Paga minimale përballë sfidave të produktivitetit të punës

Nga: Michael PetersonFoundation for Economic Education

Politika e pagës minimale është e mbuluar me një gjuhë populiste e pragmatike që më së shumti dëmton njerëzit që supozohet të ndihmojë. Nuk është sekret që ligjet për pagën minimale reduktojnë punësimin e punëtorëve me kualifikim të ulët, veçanërisht për të rinjtë që kërkojnë punën e tyre të parë. Projeksionet e vetë Zyrës së Buxhetit të Kongresit (Congressional Budget Office, CBO), tregojnë për humbje të konsiderueshme javore të vendeve të punës nëse rritet paga minimale kombëtare. Mijëra studime kërkojnë të përcaktojnë efektet e rritjes subjektive të pagës minimale në punësim.

Shumica e studimeve ende evidentojnë efekte të rëndësishme negative në punësim kur miratohen ligjet për pagën minimale. Megjithatë, pasi presidenti Biden nënshkroi një ligj federal për pagën minimale prej 15 dollarësh/ore, dhe duke pasur parasysh inflacionin e lartë të shkaktuar nga shpenzimet masive të qeverisë gjatë dhe pas pandemisë, thirrjet për rritje të mëtejshme të pagave vazhdojnë.

Prandaj është e rëndësishme të analizohet paga minimale nga të gjitha këndvështrimet e mundshme. Një këndvështrim i tillë është të shikojmë se çfarë ndodh me produktivitetin e punëtorëve kur miratohen ligjet për pagën minimale. Për ta bërë këtë, ne shpesh shikojmë se çfarë ndodh me punëtorët me nivele të ndryshme aftësish kur rritet paga minimale.

Siç u përmend, punëtorët me kualifikim të ulët janë më të prekurit nga rritja e pagave minimale, pasi kompanitë reduktojnë punësimin e punëtorëve të tyre më pak produktivë. Në të kundërt, punëtorët me kualifikim të mesëm, shpesh përfitojnë, pasi ata kanë më shumë gjasa të zëvendësojnë homologët e tyre relativisht më të shtrenjtë me kualifikim të ulët. Meqenëse punëtorët me kualifikim të lartë luajnë më pak një rol zëvendësues, efektet e tyre në punësim janë më të paqarta.

Një studim nga dy ekspertë të tregjeve të punës, Terry Gregory dhe Ulrich Zierahn vlerëson ndikimin e një ligji për pagën minimale të vitit 1997 në Gjermani, në industrinë e ndërtimit. Ata zbulojnë se punëdhënësit punësuan më pak punëtorë me kualifikim të lartë për shkak të rënies së të ardhurave (uljes së produktivitetit) të firmave.

Ata gjithashtu vërejnë se fluksi i punëtorëve me kualifikim të lartë që hyjnë në industri është ulur me më shumë se 9%, që është më i madh se rritja prej 0.5% në fuqinë punëtore me kualifikim të mesëm. Ky rezultat tregon për efekte dinamike të neglizhuara në ofertën e fuqisë punëtore me kualifikim të ulët dhe me aftësi të lartë që mund të ulë produktivitetin në nivele edhe më të ulëta.

Një studim tjetër nga Joseph J. Sabia ( Professor of Economics, Director of Center for Health Economics & Policy Studies (CHEPS) zbulon se ligjet për pagën minimale nuk kanë asnjë efekt të rëndësishëm (pozitiv ose negativ) në produktin e brendshëm bruto (GDP) të shteteve. Megjithatë, në industritë me aftësi të ulëta si shitja me shumicë dhe prodhimi, ai gjen një rënie të vogël ose të konsiderueshme të produktivitetit në krahasim me industritë me cilësore me aftësi të larta si financat ose pasuritë e paluajtshme.

Në përgjithësi: “Rezultatet e këtij studimi tregojnë pak përfitime të përgjithshme të produktivitetit nga rritja e pagës minimale dhe ka disa prova që GDP-ja e sektorëve me aftësi të ulëta në krahasim me atë të sektorëve me aftësi të larta mund të bjerë si përgjigje ndaj rritjes së pagës minimale.”

Goditja e produktivitetit është më e madhja në afat të shkurtër, duke sugjeruar se pagat minimale nuk mund të stimulojnë shpërthime të papritura të rritjes së produktivitetit.

Disa studime vërtet vërejnë rritje të produktivitetit midis punëtorëve individualë. Fatkeqësisht, këto studime shikojnë vetëm efektet statike të rritjes së pagës minimale për një grup të caktuar – zakonisht punëtorët me kualifikim të ulët. Disa ekonomistë ia atribuojnë pagave efikasitetin dhe burimin e rritjes së produktivitetit pas rritjes së pagës minimale. “Paga e efiçencës” është ideja që paga më e lartë rezulton në moral dhe angazhim më të lartë të punonjësve, qarkullim më të ulët dhe një grup më të mirë kandidatësh, gjë që rrit produktivitetin e punëtorëve të ndikuar drejtpërdrejt nga rritja e pagës.

“Pagat e efikasitetit” interpretohen gjithashtu si përmirësim të produktivitetit të punëtorëve, pasi punëtorët me kualifikim të ulët i frikësohen perspektivës së pushimit nga puna. Por çdo politikë e bazuar në frikën e shkarkimit ka rezultate afatgjata jo të shëndetshme. Në të gjitha këto raste, analizat e fiksojnë vështrimin te një grup punëtorësh dhe neglizhojnë efektet dinamike të ligjeve për pagën minimale.

Për shembull, ekonomistët Jonathan Meer dhe Jeremy West (Jonathan Meer & Jeremy West, 2016. “Effects of the Minimum Wage on Employment Dynamics,” Journal of Human Resources, University of Wisconsin Press, vol. 51(2), pages 500-522) përdorin një model dinamik për të testuar efektet e pagës minimale në rritjen e punësimit. Ata zbulojnë se “paga minimale redukton punësimin për një periudhë më të gjatë se sa është ekzaminuar më parë në literaturën e specializuar. » Ndikimi negativ i pagës minimale mbi punësimin dhe produktivitetin përforcohet sapo analiza të zgjerohet për të përfshirë një horizont më të gjatë kohor.

Një artikull i Isaac Sorkin (Assistant Professor of Economics at Stanford University) parashtron metoda të ndryshme statistikore për përcaktimin e efekteve afatgjata të pagës minimale në rezultatet e rritjes së punësimit. Sorkin tregon se kur paga minimale është e përhershme – si për shembull kur paga minimale indeksohet me inflacion – efektet negative në punësim i tejkalojnë shumë ato që vërehen kur paga minimale është e përkohshme. Sorkin ia atribuon këto efekte faktit që punëdhënësit fillojnë procesin e hershëm të zëvendësimit të punës me kapitalin, gjë që redukton rritjen e vendeve të punës për më pak të kualifikuarit.

Këndveshtrimi përfundimtar që merr më pak vëmendje është ndërveprimi midis punëtorëve me aftësi të ulëta dhe atyre me aftësi të larta. Në një artikull nga Instituti i Ekonomisë së Punës (IZA), Abdurrahman Aydemir përshkruan komplementaritetin midis emigrantëve me aftësi të ulëta dhe atyre me aftësi të larta në produktivitetin e punëtorëve vendas: “Imigrimi i punëtorëve me kualifikim të ulët redukton të ardhurat e punëtorëve me kualifikim të ulët dhe përmirëson produktivitetin e punëtorëve me kualifikim të lartë dhe kapitalin në vendin e tyre pritës”. E njëjta gjë vlen edhe për punëtorët me kualifikim të lartë.

Alex Nowrasteh, drejtor i studimeve të politikave ekonomike dhe sociale në Institutin Cato, ilustron se si emigrantët mund të rrisin produktivitetin e punëtorëve vendas. Ai citon një studim nga Giovanni Peri dhe Mette Foged: “Emigrantët i shtynë punëtorët danezë dhe evropianët e tjerë të lindur në vend në pozicione intensive të komunikimit brenda kompanive… Si rezultat, pagat daneze në fakt u rritën pas 5 ose 6 vjetësh, sepse punëtorët danezë janë bërë më produktivë. »

Nëse përfitimet e ndërsjella ndërmjet niveleve relative të aftësive të punëtorëve zbatohen në kontekstin e imigrimit, ato duhet të zbatohen edhe për politikën kombëtare të pagës minimale. Me fjalë të tjera, punëtorët relativisht më të kualifikuar mund të bëhen më pak produktivë kur punëtorët me kualifikim të ulët pushohen nga puna për shkak të një politike të pagës minimale.

Për shembull, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me një mekanik automobilash, i cili duhet të shpenzojë kohë shtesë për të paraqitur dokumentet ose për të caktuar takime kur recepsionisti bëhet shumë i shtrenjtë për ta mbajtur në listën e pagave. Ose, merrni parasysh se çfarë mund të ndodhë me një pronare restoranti që do t’i duhet të marrë më shumë detyra shërbimi tani që nuk mund të përballojë më të paguajë kujdestaren e recepsionit ose kuzhinieren që pastron tavolinat.

Një treg i shtrembëruar i punës është i keq për produktivitetin sepse i pengon punëtorët më të varfër të mësojnë aftësi në punë që avancojnë karrierën e tyre, ndërkohë që privon punëtorët me aftësi të larta nga puna me kualifikim të ulët që i bën ata më efikas.

Politika e pagës minimale është e mbuluar me një gjuhë populiste që më së shumti dëmton njerëzit që supozohet të ndihmojë. Siç shkruante dikur Don Boudreaux dhe Walter Williams në Wall Street Journal: “Të gjitha qëllimet e mira të kampionëve të rritjes së pagës minimale nuk bëjnë asgjë për të korrigjuar këto pasoja të dëmshme… Politika e dhembshur kërkon që ne të mendojmë me trurin tonë dhe jo me zemrën tonë pa takt. »/fjala/

Artikulli paraprakMë shumë para në buxhet se sa parashikimi, si shtetet po ua kthejnë ato qytetarëve
Artikulli tjetërPutin pretendon të rregullojë botën…me ushtarë të dehur!