Ndërtimi i një marrëveshjeje murabaha

Në shumicën e rasteve, një klient banke aplikon për një kredi sepse dëshiron të blejë diçka. Kjo mund të jetë një makinë e re, një shtëpi, një ndërtesë zyre, një jaht apo një makineri e re për fabrikën e tij. Këto nevoja dhe shumë të tjera mund të plotësohen përmes kontratave murabaha. Një marrëveshje murabaha mund të ndërtohet si më poshtë:

  1. Klienti i qaset bankës duke shfaqur interesin për blerjen, për shembull, të një aeroplani. Ai do të paraqesë përshkrimin e plotë dhe specifikimet e detajuara, përfshirë burimin e furnizimit.
  2. Banka do të kryejë një vlerësim të kreditit, ashtu siç bëhet në bankimin konvencional.
  3. Nëse ai është me një rrezik të ulët, atëherë do të vendoset marzha e murabahas (pra, fitimi ose margjina e bankës) për të. Kjo marzhë do të ofrohet, më së shumti, si një normë fikse vjetore, e bazuar në kostot totale të blerjes së avionit nga banka, që përfshin çmimin e paguar dhe të gjitha shpenzimet e lidhura.
  4. Nëse klienti pranon, atij do t’i kërkohet të nënshkruajë një marrëveshje për t’u angazhuar për të blerë avionin, pasi të jetë në pronësi të bankës. Nëse banka e ka në pronësi brenda kohës së dakorduar dhe me specifikimet e kërkuara, atëherë është e detyrueshme që klienti ta realizoj këtë detyrim. Megjithatë, ky detyrim nuk do të thotë që ai do të detyrohet të blejë, pasi kjo do ta bënte detyrimin të ishte si një kontratë shitjeje në fakt. Kjo do të thotë që, nëse klienti nuk përmbush detyrimin e tij, ai do të jetë përgjegjës për çdo humbje që mund të pësojë banka për shkak të këtij dështimi. Në këto raste, banka do ta shesë këtë avion tek një klient tjetër. Nëse ka humbje, banka ka të drejtën të kërkojë kompensim nga klienti. Nëse ka fitime, ato janë të drejta të bankës.
  5. Si pjesë e transaksionit murabaha, klientit do t’i kërkohet të paraqesë disa garancione për bankën në momentin e nënshkrimit të zotimit. Këto garancione mund të jenë në formën e parave ose ndonjë aktivi tjetër likuid, i barabartë me rreth 5% deri në 10% të vlerës së marrëveshjes. Kjo në bankimin islam quhet, marzhi i seriozitetit, që do të tregojë se klienti është serioz. Ky marzh do të përdoret për të kompensuar bankën në rast se klienti nuk respekton zotimin e tij për blerjen dhe banka ka pësuar humbje nga shitja e mallrave tek palë të treta. Duhet të theksohet se kjo nuk është një pagesë paraprake, sepse kontrata e shitjes ende nuk është përfunduar. Sipas sheriatit, nuk mund të bëhet shitje pa pasur mallin fiyikish në pronësi të shitësit.
  6. Pasi mallrat të jenë gati, klientit do t’i kërkohet të nënshkruajë kontratën e shitjes dhe t’i marrë ato. Nuk ka nevojë që banka t’i ketë mallrat në magazinën e saj për të përmbushur kërkesat e sheriatit. Mjafton që ato të jenë të identifikueshme qartë dhe rreziku i dëmtimit të mbulohet nga banka, dhe kjo do të mjaftojë për t’u konsideruar si përmbushje e kërkesave të sheriatit.
Artikulli paraprakSekuritizimi i murabahah
Artikulli tjetërLC Murabahah