Buxheti i Kosovës ka regjistruar deficit primar buxhetor prej 86.4 milionë euro vetëm gjatё kёtij tremujori të fundit, përcjell Buletini Ekonomik.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, përkatësisht në muajt korrik-gusht-shtator, sipas të dhënave nga BQK-ja, të hyrat buxhetore të Kosovës ishin në vlerë të 454.9 milionë eurove, ndërsa shpenzimet buxhetore ishin pothuajse njëfish më të larta sesa të hyrat dhe arritën shifrën e 541.3 milionë eurove.
Të hyrat e buxhetit në këtë periudhë paraqesin një rënie vjetore prej 13.5 përqind, kurse shpenzimet buxhetore shënuan një rritje prej 11.1 përqind. Kështu thuhet në raportin më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës me titull “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike Nr. 32, Tremujori III/2020”.
Megjithëse pandemia COVID-19 ka ndikuar në rënien e kërkesës vendore, ajo ka ndikuar dukshëm edhe në rënien e të hyrave tatimore direkte për 6.3 përqind në TM3 2020. Kjo pasi të gjitha kategoritë e të hyrave tatimore direkte shënuan rënie, vlerësojnë nga BQK-ja.
Tatimi në të ardhurat e korporatave dhe tatimi në të ardhurat personale, si dy nga kategoritë kryesore të të hyrave tatimore direkte në vend, shënuan rënie prej 2.5 përqind përkatësisht 3.7 përqind.
Por pandemia ka ndikuar negativisht edhe në importin e mallrave, duke shkaktuar kështu një rënie prej 17.3 përqind në të hyrat tatimore indirekte, të cilat arritën vlerën prej 335.5 milionë euro dhe përbëjnë 73.8 përqind të gjithsej të hyrave buxhetore në tremujorin e tretë të 2020-s.
Gjithashtu edhe TVSH-ja dhe akciza, si dy kategoritë kryesore të të hyrave tatimore indirekte, kishin shënuar rënie prej 14.9 përqind përkatësisht 19.2 përqind.
Në anën tjetër, shpenzimet buxhetore u karakterizuan me rritje si rezultat i masave të ndërmarra për të zbutur efektet negative të pandemisë COVID-19. E kategoria kryesore që kontribuoi në rritjen e shpenzimeve buxhetore gjatё TM3 2020 ishte ajo e subvencioneve dhe transfereve, e cila arriti vlerën prej 197.6 milionë euro apo 34.9 përqind më shumё krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Me rritje prej 7.5 përqind u karakterizuan edhe shpenzimet për paga, të cilat arritën nivelin prej 164.0 milionë euro.
“Kategoritë tjera të shpenzimeve buxhetore shënuan rёnie. Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shёrbime (pёrfshihen edhe shpenzimet komunale) shënuan rёnie prej 2.2 përqind dhe arritën vlerën 68.0 milionë euro, përderisa shpenzimet kapitale shënuan rёnie për 5.8 përqind dhe arritën vlerën 111.8 milionë euro”, përfundon tutje raporti.
Ndryshe, të hyrat buxhetore deri në shtator 2020 arritën vlerën neto prej 1.2 miliardë euro (rënie vjetore prej 11.9 përqind), ndërsa shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 1.4 miliardë euro (rritje vjetore prej 5.4 përqind). /Buletini Ekonomik/