndohet nga shkaku se papunësia jo që po zvogëlohet, por nuk po mund t’i inkuadrojë as kontingjentin e ri të punëtorëve. Në gjendje të keqe do të jenë kategoria sociale dhe pensionistët, por edhe të tjetër sa i përket mirëqenies ekonomike dhe sociale”, vlerëson Kastrati.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, në vitin 2009, varfëria ishte 34 për qind e gjithë popullsisë.

Sipas këtij raporti, pak më shumë se një e treta e popullsisë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Ndërkaq, papunësia thuhet të jetë mbi 48 për qind.

Kastrati thekson se edhe për një kohë të gjatë Kosova do ta ketë këtë gjendje.

“Angazhimi i strukturave qeverisëse nuk është në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, por kryesisht është i interesuar të realizojë privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe investime në sektorin publik, të cilët nuk kanë punësim të qëndrueshëm, por e zgjedhin përkohësisht problemin e punësimit dhe atë në parametra mjaft të vegjël”, potencon Kastrati./koha/kohaislame

Ulet përqindja e mallrave serbë, rritet ajo nga Shqipëria

Që nga vendosja e masave të reciprocitetit, Serbia nuk po arrin të kthejë të njëjtin eksport të prodhimit në Kosovë. Zyrtarë të Doganave të Kosovës konfirmojnë se importet e Serbisë po vazhdojnë të karakterizohen me rënie dhe se kompanitë kanë ndërpre importin pas vendosjes së bllokadës nuk janë kthyer më bashkëpunimit të mëhershëm me kompanitë serbe.

“Mas reciprocitetit që u ndërmor në vitin e kaluar ne kemi parë një rënie të importit nga Serbia, e cila po vazhdon edhe tash të ketë më pak importe, ndërsa shtetet e tjera kanë pasur rritje. Si Shqipëria vitin e kaluar ka pasur ngritje thuajse për 60 për qind më shumë se një vit më parë dhe se eksportet shqiptare kanë arritur vlerën mbi 90 milion euro”, ka thënë një zyrtarë i doganës.

I vetmi prodhim që nuk ka pësuar ndryshim nga shteti fqinjë është gruri dhe mielli, mirëpo pavarësisht këtij fakti pozitiv të humbjes së tregut nga kompanitë serbe, importi po e mbytë vazhdimisht eksportin e vogël të vendit tonë. Sipas të dhënave të doganave të Kosovës, karburantet, cigaret dhe një numër i madh i ushqimit po vazhdon të importohet, transmeton KohaVision.

Vendet të cilat po vazhdojnë të shënojnë ngritje të eksportit në Kosovë duke zëvendësuar prodhimet serbe në Kosovë janë Shqipëria, Italia, Gjermania dhe Turqia./indeksonline/kohaislame

“Kosovës B” i zgjatet jeta deri në vitin 2040, me investime private

Brenda muajit gusht pritet të qartësohen hapat që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë rreth rehabilitimit të termocentralit “Kosova B” dhe mënyrën e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’.

Anëtarët e Komiteti Drejtues pritet të njihen me opsionet për rehabilitimin e këtij termocentrali që këshilltarët e transaksionit do t’i prezantojnë në mbledhjen e radhës që të mbahet brenda muajit gusht.Në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës rivitalizimi i këtij termocentrali nuk do të bëhet me mjetet nga buxheti i Kosovës, por duke e futur kapitalin privat në këtë termocentral.

E Komiteti Drejtues i projektit është obliguar nga Qeveria e Kosovës që të analizojë dhe të paraqesë opsionin më të mirë për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B” me qëllim të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Edhe pse nuk janë bërë të ditur opsionet që janë duke u diskutuar, përfshirja e kapitalit privat do të bëhet duke u bazuar në Ligjin për partneritetin publiko-privat.

“Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) ka kërkuar nga këshilltarët e projektit të analizojnë opsionet për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B”, duke u bazuar në spektrin e mundësive që ofron kuadri ligjor në Republikën e Kosovës”, ka thënë Lorik Haxhiu, menaxher i projektit “Kosova e Re”.

Ligji për partneritet publiko-privat ka hyrë në fuqi më 15 nëntor të vitit 2011. Në këtë ligj është përcaktuar se një partneritet publiko–privat mund të realizohet përmes formës së koncesionit dhe të kontratës publike me kusht që operatori privat të realizojë një shërbim publik, apo në rastet kur merr përsipër rrezikun dhe përgjegjësitë financiare, teknike, ndërtimore dhe/ose operative në lidhje me ofrimin e shërbimit publik ose infrastrukturës publike.

Në këtë ligj është paraparë edhe mundësia e ndarjes së rrezikut dhe e obligimeve financiare me rastin e arritjes së një partneriteti publiko-privat.

E në nenin 6, pika 2.2 është paraparë që një proces i partneritetit publiko-privat të përshijë: riparimin, modernizimin, financimin, zgjerimin, mirëmbajtjen dhe operimin e infrastrukturës ekzistuese publike.

Kompetencat kryesore për realizimin e një partneriteti publiko-privat, në bazë të këtij ligji, i ka Komiteti për Partneritet Publiko-Privat i (KPPP), i cili duhet të përbëhet nga 5 ministra dhe krijohet me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Menaxheri i projektit “Kosova e Re”, Haxhiu, nuk ka dashur të tregojë për opsionet dhe mënyrën e përfshirjes së kapitalit privat në këtë termocentral, duke përfshirë nivelin e hises së shtetit.

“Opsionet do të paraqiten në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të Projektit, i cili planifikohet të mbahet gjatë muajit gusht. Nga ky takim pritet të qartësohen hapat e mëtutjeshëm lidhur me ecurinë, kushtet dhe procesin e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’”, ka thënë Haxhiu.

Por ai ka shpjeguar se çka do të kërkojë Qeveria e Kosovës nga investitori.

“Nga sektori privat do të kërkohet të analizohet gjendja e objektit, të vlerësohen investimet e domosdoshme për përmbushjen e obligimeve, të realizohet projekti i rehabilitimit para viti 2018 dhe të operohet termocentrali në përputhje me standardet teknike dhe me rregullat e tregut konkurrues”, ka shpjeguar Haxhiu.

E obligimet që Kosova i ka marrë me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë pritet të reflektohen edhe në tarifat e energjisë elektrike, pasi për të plotësuar kriteret ambientale nevojiten 300 milionë euro investime në TC “Kosova B”. Këto investime duhet të kthehen përmes tarifave të energjisë elektrike.

Haxhiu thotë se obligimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE) me ndikim më të dukshëm nga pikëpamja e kostos janë ato që kanë të bëjnë me përmbushjen e kërkesës për të garantuar emetimet e termocentralit në limitet e përcaktuara me direktivën e Komisionit Evropian 2001/80/EC mbi kufizimin e emetimit të ndotjes së ajrit.

“Sipas studimeve, vlerësohet se kostoja e përmbushjes së kësaj direktive për njësitë e termocentralit “Kosova B” do të jetë rreth 300 milionë euro. Në këtë vlerë janë përfshirë elektrofiltrat e rinj, desulfurizimi, zvogëlimi i oksideve të azotit, trajtimi i ujërave nga procesi i prodhimit, etj.”, ka thënë ai. “Kosto tjetër e lidhur me njësitë e TC “Kosova B” kanë të bëjnë me investimet e domosdoshme për zgjatjen e jetës operative deri në vitin 2030 apo edhe deri në vitin 2040”.

Përveç investimeve prej 300 milionë eurosh në aspektin mjedisor, zyrtarë brenda KEK-ut thonë se për operim të këtij termocentrali deri në vitin 2030 janë të nevojshme edhe 100 milionë tjera investime. E nëse realizohet opsioni që TC “Kosova B” të jetë në funksion deri në vitin 2040, atëherë do të duhet të investohen në total rreth 500 milionë euro.

Kujtojmë që me propozim të Qeverisë së Kosovës ishte futur në pakon tenderuese të projektit “Kosova e Re” edhe termocentrali “Kosova B”, për të bërë pakon më atraktive për investitorë. Por kanë qenë këta të fundit ata që kanë kërkuar që ky termocentral të hiqet nga pakoja tenderuese. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 19 korrik që ky termocentral të hiqet nga pakoja, ndërsa në një proces të ndarë të përgatitet futja e kapitalit privat në termocentralin “Kosova B”.

Ekspertet patën kërkuar që të shqyrtohet edhe mundësia që rehabilitimi i këtij termocentrali të bëhet nga shteti i Kosovës. Ka qenë Muhamet Mustafa ai që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ketë një studim të fizibiliteti, i cili do të tregonte se cili është opsioni më i mirë për rehabilitim të këtij termocentrali, apo nëse investimi në termocentral është më dobiprurës së investimi në Autostradën në drejtim të Shkupit. /koha/kohaislame

Të papunët, të pa interesuar për punë

Në kohën kur papunësia në Kosovë po shënon gjithnjë rritje, në komunën e Ferizajt po ndodh një situatë e pazakontë për kohën. Janë 578 vende të lira punë të shpallura në Qendrën për Punësim, për të cilat fare nuk shprehë interesim askush.

Drejtues të kësaj qendre, e cila edhe ndërmjetëson në punësimin e atyre që kërkojnë punë, kanë thënë të enjten se në këtë qendër vazhdimisht ka kërkesa nga subjektet afariste për të punësuar fuqi punëtore, por që interesimi i punëkërkuesve është i vogël. Se ku është arsyeja e vërtetë e këtij mosinteresimi edhe zyrtarët nuk janë në gjendje ta thonë.

Drejtori i QRP-së në Ferizaj, Luan Jahiri, tha për Kosovapress, se kjo më të vërtetë përbën shqetësim për kohën, kur vendet e shpallura kryesisht u takojnë profileve që janë joshëse për fuqinë punëtore që aktualisht mbahen në evidencat e qendrës. “Kemi kërkesën e një biznesi për t’i punësuar 20 zdrukthëtarë me kushte të mira. Fatkeqësisht askush nuk lajmërohet. Kërkesa kemi edhe për profilet tjera si saldator, murator, kamarierë e punëtorë fizikë, por që ja nuk ka të interesuar. Arsyet e punëkërkuesve janë të ndryshme, disa i lidhin me kushtet e punës, udhëtimin e pagën. Ne apelojmë të punëkërkuesit që të vijnë në qendër dhe të njoftohen me këto vend të punës”, theksoi Jahiri.

Por, ata të cilët janë më të interesuarit për të gjetur një vend të punës, nuk mendojnë njësoj sikurse zyrtarët, duke thënë se në të shumën e rasteve punëdhënësit nuk sillen edhe ashtu siç thuhet dhe prezantohet në publik. “Ka raste kur nuk shpërblehesh sa duhet për punën e bërë, e mos të flasim edhe për kushtet e punës dhe orarin e gjatë”, thotë Qamil Xhema, punëkërkues që më shumë e preferon tregun e fuqisë së krahut, se sa të kërkoj ndonjë punë në Qendrën e punësimit.

Së fundi, kjo Qendër do të jetësoj dy projekte të punëve publike, të cilat parashohin punësimin e 60 punëkërkuesve për një kohë të caktuar.

Drejtori i Qendrës, Luan Jahiri, shpjegon se këto dy projekte, njëri që parasheh rregullimin e shtigjeve të ecjes dhe trotuareve në Parkun e Lirisë dhe tjetri që ka të bëjë me mirëmbajtjen dhe kultivimin e zonave rekreative në komunën e Ferizajt, do të angazhoj kryesisht fuqinë punëtore që hëpërhë ndodhën në skemën sociale të kategorisë së dytë. “Ky projekt i cili financohet nga Banka Botërore dhe implementohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) synon që të kontribuoj në buxhetin e Kosovës, ngase të punësuar do të jenë përfituesit e skemës sociale, të cilët derisa të jenë të përfshirë në këtë projekt nuk do të marrin asistencën”, tha Jahiri.

Ndryshe, zyrtarisht në komunën e Ferizajt si të papunë janë të evidentuar 15 471 persona të të dy gjinive, shifër kjo që krahasuar me periudhën e njëjtën të vitit të kaluar është më e vogël po thuajse për rreth 3000 persona.

Turistët publikojnë direkt ndotjet mjedisore

Sezoni turistik dhe përpjekjet e administratës për të përmirësuar kushtet e jetesës në zonat bregdetare kaë nxitur edhe ide të reja të shoqërisë civile për të dhënë ndihmesën e tyre në zgjidhjen e problemeve dhe për të pasqyruar realisht situatën. Instituti Shqiptar i Shkencave sapo ka nisur një projekt ku i fton të gjithë pushuesit që të denoncojnë problemet mjedisore dhe të turizmit shqiptar.

Instituti ka hapur për këtë qëllim një faqe në internet dhe menjëherë dhjetëra pushues vendas dhe të huaj publikuan aty foto dhe video, ku pasqyrohen djegia e mbeturinave dhe derdhja e ujërave të zeza në det nga shumë pallate të reja. Drejtuesja e Institutit, Aranita Brahaj, thotë se “Smart Tourist Albania” është një media qytetare për të bashkëpunuar të gjithë në zbardhjen e të vërtetave mbi mjedisin dhe mbrojtjen e natyrës.

Nga çdo telefon celular çdo pushues mund të fotografojë dhe filmojë pamje problematike nga zonat turistike dhe t’i hedhë ato në faqen e përbashkët, siç kanë disa dhjetëra prej tyre qysh në ditët e para. Aranita thotë se “pushuesit po denoncojnë ndotjen e plazheve jo vetëm në zonat e mirënjohura turistike por edhe në plazhet e reja ku abuzimi sapo ka filluar dhe duhet parandaluar”.

“Smart Tourist Albania” u bë menjëherë një nismë e dobishme qytetare në ndihmë të pushtetit vendor dhe autoriteteve të mjedisit për të njohur realisht gjendjen dhe për të bërë përmirësime të vërteta të situatës dhe parandalime të akteve që shkatërrojnë natyrën shqiptare. Ujërat e zeza janë ndotja më e madhe e plazheve shqiptare, raportojnë vetë qytetarët.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka aktualisht 800 mijë qytetarë me telefona të lidhur në internet dhe mbi 200 prej tyre përdorin rrjetin 3G. Aranita Brahaj thotë se “kjo nismë nuk synon publicitete negative por përpiqet të ndërgjegjësojë qytetarët për mjedis të pastër, dhe që fillimisht ata të zbulojnë zonat e ndotura dhe t’u kërkojnë autoriteteve që të vënë dorë”.

Nga të dhënat e vetë qytetarëve, Instituti Shqiptar i Shkencave do të krijojë në fund të sezonit turistik hartën e ndotjeve mjedisore, e cila do t’u jepet autoriteteve vendore për ndërhyrje, dhe vitin tjetër do të bëjë një hartë promovuese me zona turistike të pastra./voa

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
few clouds
17.5 ° C
17.5 °
17.5 °
63 %
1kmh
20 %
Mon
23 °
Tue
24 °
Wed
24 °
Thu
25 °
Fri
25 °