Krizë e rritje çmimesh, por sa para i kanë të “paluara” kosovarët në banka

Situata me rritjen e çmimeve veç po rendohet çdo ditë e më shumë në Kosovë. Inflacioni ka shkuar si kurrë më parë në 14.1 për qind. Derisa produktet më të shtrenjtuara janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet. Mirëpo edhe për kundër këtij fakti, qytetarët e Kosovës po arrijnë të kursejnë para, madje me miliarda euro.

Qytetarët e Kosovës kanë arritur që t’i kursejnë miliarda euro, edhe pse kriza me çmime ka goditur vendin tonë.

Vlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale të Kosovës ka arritur në mbi 4.9 miliardë euro.

Nga kjo vlerë, më shumë se 3.3 miliardë euro janë depozita të qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër u takon ndërmarrjeve.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e depozitave në vitin 2021 ka shënuar rritje për 12.4 për qind, në krahasim me vitin 2020.

Më saktësisht, sipas BQK-së, vlera e depozitave të reja, të arkëtuara vitin e kaluar, ka arritur në 446.1 milionë euro.

Por, kosovarët kanë “paluar” para në banka edhe gjatë këtij viti.

“Shuma e depozitave të reja në vitin 2021 ishte 446.1 milionë euro, ndërsa në periudhën janar – maj 2022, është 159.4 milionë euro”, kanë treguar në BQK.

Përpos depozitave në euro, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në sistemin bankar të vendit janë edhe 200 milionë në valutën jo euro.

Mirëpo, edhe  viti 2022 i ka gjetur qytetarët e Kosovës me miliarda euro kredi të papaguara.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar për Demokracia.com se nga muaji janar deri në muajin maj 2022, vlera e kredive të reja ka arritur në shumën prej 816.8 milionë euro.

Kurse, në vitin e kaluar, kredi të reja nga bankat komerciale janë dhënë 1.8 miliardë euro.

Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se qytetarët e Kosovës më së shumti kredi marrin për të siguruar ushqimin.

“Qytetarët marrin më së shumti kredi konsumuese, shërbyese, hipotekare, industriale dhe bujqësore. Norma mesatare e interesit në kredi vazhdon të shënojë ulje, ku në muajin maj ajo ishte 5.9%”,  thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Në total llogaritet se kosovarët kanë mbi 3.7 miliardë euro kredi.

Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është dhënë mundësia për të tërhequr 10 për qind të kursimeve në Trust, për të përballuar më lehtë vështirësitë ekonomike që mund t’iu kishte shkaktuar pandemia.

Atë botë, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro.

Edhe sipas një raporti të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP në Kosovë, 40 për qind të rritjes së depozitave e kanë nxitur kursimet e nxjerra nga Trusti, që janë deponuar në llogari private dhe nuk janë shpenzuar menjëherë.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Sipas të dhënave të muajit shkurt të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se 25,000 familje me 102,333 anëtarë kanë marrë asistencë sociale nga buxheti i shtetit të Kosovës. Kjo asistencë u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

Por, Agjencia e Statistikave ka treguar se tashmë inflacioni ka shkuar si kurrë më parë, në 14.1 për qind. Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet. Agjencia e Statistikave ka treguar se vetëm në qershor çmimet janë rritur për  1,4 për qind.

“Buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%),mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%)”.

Agjencia e Statistikave ka treguar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1 për qind./demokracia/

Artikulli paraprakMËNYRAT E STIMULIMIT TË PUNONJËSVE PËR SUKSES MË TË MADH TË KOMPANISË
Artikulli tjetërPesë kompani nga Kosova marrin pjesë në panairin e ushqimeve organike “BIOFACH 2022” në Gjermani