Kosova ka të drejtë të mbrojë prodhimtarinë vendore

Kosova ka të drejtë të mbrojë prodhimtarinë vendore, pa marrë parasysh marrëveshjet ndërkombëtare, ka thënë kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Musatafa.

Muhamet Musatafa këto komente i bëri në një tryezë diskutimi për industrinë e qumështit në Kosovë.

Industritë e ndryshme në vend, shpesh ballafaqohen me probleme të zhvillimit. Prodhuesit gjatë kërkesave për mbrojtje nga institucionet, kanë marrë përgjigje jo të favorshme për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare të tregtisë së lirë. Kurse kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, thotë se edhe Kosova sikur vendet e tjera duhet të gjejë mënyra të mbrojtjes së prodhimeve vendore.

“Nëse ka dikush të drejtë ta mbrojë një industri në Ballkan, në Evropë apo t’i subvencionojë , nëse dikush ka të drejtë atëherë ka të drejtë Kosova, sepse është industri e re emergjente. Ne shpesh thirremi në MSA, Cefta, edhe i lidhim duart vetit, ne duhet ta gjejmë mënyrën se si të bëhet”, tha Mustafa.

Ai këto komente i bëri gjatë një diskutimi ku i dëgjoi ankesat e prodhuesve e përpunuesve të qumështit. Kryetar i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj, u ankua për trajtimin që i është bërë problematikës nga institucionet.

“Në cilin vend po jetojmë, a është shteti jonë ky? A është parlamenti jonë? A është qeveria jonë? A është sektori i qumështit vetëm përgjegjësi e shoqatave, apo është edhe përgjegjësi e parlamentit, e qeverisë, e ministrive?”, shtroi pyetjen Memaj.

Deputeti Muhamet Mustafa, njëherësh tha se nuk është vetëm një ministri, por janë shumë institucione të thirrura dhe duhet një aktivitet i shtuar për ta përmirësuar pozitën e prodhuesve të qumështit.

 

“Kreditë joperformuese bankat nuk duhet t’ua faturojnë klientëve të tyre përmes kamatave të larta, sepse ato vinë si rrjedhojë e gabimeve të stafit”, ka thënë udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai këto komente i bëri gjatë një konference të Shoqatës së Bankave, ku është potencuar se Kosova ka nivelin dukshëm më të ultë të kredive joperformuese në rajon.

Arsyeja e mos uljes së kamatave në kredi me vite në Kosovë, është thënë të jenë kreditë e këqija, përkatësisht jo-performuese. Mirëpo, këto gabime të stafit të bankave, duhet t’i bartë vetë banka, thotë udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Sipas tij kreditë e këqija gjithmonë e kanë burimin te bankat, te identifikimi i gabueshëm i klientit, sepse gjithmonë mund të identifikohet pala, përkatësisht konsumatori i pandershëm i cili s’ka mundësi ta kthejë kredinë.

“Janë disa biznese të mëdha të cilat ne i njohim, ato kanë borxhe edhe me tatime, edhe të natyrave të tjera. D.m.th janë përsëritës, dhe atij që kërcënon me përsëritjen e gabimeve atij nuk duhet t’i jepet kredi, nëse i jepet përgjegjësia është e juaja. Por kompensimin e dëmeve kurrë mos ia adresoni kredituesit të ndershëm, e ne paguajmë norma të kamatave shumë më të larta se sa që duhet, për arsye se bankat duhet t’i mbulojnë edhe këto humbje.”

Kosova qëndron bindshëm më e mirë në rajon sa i përket kredive joperformuese, tha Fehmi Mehmeti, zëvendës guvernator, Banka Qendrore e Kosovës.

“Niveli i kredive joperformuese, i cili për nga shifrat është i krahasueshëm me vendet e BE-së, ka treguar një zvogëlim të vazhdueshëm duke u ulur në nivele prej 5.6% në maj të vitit 2016 krahasuar me 7.6% sa ishte një vit më parë.”

Sa i përket rajonit, shkallën e kredive joperformuese Serbia e ka 22%, Shqipëria 21%, Mali i Zi 16%, kurse Bosnja e Hercegovina si dhe Maqedonia 14%, përkatësisht 11%.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë i Komisionit Evropian ka kërkuar me urgjencë nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, të ndryshohen disa amendamente ligjore, në mënyrë që të jenë në pajtim më kërkesat e Pakos së Tretë të legjislacionit të Bashkimit Evropian për sektorin e energjisë. Kërkesa kryesore e këtij sekretariati ishte që Bordi i KOST të zgjidhet në Kuvend dhe jo përmes emërimeve të Qeverisë.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, u ka prezantuar anëtarëve të Komisionit kërkesën e Sekretariatit.

“Ne kemi zhvilluar konsultime me këtë sekretariat sa i përket zgjedhjes të bordit të KOST-it për të cilin insistohet që KOST të jetë plotësisht i ndarë nga gjenerimi nga prodhimi edhe në aspektin e mënyrës së zgjedhjes së bordit edhe procedurave për zgjedhjen e bordit . Në ligjin që e kemi dërguar ne në Kuvend propozimi është që procedurën e zhvillon Qeveria apo ministria përkatëse edhe e dërgon një numër kandidatësh në Kuvend për të cilët ne si zakonisht si bëjmë me Agjencitë e pavarura japim mendimet dhe Kuvendi aprovimin”, tha Mustafa.

Për deputetin e LDK-së, Fatmir Rexhepi, këto ndryshime të domosdoshme, nuk kanë dallim me ato që aktualisht aplikohen. Ai e tregoj realitetin se si zgjedhën në baza partiake bordet.

“Kur është fjalë te bordi mënyra e zgjedhjes megjithatë edhe praktikat e zgjedhjes në Kuvend nuk kanë treguar ndonjë suksese të mirë. Nuk di çfarë dallimi ka me pasur mes asaj që ka propozuar Qeveria edhe ne që po simpatizojmë ose që do ti jap pavarësi nëse zgjidhet në Kuvend. Këtë relacion unë e shohë që praktikat në Kuvendin tonë nuk kanë shkuar mirë në zgjedhjen e këtyre”, tha Rexhepi.

Komisioni mbetet që të punoj në plotësimet dhe ndryshimet ligjore të kërkuara nga Sekretariati për Energji i Komisionit Evropian. Këto ndryshime pritet të dërgohen në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

***

Ministria e Integrimeve dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë ndarë bursa studimi për master, për 35 të rinj kosovarë. Ky është raundi i 10 i granteve nga skema e bursave “Celula e të Rinjve”, e cila implementohet nga Këshilli Britanik.

Për këtë raund kishin konkurruar numër rekord prej mbi 400 aplikantësh, mirëpo vetëm 35 prej tyre kanë pasur fatin të fitojnë këtë bursë. Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku i cili edhe vet në të kaluarën ka qenë përfitues i bursës për studim jashtë vendit, tha se për këtë të rinj, hapen shumë dyer në të ardhmen.

Përfaqësuesi i BE-së Samuel Zhbogar ndërkaq, tha se fitimi i bursave nga këta të rinj, përveç që është një arritje e madhe personale, njëkohësisht dëshmon se ata janë një aset i rëndësishëm për Kosovën.

Përfituesit e këtyre bursave nga e kaluara , sot mbajnë pozita të rëndësishme të ministrit, të sekretarit permanent, të drejtorëve, e pozita të tjera të larta në institucione të Kosovës.

***

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë hapur një panair me përfituesit e Programit të Granteve për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla e të Mesme (NMVM). Ndërmarrjet kanë përfituar grante në vlerë prej 4 milionë euro.

Qëllimi i kësaj ngjarje promovuese ishte që të paraqesë produktet lokale të përfituesve finalë – bizneseve, por edhe të promovojë rezultatet përfundimtare të të gjithë programit. Shefi i Operacioneve në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Kristof Shtok, u shpreh i kënaqur me përmbylljen e suksesshëm të programit.

“Ky program, i cili financohet nga BE dhe MTI, synon rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, rritjen e punësimit si dhe zëvendësimin e produkteve të importit… kam vizituar shumicën e këtyre ndërmarrjeve dhe kam qenë i impresionuar me suksesin që kanë arritur.”

Kurse zëvendësministri i Tregtisë e Industrisë, Avni Kastrati, tha se kompanitë përfituese kanë rritur kapacitetin e tyre.

“Bashkimi Evropian bashkë me MTI kanë investuar rreth 4 milionë euro të ndara në fondet e granteve në mbështetjen e NMVM. Kemi kënaqësinë që kompanitë përfituese të këtyre granteve të rrisin vrullshëm kapacitetet e tyre prodhuese duke rritur nivelin e eksportit dhe gjeneruar vende të reja të punës.”

Programi i Granteve për NMVM është financuar nga BE-ja dhe MTI-ja si dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim IOM.

***

Rreth 17 për qind e kompanive metal-punues eksportojnë prodhimet e tyre në tregje evropiane, por sfiduese për këtë sektor mbetet mungesa e fuqisë së kualifikuar të punëtorëve. Kështu u tha në tryezën me temë “Marrëveshja Stabilizim-Asociimit dhe kërkesat e tregut të BE-së për sektorin metal-punues”, të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, potencoi rëndësinë e nënshkrimit të MSA-së, mirëpo ajo tha se duhet me qenë të vetëdijshëm të gjithë që tregu i bashkimit evropian ka kushte dhe standarde të cilat duhet të plotësohen.

“Tani, sektori i metal-përpunuesve ka një histori në Kosovë, është i koncentruar kryesisht në një numër të kompanive të cilat mund të quhen të mëdha nëse krahasohen me kompani të tjera, ka një historik dhe është i bazuar kryesisht në metalet bazë. 17 % e këtyre kompanive eksportojnë kurse pjesa tjetër janë kompani të vogla të cilat komplet tregun e kanë brenda Kosovës”, tha ministrja Bajrami.

Mirëpo, sipas saj ky sektor ka disa sfida dhe barriera për të cilat MTI po angazhohet t’i adresojë së bashku me metal-përpunuesit. Një nga problemet, sipas Bajramit, është sfida e fuqisë së kualifikuar të punëtoreve dhe një sfidë tjetër është diversifikimi i produkteve. Kurse, Rudjer Friganovic, ekspert nga Kroacia, tha se tregu i BE-së ka kushte dhe standarde dhe se ato duhet të plotësohen nëse dëshirojnë të hyjnë me këtë treg

“Standardet janë rregulla të BE-së dhe bizneset duhet t’i përmbushin këto standarde për të pasur qasje në tregun evropian. Dhe nëse nuk përmbushën këto kritere atëherë nuk do të jeni të suksesshëm në biznes”, tha Friganoviq.

Monika Margilaj, nga kompania “Leli” në Prizren, tha se janë përpunues të metaleve të zinkut, bakrit, çelikut dhe plumbit. Kjo kompani me rreth 100 % të prodhimit të tyre eksporton në tregjet e bashkimit evropian, por ka hasur në barriera me shtetin e Greqisë.

***

Sektori i tekstilit në Kosovë ka potencial, por duhet të konsolidohet edhe më tutje. 10 për qind të ndërmarrjeve të tilla kanë filluar të eksportojnë mallrat në vendet e BE-së, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në tryezën ku u diskutua diskutua për mundësitë e shfrytëzimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit për rritje të eksportit, në kuadër të sektorit të tekstilit, veshmbathjeve, lëkurës dhe këpucëve.

Duke prezantuar përvojat e Kroacisë dhe kërkesat e tregut të BE-së, eksperti nga Kroacia, Ivo Radkovich, tha se tregu i BE është i gjerë, andaj duhet që fillimisht legjislacioni i Qeverisë së Kosovës, të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Në këtë diskutim, u tha se Ministria e Tregtisë është duke punuar në projektin, i cili do t’i përgatisë bizneset për tregjet e BE-së.

***

Kryeministri Isa Mustafa zhvilloi takim me kreun e komunës së Graçanicës Vladeta Kostiç. Kryetari Kostic tha ta realizimi i projekteve që ndihmojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve është i vështirë për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm.

Kryeministri Isa Mustafa premtoi investime në infrastrukturë, përkatësisht në ndërtimin e një rruge e cila e anashkalon qendrën e Graçanicës dhe lidhet direkt me Gjilanin. Mustafa po ashtu tha se do të ketë ndërhyrje në buxhetin e dedikuar për Komunat.

***

Ministria e Financave organizoi diskutimin e dytë publik me palët e interesit dhe donatorët për bashkimin e ATK-së dhe Doganës në një agjenci të vetme tatimore. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi se gjatë kësaj periudhe që nga diskutimi i parë janë zhvilluar takime të shumta me palët e interesit për të dhënë kontributin e tyre për ta kompletuar këtë ligj.

Ndërsa kryesuesi i Grupit koordinues për bashkimin e Doganës dhe ATK-së, Ekrem Hysenaj, tha se për ta përfunduar një ligj të tillë, i cili ka për qëllim krijimin e një agjencie të vetme të të hyrave, është dashur të zhvillohen aktivitete të shumta me të gjitha palët e interesit.

Ligji për ATDK-ën do të fillojë së zbatuari në janar të vitit 2017, ligj me të cilin themelohet Agjencia e të Hyrave e Kosovës.

***

Në kuadër të projektit ndërkombëtar informativ të Bashkimit Evropian (BE) “Mishi cilësor, i sigurt i shpendëve me prejardhje nga BE” drejtuesit e kompanisë “Perutnina” në Ptuj paralajmëruan rritje të sasisë së produkteve të tyre në Kosovë e rajon.

Bëhet fjalë për një projekt që Bashkimi Evropian dhe Sllovenia kryejnë me një seri aktivitetesh për t’i prezantuar vendeve të Evropës juglindore përparësitë e mishit kualitativ të pulave, që prodhohen sipas standardeve të BE-së. Menaxheri kryesor i shitjes për Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, Albert Krasniq, njoftoi se Perutnina ka disa fabrika të prodhimit:

Kurse Brigita Vindish Zelenko, menaxhere e shërbimeve të cilësisë, potencoi se grupacioni posedon shërbime të brendshme si dhe të jashtme të kontrollit të kualitetit. Ajo numëroi standardet të cilat i posedon kompania, në mes të cilave Iso, HCCP, Hallall si dhe standardin e zinxhirit të ushqimeve Mc Donalds. Këto komente u bënë gjatë vizitës së një grupi të gazetarëve nga Kosova në fabrikën “Perutnina” në Ptuj të Sllovenisë

 

 

Artikulli paraprakKina i frikësohet daljes së Britanisë nga BE-ja
Artikulli tjetërPër tre muaj u shuan 727 biznese