Shumica e bankave islame dhe institucioneve financiare përdorin murabahah si një mënyrë islame financimi, dhe shumica e veprimtarive financiare te tyre bazohen në këtë metodë. Prandaj, ky term është pranuar sot në qarqet ekonomike si një metodë e veprimtarive bankare, ndërsa koncepti origjinal i murabahah është ndryshe nga ky perceptim.
Murabahah është, në fakt, një term i fikhut islam dhe i referohet një lloji të veçantë të shitjes, që në thelbin e tij nuk ka lidhje me financimin në kuptimin e tij origjinal. Nëse një shitës bie dakord me blerësin që t’i sigurojë një mall specifik me një fitim të caktuar të shtuar mbi koston e tij, kjo quhet një transaksion murabahah. Përbërësi kryesor i murabahah është që shitësi e tregon koston e vërtetë të mallit të dhe më pas i shton një fitim. Ky fitim mund të jetë një shumë fikse ose mund të bazohet në një përqindje.
Pagesa në rastin e murabahah mund të bëhet menjëherë ose në një datë të mëvonshme të rënë dakord mes palëve. Prandaj, murabahah nuk nënkupton domosdoshmërisht pagesën e shtyrë, siç besohet zakonisht nga disa persona që nuk kan njohuri për jurisprudencën islame dhe që kanë dëgjuar për murabahah vetëm në kontekstin e transaksioneve bankare.
Murabahah, në kuptimin e saj origjinal islam, është thjesht një shitje. Tipari i vetëm që e dallon atë nga llojet e tjera të shitjes është se shitësi në murabahah i tregon qartë blerësit se sa ka kushtuar malli dhe sa fitim po shton mbi koston.
Nëse një person shet një mall për një çmim të caktuar pa përmendur koston, kjo nuk është murabahah, edhe pse ai mund të përfitojë nga shitja, sepse transaksioni nuk bazohet në konceptin e “kosto-plus.” Në këtë rast, shitja quhet musavameh.
Ky është kuptimi i vërtetë i termit murabahah, e cila është një shitje e thjeshtë. Megjithatë, ky lloj shitjeje po përdoret nga bankat islame dhe institucionet financiare duke i shtuar disa koncepte të tjera, duke e kthyer atë në një metodë financimi. Por vlefshmëria e këtyre transaksioneve varet nga disa kushte që duhet të respektohen për t’i bërë ato të pranueshme sipas sheriatit.
Për t’i kuptuar siç duhet këto kushte, fillimisht duhet kuptusr se murabahah është një shitje me të gjitha karakteristikat e saj dhe se të gjitha elementet themelore të një shitjeje të vlefshme duhet të jenë të pranishme edhe në murabahah. Prandaj, ky diskutim do të fillojë me disa rregulla bazë të shitjes, pa të cilat një shitje nuk mund të konsiderohet e vlefshme sipas sheriatit. Më pas, do të diskutojmë disa rregulla të veçanta që lidhen posaçërisht me murabahah, dhe në fund do të shpjegohet procedura e saktë për përdorimin e murabahah si një metodë e pranueshme financimi.
Është bërë një përpjekje për të përmbledhur parimet e detajuara në shënime të shkurtra dhe fjali sa më të përmbledhura, në mënyrë që pikat kryesore të temës të kuptohen menjëherë dhe të ruhen lehtësisht për referenca të mëvonshme.