Nafta, hekuri dhe kromi dominojnë industrinë shqiptare për nga vlera e shitjeve.
INSTAT publikoi sot për herë të parë rezultatet e Anketës së Produkteve Industriale, në të cilat referohet se vlera e shitjeve të tre produkteve kryesore të industrisë shënoi vitin e kaluar rreth 1 miliardë euro.
Ndërsa për nga sasia e prodhimit kryesore ishin pijet alkoolikë dhe këpucët.
Gjatë vitit 2022 është prodhuar 902.064 ton naftë nga 697.662 tonë të prodhuar në vitin 2021. Prodhimi i hekurit bruto dhe forma të tjera primare në vitin 2022 shënoi vlerën 808.983 tonë nga 773.668 tonë të prodhuar në vitin 2021.
Gjatë vitit 2022 është prodhuar 1.399.017 tonë xeherorë dhe koncentrate të kromit nga 1.068.729 tonë të prodhuar në vitin 2021.
Vlera e shitjeve për produktin naftë gjatë vitit 2022 ishte 44.8 miliardë lekë, nga 34.2 miliardë lekë në vitin 2021, duke u rritur me 31,2%.
Vlera e shitjeve për produktin hekur bruto dhe forma të tjera primare gjatë vitit 2022 ishte 32,6 miliardë lekë, nga 31,3 miliardë lekë në vitin 2021, duke u rritur me 4,3% dhe vlera e shitjeve për produktin xeherorë dhe koncentrate të kromit gjatë vitit 2022 ishte 30,9 miliardë lekë nga 22,4 milionë lekë në vitin 2021, duke u rritur me 38,2%.
Gjatë vitit 2022 metalurgjia zuri 14,7% të vlerës së shitjeve gjithsej të produkteve industriale nga 14,8% që zinte vitin në 2021.
Përpunimi i produkteve ushqimore zuri 11,5% të shitjeve gjithsej gjatë vitit 2022 nga 11,8% që zinte në vitin 2021, ndërsa nxjerrja e naftës bruto zuri 11,2% të shitjeve gjithsej gjatë vitit 2022 nga 9,8% që zinte në vitin 2021.
NSTAT publikoi për herë të parë të dhënat e Anketës së Produkteve Industriale (PRODCOM), e cila përdoret në vendet e Bashkimit Evropian.
Vrojtimi mbi produktet industriale kryhet me frekuencë vjetore pranë ndërmarrjeve të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese dhe ka si qëllim të ofrojë informacion mbi prodhimin dhe shitjen e produkteve industriale të realizuara nga ndërmarrjet që kryejnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë.
Këto statistika shërbejnë për të kryer analiza të detajuara të produkteve industriale të prodhuara në vend. Prodhimi dhe shitja e produkteve kryesore industriale
/Monitor.al/