Miratohet projektligji për Produktet Biocide

Në seancën e fundit të Parlamentit të Kosovës me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e kanë miratuar projektligjin për Produktet Biocide.

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është shprehur se Ligji ka për qëllim rregullimin dhe funksionimin e tregut të brendshëm të biocideve nëpërmjet harmonizimit të rregullave për vënien në dispozicion në treg dhe përdorimin e Produkteve Biocide, duke siguruar nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

Postimi i plotë:

Në vazhdën e zgjerimit të infrastrukturës ligjore në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së, për  fushën e produkteve biocide, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në kuadër të përgjegjësive të veta ka ndërmarrë nismën ligjore lidhur me industrinë kimike, produktet e së cilës shfrytëzohen pothuajse në të gjitha segmentet e veprimtarive ekonomike.

Produktet Biocide përdoren për qëllime të ndryshme, ashtu si nga përdorimi në amvisëri, punëtori zejtare e deri te përmasat e përdorimit  industrial. Në Kosovë me legjislacionin mjedisor, legjislacionin për shëndetësi, si dhe legjislacionin për mbrojtjen e bimëve, deri më tani fusha e Produkteve Biocide nuk ka qenë e rregulluar. Kjo lëmi është karakterizuar specifike dhe duke u bazuar në praktikat, përvojat e shteteve anëtare të BE-së, kemi propozuar këtë projektligj ashtu që të rregullohet vendosja në treg dhe përdorimi i Produkteve Biocide në territorin e Republikës së Kosovës. Disa nga këto produkte posedojnë veti të rrezikshme, dhe në treg dalin në sasi dhe forma të ndryshme, të cilat nëse nuk menaxhohen si duhet,  paraqesin rrezik për jetën e njeriut dhe mjedisin.

Hartimi i Projektligjit  

Ligji ka për qëllim rregullimin dhe funksionimin e tregut të brendshëm të biocideve nëpërmjet harmonizimit të rregullave për vënien në dispozicion në treg dhe përdorimin e Produkteve Biocide, duke siguruar nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

Dispozitat e këtij Ligji mbështeten në parimin parandalues, qëllimi i të cilit është mbrojtja e shëndetit të njerëzve, të kafshëve dhe mjedisit. Ky Ligj është hartuar dhe i harmonizuar me Legjislacionin e BE–së, me të cilat rregullohen Produktet Biocide Versioni i konsoliduar i Rregullores (BE) Nr 528/2012 qe  ka për qëllim të përcaktoj detyrimet, masat, procedurat dhe udhëzimet për të parandaluar ose zvogëluar efektet negative në mjedis, në veçanti në ujë, ajër, tokë, florë, faunë dhe peizazh, dhe në çdo gjë që rrezikon  shëndetin e njeriut, e që vjen si rezultat i administrimit te Produkteve Biocide.

Projektligji është hartuar në bazë të rregullave të përcaktuara me Rregulloren e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin i cili ndërlidhet me këtë Projektligj./Motilokal

Artikulli paraprakArti i gjeometrisë në Islam
Artikulli tjetërOEAK: Arbitrazhi lehtëson zgjidhjen e kontesteve biznesore