Kosova në kërkim të alternativave për ngrohje

Trendi i ngrohjes në Kosovë me energji elektrike, nga KEDS-i konsiderohet si një traditë e keqe. Nga ky institucion thonë se kapacitetet vendore nuk i mbulojnë kërkesat e qytetarëve për energji dhe për pasojë vendi detyrohet të importojë energji me çmime të larta.

Ekspertë të energjisë thonë se jo domosdoshmërisht duhet të ketë reduktime të energjisë dhe se qeveria duhet të gjejë zgjidhje për tejkalim të krizës.

Kosova është në situatë të pasigurt energjetike, thotë për Radio Kosovën, Viktor Buzhala, zëdhënësi i KEDS-it. Ai thotë se kriza energjetike në Kosovë është shkaktuar nga kriza energjetike në gjithë botën, andaj, sipas tij, nuk dihet se si do të jetë furnizimi tutje.

Buzhala theksoi se në Kosovë kapacitetet vendore gjatë dimrit nuk mjaftojnë për ta mbuluar kërkesën. Ai thotë se duhet t’i drejtohen importit, ndërsa çmimet e importit janë tejet të larta.

“Jemi në situata totalisht të pasigurta, sepse kjo krizë është e importuar nga jashtë. Sepse në tregjet e aksioneve çmimet e energjisë elektrike janë jashtëzakonisht të larta dhe në Kosovë është krijuar një trend i ngrohjes me energji elektrike e cila është traditë e keqe që nuk ekziston në asnjë vend të botës. Por që fatkeqësisht këtu po ndodh”, thotë Buzhala.

Ndërsa, eksperti i energjisë, Lulzim Syla, thotë për Radio Kosovë se jo domosdoshmërisht  mund të ketë reduktime patjetër të energjisë elektrike. Sipas Sylës, mund të kalohet një dimër më i mirë nëse qytetarët kujdesen për kursim të energjisë elektrike.

“Faktori i parë është kujdesi për kursim të energjisë elektrike e që  do t’i ndihmonte shumë procesit të kursimit dhe kjo na ndihmon që   bashkërisht ta kalojmë situatën me lehtë. Faktori i dytë janë parapërgatitjet që janë bërë dhe duhet të bëheshin nga ana e institucioneve shtetërore në mirëmbajte të sistemeve energjetike dhe  faktori i tretë, i cili mund të jetë në favor tonin, temperaturat të mos  jenë shumë të larta”, ka thënë Syla për Radio Kosovën.

Syla, tutje thotë se qeveria është vonuar pak në aspektin e implementimit të masave për tejkalim e krizës energjetike. Ai thotë se qeveria duhet të punojë  intensivisht në gjetjen e zgjidhjeve sa më të mira për tejkalim të situatës./buletiniek

Artikulli paraprakLIDERSHIPI TRANSAKSIONAL DHE TRANSFORMUES – Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
Artikulli tjetërSi të ndihmoni një mik, i cili sapo ka humbur vendin e punës