Mos e Përzieni Dizelin me Benzinë Porosit Ministria Naftëtarët

Naftëtarët kosovarë në mbledhjen e parë për sivjet të shoqatës që grumbullon kompanitë që shesin derivate, janë ankuar për shumë çështje para anëtarëve të Komisionit për Tregti dhe Industri dhe vetë përfaqësuesve të kësaj ministrie. Edhe ministria ka dhënë rekomandimet e saj për tregtuesit e naftës.
 
Tahir Zogaj nga kompania “Al Petrol” u ankua për tarifën për kyçje në rrugë që çdo vit e paguajnë bizneset e qarkullimit të derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve.
 
“Kërkesa për kyçje në rrugë kërkon pagesën e një tarife e cila bëhet çdo vit, ndërsa është e kushtueshme. Ajo duhet të paguhet njëherë, kur të merret licenca,” propozoi Zogaj.
 
Naftëtarët gjithashtu kërkuan që kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet në dogana, e jo në pikat e fundit para shpërndarjes së saj te makinat e konsumatorëve.
 
“Për kontrollin e cilësisë duhet të paguajmë 750 euro në vit. Ndëshkimi është shumë i lartë-12 mijë euro nëse nuk është cilësia e duhur. 120 biznese janë ndëshkuar pa faj, sepse fajin duhet ta marrin kompanitë importuese të naftës, e jo pikat e vogla që blejnë karburante,” tha naftëtari Shaban Sylaj.
 
Remzi  Shaqiri, një koleg i Sylajt ua kujtoi përfaqësuesve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë se ata janë dora e dytë e furnizimit, pasi Kosova nuk ka rafineri nafte.
 
“MTI-ja nuk e di a e din se na jemi dora e dytë e funizimit me derivate, kontrollin duhet ta bëjë në kufi-doganë, e jo ne pikat e shitjes,“ tha Shaqiri.
 
Të pranishën në mbledhjen e shoqatës së naftëtarëve ishin anëtarë të Komisionit Parlamentar të Tregtisë dhe Industrisë.
 
Blerim Graica nga ky komision u zotua para naftëtarëve se ministria është për liberalizim të tregut dhe luftim të monopoleve.
 
“Ka ankesa të shumta të qytetarëve për naftën jocilësore dhe përveç dhjetë për qind të mostrave që kontrollohen në doganë, MTI-ja kontrollon edhe pikat e fundit të karburantit, sepse gjatë rrugës nuk po ndryshon cilësia,” tha Grainca.
 
Visar Bajrami nga MTI-ja ishte edhe më konkret. Ai u kërkoi naftëtarëve që të mos e përziejnë dizelin me benzinën.
 
“Gjatë vitit 2014 janë bërë mbi 500 teste në doganë nga cisternat që importojnë dhe 571 teste në pikat e karburantit dhe kjo ka dërguar 100 raste në gjykatë për cilësi të dobët. Andaj kërkoj nga ju naftëtarë të mos përzihet dizeli me benzinën, sepse vetëm një pikë e benzinës nëse përzihet me naftë e ul pikën e ndezjes për 14 gradë,” tha Bajrami.kohaislame
Artikulli paraprakBanka për Biznes vjedh nga xhirollogaritë e klientëve
Artikulli tjetërBizneset, në telashe me mungesë të energjisë