Ministri i LSI-së, kundër Arben Ahmetajt për akcizën e gazit të makinave

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, prezantoi në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Projektbuxhetin e Ministrisë së Mjedisit për vitin 2017.

Në fjalën e tij, ministri Koka theksoi se: “Buxheti i Ministrisë së Mjedisit për vitin 2017, në tërësinë e tij, shënon një rënie krahasuar me një vit më parë, kjo për arsyen se zëri i sektorit të pyjeve në mesin e 2016-ës kaloi në pronësi, menaxhim dhe administrim të pushtetit vendor.

Aktualisht flasim për një buxhet rreth 3.206.000.000 lekë, por presim rritje në disa nga zërat që kemi kërkuar për tu konsideruar, nga 3.589.000.000 buxheti i Mjedisit për vitin 2016”.

Ministri i Mjedisit veçoi mbështetjen financiare që i është dhënë zërit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, ku pjesa e konsiderueshme e buxhetit të parashikuar për 2017-ëm shkon për këtë zë.

Projektet madhore në këtë fushë janë Landfilli-Incineratori i Elbasanit që pritet të inagurohet në nëntor 2016 dhe atij të Fierit që pritet të inagurojë së shpejti fillimin e punimeve.

Ministri Koka theksoi në prezantimin e këtij projekt-buxheti se problematika e shtrirë në gjithë sektorët e Mjedisit, trashëguar në mjedis, për më shumë se 2 dekada kërkon një mbështetje më të madhe nga buxheti i shtetit, por vëmendja që i ka dhënë qeveria shqiptare në këto 3 vite me rritje disa herë të buxhetit krahasuar me vitet e mëparshme, tregon qartazi se mjedisi sot ka një rëndësi të veçantë.

Ministri Koka theksoi se zëri i shpenzimeve operative për 3 institucionet e varësisë AKM, AKZM dhe ISHMP, limiton këto institucione në një performancë më cilësore dhe kapacitetet e monitorimit të tyre.

Duke vlerësuar vëmendjen dhe angazhimin konkret të qeverisë shqiptare ndaj Mjedisit, por nga ana tjetër, duke kërkuar dhe një vëmendje dhe ndërgjegjësim të qytetarëve shqiptarë për çështjet e mjedisit, ministri Koka jashtë rendit të ditës kërkoi vëmendjen e ligjvënësve për një çështje prioritare sa i përket angazhimit që ka marrë Shqipëria për uljen e reduktimit të gazrave deri në 2030-ën.

“Aktualisht sot në Shqipëri ne kemi përllogaritur një kosto për angazhimin tonë sa i përket zbutjes së efekteve të ndryshimeve klimatike.

Shqipëria në Kontributin Kombëtar të Synuar është angazhuar për reduktimin e çlirimit të gazeve. Sot në Shqipëri vetëm 3% e automjeteve qarkullojnë me gaz.

Qeveria shqiptare po konsideron vendosjen e akcizës për gazin. Unë kërkoj të rishikohet ky qëndrim, për këtë lëndë (gazin e automjeteve) pasi në të kundërt duke mos stimuluar përdorimin e tij, ne nuk do të jemi në gjendje të mbajmë këtë angazhim që kemi marrë”, theksoi ai gjatë fjalës së tij.

Shqipëria në paketën e masave që synon reduktimin me 11.5% te gazeve me efekt serre, ka parashikuar investimet që lidhen me 3 nga fushat kryesore:

 Ndërtimi me kosto përafërsisht Euro 21 Milionë
 Industria me kosto përafërsisht Euro 15 Milionë
 Transporti me kosto përafërsisht Euro 651 Milionë
Ku në Transport vetëm në sektorin e automjeteve kemi një kosto përafërsisht rreth Euro 110 Milionë.

Në fushën e Transportit, zërat e parashikuara në këtë paketë dhe angazhim të marrë janë si më poshtë:

1. Përdorimi deri në 10% i lëndëve djegëse Biokarburante
2. Zëvendësimi i lëndëve të lëngshme djegëse me gazin natyror
3. Përmirësimi i flotës së automjeteve
4. Hyrja në vend e automjeteve që plotësojnë standardet (Euro) të BE-së

Kostoja totale e këtyre masave për deri në vitin 2030 është rreth 687 milion Euro. /albeu.

Artikulli paraprakVlora, qyteti me papunësinë më të lartë në Shqipëri
Artikulli tjetërInflacioni arrin kulmin në Eurozonë