Murabahaja, alternativa islame e financimit bankar
Qëndrueshmëria e jurisprudencës islame, gjithëpërfshirja dhe fakti se është ligji i fundit i shpallur nga Krijuesi i botës, janë specifikat me të veçanta, të cilat e bëjnë Islamin të dallohet nga fetë, sistemet dhe ideologjitë e tjera të njohura në botë. E si të mos jetë kështu, kur ishte urtësia e Zotit të Plotfuqishëm, që ky ligj të jetë i vetmi ligj me të cilin do të gjykojnë besimtarët, derisa të ekzistojë kjo botë!
Fakti se jurisprudenca islame është universale dhe e vlefshme për të gjitha kohërat, na bën të kuptojmë se në të përfshihen të giitha problematikat me të cilat ballafaqohen njerëzit, pavarësisht vendit apo rrethanave në të cilat jetojnë. Allahu i Madhërishem në Kuranin Fisnik thotë: Ne ta zbritëm ty (Muhamed) librin (Kuranin), si shpjegim për çdo çështje.
Fusha e shitblerjes dhe e transaksioneve bankare është njëra prej fushave më të zhvilluara dhe të përhapura në kohën tonë, prandaj konsiderohet nga ato fusha ku ekziston nevoja që të sqarohet pikëpamja e jurisprudencës islame rreth saj. Kësaj mund ti shtojmë edhe faktin se shumë nga këto transaksione përmbajnë tejkalime dhe ndalesa nga të cilat besimtari duhet të largohet.
Per këtë arsye, edhe interesimi i intelektualëve islamë është mjaft i theksuar dhe evident. Angazhimi i tyre në këtë fushë, është më i dukshëm edhe për faktin se veprimtaria bankare tani më nuk është vetëm specifikë e biznesmenëve dhe njerëzve të pasur, por përditshmëri e çdo personi që ka marrëdhënie pune, ose së paku çdo familjari që menaxhon të ardhurat dhe shpenzimet e familjes. Shërbimet të cilat i ofrojnë bankat konvencionale në kohën
bashkëkohore janë mjaftë joshëse, pasi që u mundësojnë klienteve që kanë të hyra minimale, ti sigurojnë sendet dhe pajisjet që janë bërë domosdoshmëri e përditshmërisë së tyre. Përderisa në të kaluarën, ishte e nevojshme që të posedohen para të gatshme për të blerë lavatriqe, televizorë, orendi, makinë, etj., tani, për ti siguruar këto, mjafton të keni të hyra minimale dhe me një ngushtim të harxhimeve në familje, mund të blihen këto ose më mirë të themi disa nga këto, me metodën e shitblerjes me këste.
Shitblerja me këste në fillim aplikohej për mallrat me vlerë të lartë, për të cilat blerësi e kishte të vështirë ta paguante tërë shumën përnjëherë, sikurse shtëpia, makina, etj., por tani aplikimi i blerjes me këste bëhet edhe për gjëra të thjeshta dhe që nuk kanë ndonjë çmim të lartë.
Mirëpo, problemi i shitblerjes që aplikojnë bankat konvencionale, qëndron në faktin se gjatë realizimit të kësaj kontrate, parashihet përfitimi kamatar që zbaton banka si palë ndërmjetësuese, ndërmjet shitësit (tregtarit, firmës, dyqanit, etj.) dhe blerësit (klientit).
Ajo që ndodh në këto mënyra shitblerjeje është se banka nuk është shitësi, pasi shitësi është poseduesi i mallit (tregtari), por banka është pala e tretë, e cila merr pjesë në këtë akt shitblerjeje si ndermjetës (financues), mes shitësit dhe blerësit. Për shembull, nëse një lavatriçe kushton 300 euro dhe blerësi dëshiron ta blejë me këste për gjashtë muaj, atëherë në këtë rast ndërhyn banka dhe merr përsipër pagesën në vend të blerësit dhe këte shumë prej 300 eurosh, ia paguan aty për aty tregtarit, nëpërmjet xhirollogarisë, ndërsa blerësi mbetet borxh te banka që ta bëjë pagesën brenda gjashtë muajsh, mirëpo borxhi nuk do të jetë vetëm 300 euro, por edhe disa dhjetëra euro të tjera, si kompensim i mundesisë për ta bërë pagesën e borxhit me vonesë. Kjo në jurisprudencën islame është kamata e ndaluar me citate nga Kurani Famëlartë dhe hadithet profetike. Kjo formë e kamatës quhet kamata e vonesës, pasi arsyeja pse caktohet ky përfitim kamatar éshtë për shkak të vonimit të pagesës së borxhit.
Shkaku i këtyre përqindjeve të qarta kamatare të marra nga bankat konvencionale, ishte arsyeja pse intelektualët islamë ishin kundër kësaj forme shitblerjeje dhe vazhdimisht bënin thirrje për hulumtimin e formave të mundshme për realizimin e shitblerjeve me këste dhe me vonim të pagesës, por gjithsesi që në këto lloje shitblerjesh të largohet përqindja kamatare.
Si rezultat i këtyre angazhimeve, u hodh ideja e krijimit të bankave Islame ose institucioneve financiare islame, si alternativë për bankat me kamatë, të cilat janë përhapur në tërë botën para më shumë se një shekulli. Motoja e këtyre bankave islame është mënjanimi i interesit kamatar dhe çdo gjëje të ndaluar në jurisprudencën islame, kurse në anën tjetër, ishte realizimi i nevojave të njerëzve per financim.
Njëra nga format me të cilat institucionet financiare islame tentojnë t’u ofrojnë alternativa myslimanëve, që të heqin dorë nga kamata dhe të zhvillojnë bizneset e tyre, është që shumë nga transaksionet kamatare me të cilat operojnë bankat konvencionale, ti shnderrojnë ose adaptojnë në forma të lejuara, larg përqindjeve kamatare.
Pas shtrimit të kësaj nevoje nga ana e dijetarëve dhe intelektualeve islamë, u krijuan ide dhe metodologji me anë të të cilave ekziston mundësia t’u ofrohet klientëve blerja me këste, por në anen tjetër, të ndërmerren veprime që do ta përjashtonin aplikimin e kamatës nga ana e palës së tretë, që e ofron këtë formë shitblerjeje, pa u dëmtuar. Kështu, nga ana e institucioneve financiare islame lindi ideja e aplikimit të shitblerjes murabaha, të njohur në jurisprudencën islame, por duke e përshtatur me rethanat e kohës bashkëkohore.
Mirëpo, teksa flasim për murabahanë bankare, duhet të kemi parasysh se ky produkt i bankave islame, edhe pse është mjaft i përhapur në botën islame, nuk mund të thuhet se është modeli më origjinal me të cilën mund të dëshmohet efikasiteti i bankave islame, pasi ky produkt është vetëm adaptim i një forme të tregtisë me këste me kamatë që aplikojnë bankat konvencionale, në nje formë tjetër tregtu e që mënjanon kamatën. Format e transaksioneve dhe produktet model për të dëshmuar suksesin e sistemit bankar islam, duke mënjanuar kamatën janë të tjera, por mbeten për t’u shtjelluar në një studim tjetër.
Alaudin Abazi