Për çdo mysliman që merret me shitblerje është farz të mësojë këtë dituri, sepse
“Të mësuarit (dituri) është farz për çdo mysliman.”
Për myslimanin është farz të mësojë diturinë që atij i nevojitet. Ai që merret me shitblerje sigurisht që ka nevojë për diturinë e tregtisë.
Kur i mëson çështjet në lidhje me tregtinë, atëherë i njeh këmbimet me telashe dhe largohet prej tyre. Mund të ndodh që nuk i di detajet e ndonjë çështje të rrallë, e edhe ato i mëson duke pyetur.
Por nëse nuk i posedon njohuritë e përgjithshme për çështjet kryesore, atij nuk i bie ndër mend të pyes për detaje të tilla, e as nuk di çka të pyes.
Kush thotë:
– Nuk dua të mësoj para kohe; do të kërkoj zgjidhje kur të lajmërohet problemi”, e pyesim:
– Si do ta dish se është lajmëruar problemi, kur nuk i njeh çështjet kryesore të tregtisë?”
I tilli vazhdon me të veten, duke e konsideruar të drejtë e të lejuar.
Për këtë arsye Omeri r.a., kur vizitoi pazarin, i goditi me shkop disa tregtarë, duke thënë: “Në pazarin tonë shitblerje le të bëjnë vetëm ata që i njohin mirë rregullat e shitblerjes, përndryshe do ta ‘hani’ kamatën, me apo pa vetëdije!”
Njohuritë rreth tregtisë janë të shumta, mirëpo tregtarit domosdo i duhen njohuritë për këto gjashtë çështje: për shitblerje (bej), kamatë (riba), selem (pagesa e parakohshme), qira (ixhare), kirad (tregtia me kapital të huaj, me hise në fitim) dhe ndërmarrje.
Tani t’i sqarojmë kushtet e tyre:
Marrëveshja e parë
MARRËVESHJA PËR SHITBLERJE
Allahu Teala e ka bërë shitblerjen hallall, e kamatën e ka bërë haram.
Ekzistojnë tri kushte për korrektësinë e marrëveshjes në shitblerje:
1. Marrëveshja mes shitësit dhe blerësit;
2. Përmbajtja e marrëveshjes;
3. Vërtetimi i marrëveshjes.
Kushti i parë: marrëveshja mes shitësit dhe blerësit.
Tregtari nuk duhet të bëjë marrëveshje për shitblerje me të miturin, me të çmendurin, me skllavin dhe me të verbrin.
I mituri është pa përgjegjësi, e njëjtë edhe i çmenduri. Marrëveshja për shitblerje me ta është e pavlefshme. Sipas Hanefive, nëse shitblerja bëhet nga i mituri që është në
gjendje të dallojë fitimin dhe dëmin, korrektësia e kësaj shitblerje është e lidhur me lejen e babait të tij. Nëse babai i tij lejon, shitblerja është e drejtë. Nëse babai i ka dhënë leje atij
më parë, edhe marrëvëshja me tregtarin për shitblerje është e pranueshme.
Imam Shafiu mendon se me të miturin nuk duhet bërë marrëveshje për tregti, edhe nëse
babai (kujdestari) i tij e lejon. Çkado që të merr prej tyre, do të duhet ta kompenzojë, por çkado që ju jep miturit dhe çmendurit, e ajo humbet a shkatërrohet në duart e tyre, tregtari vet e mban përgjegjësinë.
Marrëveshja me një skllav të kuptueshëm është e vlefshme vetëm me lejimin e pronarit të tij, në të kundërtën nuk është e vlefshme. Për këtë arsye pemëshitësi, bukëpjekësi, kasapi e të tjerë nuk tregtojnë me skllavë, derisa pronarët e tyre ta lejojnë këtë, dhe kjo ashtu që tregtari e dëgjon vet dhënien e lejes direkt nga pronari i skllavit, ose është gjerësisht e njohur në atë vend se filan skllavi e ka lejen për shitblerje në emër të pronarit të tij, prandaj tregtari do të mbështetet në këtë, ose në fjalën e ndonjë njeriu të drejtë, që do ta informonte për të.
Nëse skllavi nuk e ka lejen e pronarit e tregtari bën shitblerje me të, kjo shitblerje nuk është valide.
Në atë rast tregtari do të ishte i obliguar t’ia kthejë pronarit mallin që e ka marrë nga skllavi, përderisa për mallin që i ka dhënë skllavit, e ai mall të dëmtohet a humbet, nuk do të mund ta kërkojë kompenzim, as nga skllavi e as nga pronari. I mbetet vetëm mundësia që mallin ta kërkojë nga skllavi në rast se ky bëhet njeri i lirë.
E sa i përket të verbërit: i verbri mund të shesë e blejë mallin që nuk e sheh, por një shitblerje e tillë nuk është valide. Të verbrit do t’i kërkohet t’i japë autorizimin dikujt që sheh, e që në emër të të verbrit do të bënte tregti. Tregtia me të verbrin pa prezencën e personit të autorizuar nga i verbri, është e pavlefshme. Tregtari do të duhet ta kthente atë që e ka marrë dhe atë që ia ka dhënë të verbrit, në vlerë të njëjtë.
Sipas Imam Ebu Hanifes, Imam Malikut dhe Imam Ahmedit, nëse të verbrit i tregohet si duhet cilësia e mallit, shitblerja është e vlefshme.
Marrëveshja e tregtisë me jobesimtar është valide, por jobesimtarit që nuk jeton mes
myslimanëve nuk duhet t’i shitet mus’hafi, skllavi mysliman dhe armët. Nëse tregtari megjithatë do ta bënte këtë, një marrëveshje e tillë konsiderohet e papranueshme dhe tregtari është gjynahqar.
Sa u përket ushtarëve turq, turkmenë, arabë e kurdë, pastaj hajnave, mashtruesve, fajdexhinjëve e dhunuesve, si edhe të gjithëve, shumica e mallit e të cilëve është haram, nga ta nuk duhet marrë asgjë, sepse bëhet fjalë për haram, përpos nëse tregtari e di
sigurtë për diçka të caktuar që e merr nga ta, se nuk është haram. Për këtë do të ketë më shumë fjalë në Librin për hallallin dhe haramin.
Kushti i dytë: përmbajtja e marrëveshjes.
Ky është malli që shitet e blehet, qoftë të jetë shitje me para ose shkëmbin për baraz-vlerën e mallit. Edhe në këtë kërkohen gjashtë kushte:
1. Malli të mos të jetë i papastër për nga natyra.
Prandaj nuk është e drejtë të shitet:
a. Qeni (Imam Ebu Hanife e lejon shitblerjen e qenit, mosmarrëveshja është për qentë e egër/agresivë.)
b. Derri (Edhe shitblerja e qimes së derrit për qepje të këpucës është e lejuar.)
c. Bërllogu,
d. Jashtëqitja,
e. Bajga e kafshës (sipas Imam Hanefisë, shitblerja e bajgës është e lejuar nëse nga ajo përfitohet në prodhim.),
f. Ashti dhe fildishi , si dhe enë të bëra prej saj; ashti i kafshës së ngordhur është i papastër. Elefanti, edhe po të therrej sipas rregullave, nuk mund të jetë i pastër, e me vdekje papastërtia kalon edhe në eshtra. Me larje, papastërtia nuk zhduket.
(Sipas Hanefive ashti dhe dhëmbët e parë të elefantit -fildishi është i pastër, dhe me përpunimin e lëkurës (regjja e lëkurës), edhe lëkura pastrohet.)
Edhe shitja e alkoolit është e papranueshme, si edhe yndyra e papastër e kafshëve që nuk i hamë, ani pse ajo yndyrë është e mirë për ndriçim ose për lyerje të anijes.
E pranueshme është të shitet vaji i cili sipas natyrës është i pastër, por është bërë i papastër pasi në të ka rënë ndonjë ndytësi, apo ka ngordhur ndonjë mi në të. Vaji i këtillë nuk mund të përdoret për ushqim, por mund të përdoret për qëllime tjetra, sepse ai nuk është i papastër në natyrën e vet.
Nuk e konsideroj gjynah të shiten vezët e krimbit të mëndafshit, sepse nga to dalin kafshë të dobishme. Është më e drejtë t’i krahasojmë ato me vezët e pulës.
Është e lejuar të shitet lëvozhga e miskut, nëse është marrë deri sa gazela ka qenë ende gjallë. (Misku në këtë rast është aromë e mirë, që del nga gjëndra nën lëkurë në pjesën e
barkut të gazelës mashkull që jeton në malet e Azisë)
2. Malli të jetë fitimprues.
Nuk lejohet shitja e insekteve, minjëve apo gjarprinjëve, pa marrë parasysh që ato i përdorin magjistarët dhe argëtuesit e rrugëve duke i joshur me muzikë nga shportat e duke bërë shfaqje.
Është e lejuar të shiten macet, bletët, macja e egër ose luani, si edhe kafshët që mund të përdoren në gjueti, ose që mund t’u përdoret lëkura, e lejohet edhe shitja e elefantit, për transport.
Lejohet edhe shitja e papagajve, palloit, dhe shpezëve tjerë me pupla të bukura, sepse kënaqja me zërin dhe dukjen e tyre është mubah.
Nuk është e lejuar të mbahet qeni me qëllim që të kënaqemi me paraqitjen e tij, sepse këtë e ka ndaluar Resulallahu s.a.v.s. [Buhariu dhe Muslimi, nga Ibn Omeri r.a.:
“Kush mbanë qen tjetër pos për çobani ose gjueti, vepra e tij do të zvogëlohet për çdo ditë nga dy kiratë (një kirat ka peshën e malit Uhud).”]
Nuk lejohet shitja e udit, gajdes, fyellit dhe instrumenteve tjera muzikore, sepse sipas sheriatit, nga to nuk ka dobi.
Njëjtë është me figurat e punuara nga argjila, siç janë figurat që u shiten si lodra
fëmijëve gjatë festave – këto duhet të thehen.
Lejohet të shiten vizatime në letër me lule ose pamje me drunjë, lejohen edhe rrobat dhe enët në të cilat janë vizatuar kafshë, e njëjtë edhe për perde e paravanë. Për një copë të tillë, Resulallahu s.a.v.s., i tha Ajshes r.anha:
“Bëj jastëkë prej saj.” [Buhariu dhe Muslimi, nga Ajsha r.anha]
3. Malli në shitje të jetë në pronësi të palës në marrëveshje, ose të posedohet leje nga pronari.
Nuk duhet blerë nga ai që nuk posedon lejen e pronarit, por duhet pritur leja (e pronarit). Nëse bëhët shitja, kjo shitje është e papranueshme. Bile, edhe nëse pronari më pas pajtohet me të, shitja duhet përsëritur.
Nuk duhet blerë duke supozuar miratimin e tjetrit: nga gruaja mallin e burrit të saj, e as nga burri mallin e gruas së tij, nga prindi nuk duhet blerë mallin e fëmijëve të tyre, e as nga fëmijët mallin e prindërve të tyre.
Që shitblerja të jetë e vlefshme, fillimisht duhet pajtuar për atë. Njëjtë është edhe për shitblerjen në pazare, prandaj ai që kujdeset për besimin e vet, do të duhej të jetë i vëmendshëm.
4. Dorëzimi i mallit që shitet duhet të jetë i mundshëm, edhe fizikisht edhe sipas sheriatit.
Nuk është e drejtë të shitet ajo që fizikisht nuk është e mundur të dorëzohet. Për shembull, skllavi i arratisur: edhe pse sipas sheriatit ai është mall i pronarit të vet, fizikisht nuk është malli i tij.
Meqenëse dorëzimi i mallit (skllavit) nuk është i mundur deri sa skllavi është në arrati, shitblerja nuk është e drejtë.
Nuk është e pranueshme as shitblerja e peshkut në ujë, shpendit në ajër, këlyshit në bark, farës së mashkullit, leshit të paqethur dhe qumështit në gji.
Nuk është e pranueshme të shitet as ajo që nuk mund të dorëzohet sipas sheriatit, siç është hipoteka, vakëfi dhe skllavja shtatzënë nga pronari, sepse do të lirohet.
Nuk është e pranueshme të shitet as nëna skllave që ka fëmijë të vogël, e të shitet pa fëmijën e saj, ose fëmija pa nënë, ndarja e tyre është haram.
5. Mallit në shitje t’i përcaktohet veçoria, sasia dhe cilësia.
Përcaktimi i veçorisë nënkupton që shitësi të tregojë saktë se cilin mall po e shet. Pra, kur thotë:
“po të shes dele”, duhet të tregojë delen, ose nëse shet rroba, duhet të tregojë rrobën që shitet.
Nëse shitësi thotë: “Po të shes cilën do dele nga kjo tufë dhenësh”, ose “një komplet nga rrobat që i ke përpara” ose “një copë të kësaj pëlhure” ose “dhjetë metra katror të kësaj toke”, një shitblerje e tillë nuk do të ishte e lejuar sepse përcaktimi është kusht. Ashtu veprojnë ata që nuk janë të vëmendshëm për fenë e tyre. (Sipas Imam Ebu Hanifesë, shitjet e tilla janë të pranueshme.)
Përjashtim bën rasti kur shitet një pjesë e përcaktuar e një tërësie të njohur, sikur kur shitet gjysma e diçkaje apo një e dhjeta pjesë e saj; atëherë shitblerja lejohet.
Përcaktimi i sasisë bëhet me matje, peshim ose me shikim. Nëse shitësi thotë: “po t’i shes këto rroba për çmim të njëjtë me të cilin edhe filani i ka shitur rrobat e tij”, e as shitësi as blerësi nuk e dinë se çfarë çmimi kanë qenë ato rroba, një shitblerje e tillë nuk lejohet.
Edhe nëse do të thoshte: “po të shes këtë mall, në peshë të njëjtë të kësaj mase” e pesha e asaj mase nuk dihet, as kjo shitje nuk do të ishte e lejuar.
Edhe nëse thotë: “po të shes këtë grumbull grurë”, nuk do të ishte shitje e lejuar.
Por nëse thotë: “po të shes këtë mall për para”, ose ‘”…për këtë copë ari”, e blerësi e sheh copën e arit dhe sasinë, atëherë shitblerja do të ishte e lejuar, sepse vlerësimi përmes shikimit do t’i mjaftonte në përcaktimin e vlerës.
Përcaktimi i cilësisë bëhet edhe përmes shikimit të mallit që blehet. Nuk lejohet shitja e mallit që nuk shihet në vendin ku bëhet shitblerja, pos nëse është parë para aq kohe sa nuk ka mundur t’i ndodhë ndonjë ndryshim i rëndësishëm.
Përshkrimi i mallit nuk mund të zëvendësojë të shikuarit e tij. Nuk lejohet shitja e pëlhurës vetëm në bazë të sasisë e pëlhura është ende duke u thurur, e as i drithit që është ende në arë. (Sipas Imam Hanefisë, kur drithi piqet e bëhet grurë, shitja është e pranueshme. Edhe Imam Shafiu është i të njëjtit mendim.)
Orizi duhet shitur në lëvozhgën e vet, ku edhe ruhet. Njëjtë vlenë edhe për shitjen e arrave dhe bademit me lëvozhgën e poshtme, por jo edhe me të dy pjesët e lëvozhgës. Shitja e bizeles së freskët me të dy pjesët e lëvozhgës është e lejuar, nëse për këtë ekziston nevoja.
Lejohet edhe shitja e lëngut të rrushit në shishe të mbyllur. Sepse kur hapet shishja, ekziston rreziku që lëngu i rrushit të prishet. Kjo është si shitja e shegës, që shitet vetëm me copë dhe, jo të hapura.
Por edhe për këtë ka tolerancë. E nëse dikush e blenë (lëngun e rrushit) me qëllim që ta shes tutje, kjo nuk do të ishte e drejtë.
6. Malli i shitur duhet të dorëzohet.
Ky është kusht i veçantë sepse:
“Resulallahu s.a.v.s., na ka ndaluar shitjen e asaj që nuk është dorëzuar.”[Buhariu dhe Muslimi, nga Ibn Abbass]. Do të thotë: malli i shitur që nuk i është dorëzuar blerësit, nuk mund t’i shitet tjetrit.
Kjo vlenë edhe për pasurinë e luajtshme, edhe për patundshmëritë. Pa dorëzimin e mallit,
marrëveshja në princip nuk është valide. Pasuria e luajtshme merret me dorëzim, kurse patundshmëria me lirimin e saj dhe vendosjen në dispozicion të saj për pronarin e ri. Edhe malli që matet, ose që shitet me copë, dorëzohet pas matjes (ose numërimit).
Blerja e pronës së trashëguar, amanetit dhe pronës nga depozita, si edhe pronës që nuk është marrë në pronësi përmes pagesës, lejohet, edhe para marrjes së saj.
Kushti i tretë: vërtetimi i marrëveshjes, do të thotë fjala që garanton shitjen.
Duhet së bashku të thonë “po e shes” dhe “po e pranoj.” Pikërisht kështu, duhet të shprehet me fjalë të qarta ose me shenjë që nënkupton qëllimin e njëjtë.
Nëse thotë: “të jap këtë” në vend të: “po të shes” dhe pala tjetër thotë: “pranoj!”, shitblerja do të ishte e vlefshme vetëm nëse të dy palët me këtë nënkuptojnë shitjen, sepse një shprehje e tillë mund të nënkuptojë edhe mundësinë e dhënies në hua.
Shprehja haptas dhe e qartë e qëllimit largon mosmarrëveshjen në mënyrë më të sigurt. Por, sipas marrëveshjes, edhe me aluzion mund të tregohet prona e shitur dhe ligjshmëria e asaj shitje.
Nuk është e drejtë që të shtohet më vonë ndonjë kusht, që nuk do të përshtatej me detajet e marrëveshjes. Nëse për shembull, blerësi do të kushtëzonte që mallit të blerë t’i shtohet edhe diçka, ose që malli i blerë t’i dorëzohet në shtëpi, kjo do ta anulonte marrëveshjen, përpos nëse më parë nuk ka caktuar edhe një shumë për bartje, krahas shumës për mallin.
Nëse mes shitësit dhe blerësit nuk ka asnjë shkëmbim fjalësh, e shitblerja bëhet vetëm me
dhënie dhe marrje, një shitblerje të tillë sipas Imam Shafiut nuk konsiderohet e lejuar. Për Ebu Hanifen kjo mund të pranohet, nëse bëhet fjalë për gjëra që kanë vlerë të vogël.
Megjithatë, është shumë e vështirë të përcaktohet se cilat janë ato gjëra.
Nëse shikojmë se si e trajtojnë këtë çështje traditat, shohim se njerëzit këtë kryesisht e pranojnë si të lejuar.
Shembull: ndërmjetësi në shitje shkon te shitësi i basmasë, merr nga ai rrobat e mëndafshit, vlera e të cilave është, themi – dhjetë dinarë, dhe ia dërgon ato
rroba myshteriut.
Myshteriu pajtohet dhe ia jep ndërmjetësit dhjetë dinarë. Ky i merr paratë nga
myshteriu, ia dërgon shitësit, e ky i merr dhe tash janë të tij. Myshteriu pra bleu rroba, e në mes të shitësit e blerësit nuk kishte asnjë shkëmbim fjalësh.
Ose për shembull, në ankand ku tregohet malli që ka vlerë, themi – njëqind dinarë, dhe garimi fillon.
Njëri ofron nëntëdhjetë dinarë, tjetri nëntëdhjetë e pesë, i treti njëqind, dhe mallin e blen personi që jep njëqind dinarë, e edhe kjo është pa ofertë dhe pranim mes pronarit të mallit dhe blerësit. Njerëzit kanë vazhduar të veprojnë kështu, sipas traditës.
Problemet e këtilla janë si sëmundja kronike që nuk pranon ilaç. E në këtë çështje ka tri mundësi:
Mundësia e parë: të hapet dera e shitjes dhe blerjes pa asnjë fjalë goje, pa ndërmjetësues – si për gjëra që kanë pak vlerë, si për gjëra të shtrenjta – e kjo është e pamundur, sepse kjo do të ishte kalim i pronësisë prej njërit te tjetri pa asnjë fjalë që e tregon dhe dëshmon këtë kalim pronësie.
Allahu Teala e ka bërë hallall shitblerjen, e shitblerja përbëhet prej ofertës dhe pranimit (të asaj oferte).
Nëse nuk është folur për ofertën dhe pranimin, kësaj nuk i thuhet shitblerje. Si mundet që, pa asnjë fjalë, pasuria e një personi, skllavi i tij, shtëpia, kali e gjëra rreth të cilave shpesh ka mosmarrëveshje, të kalojë te tjetri?
Personi që e dorëzon mallin e vet pa asnjë fjalë, ka të drejtë ta ndërrojë mendjen më vonë e të thotë:
“Jam bërë pishman! Zaten shitje nuk bëra, asgjë nuk thash, e dorëzova mallin dhe tani po e marr; kjo nuk ishte shitje.”
Mundësia e dytë: të mbyllet dera e shitjes dhe blerjes me dorëzim dhe pranim – si për gjëra që kanë pak vlerë, si për gjëra të shtrenjta, duke e zbatuar strikt qëndrimin e Imam Shafiut që një shitblerje e tillë nuk lejohet.
Por, edhe këtu ka vështirësi nga dy drejtime:
E para, tradita e shitblerjes pa ofertë e pranim të shprehur për gjëra me vlerë të vogël është e pranishme qysh nga kohët e as’habëve. Sikur ata të kushtëzonin në atë kohë blerjen e ushqimit, ose blerjet në furrë e mishtore me marrëveshje, kjo do t’ju vështirësonte punët. Po të kishte një kushtëzim të tillë, kjo do të na ishte e njohur, dhe do ta dinim edhe kur kanë hequr dorë nga një praktikë e tillë. Por kjo gjendje ndryshoi me kohë.
E dyta: njerëzit tashmë janë adaptuar plotësisht në këtë. Kushdo që blenë ushqim dhe gjëra të ngjashme të nevojshme, është i vetëdijshëm që shitësi atë lloj malli e shet me mënyrën e dhënies-marrjes, ashtu që, në këtë situatë, çfarë dobie kanë fjalët?
Mundësia e tretë është që malli të klasifikohet në dy kategori: ‘Më pak të vlefshme’ dhe ‘Të tjerat’, sipas qëndrimit të Ebu Hanifes.
Në atë rast do të ishte shumë e vështirë të precizohet se cili mall është më pak i vlefshëm, e mbetet edhe problemi i definimit të mënyrës së kalimit të mallit në pronësi të tjetrit, pa fjalë, siç u shpjegua.
Ibn Surejxh e ka pranuar qëndrimin e Shafiut, duke e konsideruar si më të matur, e më pas edhe pohon se nuk do të gabonim nëse, në rast nevoje, edhe ne anojmë kah kjo anë, ashtu siç më së shpeshti veprojnë njerëzit, ose siç ka qenë qëndrimi më herët.
Ndërsa përgjigja për dy problemet nga mundësia e dytë është kjo:
a) Nuk është obligim i joni, e as mundësitë nuk na lejojnë, që të bëjmë ndarje precize të mallrave më pak të vlefshme nga të tjerat.
Këtu i kemi të qarta dy segmente:
E para, dihet haptas se sasia më e vogël e perimeve, pemëve, bukës dhe ushqimit, e cila blehet për çdo ditë, konsiderohet si mall më pak i vlefshëm.
Një shitblerje e tillë bëhet pa ofertë dhe pranim.
Atë që pret ofertë dhe pranim nga ky lloj i tregtisë do ta konsideronin cikërrimtar, dhe vet një blerje e tillë do të ishte vështirë e realizuar. Ky segment është i qartë.
E dyta: mallërat si kafshët, skllavët, patundshmëritë dhe rrobat e shtrenjta konsiderohen
mall tek të cilat kërkimi i ofertës dhe pranimit nuk paraqet ndonjë ngarkesë të veçantë. Është e qartë që çdokush e blen këtë mall me ofertë dhe pranim.
Megjithatë, mes këtyre dyjave, ka edhe mallra që në këtë aspekt llogariten si të padefinuara ose të paqarta. Këtu, besimtari është i obliguar të jetë veçanërisht i kujdesshëm, sepse, me sheriat, edhe gjërat që bazohen në traditë ndahen në të lejuara e të ndaluara, si edhe të dyshimtat, mes tyre.
b) Problemi i dytë është kur, sebep për kalimin e pronës së njërit te tjetri kërkohet fjala e gojës. Ne, në vend kësaj mund të pranojmë sebep pranimdorëzimin fizik.
Në fakt, fjala e thënë nuk është sebep në vetvete, por bëhet sebep meqenëse është
shpjeguese. Ndërsa pranim-dorëzimi është sebepi më i fuqishëm që në një mënyrë, vazhdimisht e shpjegon qëllimin.
Dëshmia më e qartë e kësaj është nevoja e domosdoshme, zakonet e paraardhësve si edhe
tradita e vazhdueshme e marrjes së dhuratave, pa ofertë dhe pranim; sepse përcaktimi i vlerës në atë rast nuk bën ndonjë dallim. Megjithatë, edhe në bartje të dhuratës nevojitet dorëzimi i pronës.
Paraardhësit e kanë konsideruar sjellje të pahijshme kërkimin e ofertës dhe pranimit për
dhuratë, pa marrë parasysh a është dhurata më pak e vlefshme apo e shtrenjtë. Por, në shitblerje për gjëra të shtrenjta, ofertën dhe pranimin e kanë konsideruar sjellje të hijshme.
E nga tri mundësitë që i shpjeguam, mendojmë se kjo është më e drejta.
Njeriu i ndershëm dhe besimtar që largohet nga harami nuk duhet të braktisë plotësisht ofertën dhe pranimin për të shpëtuar nga dyshimi, për mallin për të cilin nuk ka pajtim se a është me vlerë të vogël apo i shtrenjtë.
Nuk duhet ngurruar prej kësaj, për shembull, në situatën kur nuk dihet se si shitësi ka ardhë në pronësi të ndonjë malli: a e ka marrë pa ofertë e pranim të saj, ose me to. E nëse myshteriu ka qenë prezent në blerjen e atij malli, ose shitësi i mëhershëm i mallit qartas thotë: “unë ia shita mallin këtij pa ofertë dhe pranim”, atëherë myshteriu duhet të braktisë këtë shitës dhe të shkoj te tjetri.
Nëse bëhet fjalë për mall më pak të vlefshëm i cili nevojitet domosdo, e që të evitojë zënkën e mundshme në këtë, le ta aplikojë ofertën dhe pranimin, pasi që përgënjeshtrimi i fjalëve të qarta është i pamundur, kurse përgënjeshtrimi i aktit që nuk është përcjellur me fjalë të tilla, është i mundur.
Në rast se ti e parashtron pyetjen: “Nëse kjo mund të ndodhë gjatë blerjes së ndonjë malli, çfarë të bëjë njeriu kur është prezent në ndonjë sofër, dhe e di – ka dëgjuar ose vet e ka parë se nikoqiri, gjatë blerjes së ushqimit është limituar vetëm në marrëveshje joformale – a duhet hezituar nga ngrënia e ushqimit të siguruar në atë mënyrë?”, unë do të përgjigjesha: Ky mysafiri në sofër është i obliguar që të mos blejë prej tyre mallin e vlefshëm në atë mënyrë, por nuk është i obliguar që të hezitojë të hajë tek ta. Unë vetëm dua të them se, fakti që jemi të pavendosur të veprojmë diçka nuk duhet të jetë arsye që të dyshojmë lejueshmërinë e atij akti.
Çështja e lejueshmërisë është shumë më e gjerë se sa çështja e bazës për ndërrim të pronësisë. Prandaj, për secilin ushqim për të cilin është e zakonshme që të shitet me marrëveshje joformale, dorëzimi nga ana e shitësit njëkohësisht është edhe leje që ai ushqim mund të hahet.
Këtë e kuptojmë duke i krahasuar situatat. Kjo është si leja e hamamxhiut për hyrje në hamam. Prandaj, myshteriu mundet që me atë ushqim të ushqejë edhe tjetrin, sipas dëshirës.
Kjo leje është në nivel të deklarimit të shitësit: “po të lejoj që këtë ushqim ta hash ti, dhe që me të të ushqesh kë të duash, sepse e ke hallall.”
Megjithatë, sikur shitësi haptas të thotë: “ti mund ta hash këtë ushqim, por je i obliguar që më vonë të më japësh kundërvlerën”, ai ushqim lejohet për t’u ngrënë, por qëndron edhe obligimi për të dhënë kundërvlerën e tij.
Sipas mendimit tim, kjo është analogji e fikh-ut: Pas marrëveshjes joformale, dikush e ka ‘ngrënë’ pronën e tjetrit dhe e ka harxhuar. Është i obliguar dhe e ka për detyrë, që këtë ta kompenzojë. Nëse e jep kundërvlerën e duhur, atëherë ai që kërkon kompenzim ka marrë atë që i takon, prandaj e drejta e pronësisë mund të kalohet, nëse pronari i mëhershëm nuk ka mundësi që ta kërkojë pronësinë prapë.
E nëse e ka mundësinë, atëherë nuk ka bartje të pronësisë, sepse ai, ndoshta, nuk pranon që borxhi ashtu të paguhet. Atëherë është obligim të përsëritet procesi. Në rastin për të cilin ne po flasim, ky e pranon obligimin, prandaj është e logjikshme që akti (i ngrënies) të merret si dëshmi e pranimit se borxhi do të kompenzohet, dhe që ky ta pranojë këtë si e drejtë e tij.
Gjendja e shitësit këtu është më e paqartë. Ai që është pronar i mallit, e dëshiron mallin në dispozicion. Nuk është e mundur të kalohet pronësia përderisa ushqimi te myshteriu nuk është hargjuar.
Pastaj, ndoshta do të nevojitet të përtrihet qëllimi i bartjes së pronësisë. Pos kësaj, ekziston edhe mundësia e bartjes së pronësisë me vet aktin, pa deklarimet e nevojshme.
Blerësi, si pala tjetër, vetëm dëshiron që ushqimin e blerë ta hajë. Atij kjo i është lejuar në bazë të krahasimit me situata të ngjashme.
Megjithatë, përmes bisedës, mund të ndodh që mysafiri të jetë i obliguar të kompenzojë atë që e ka harxhuar. Ky obligim hiqet nga ai në rast se shitësi pranon në pronësi të tij atë që merr nga myshteriu.
Kështu ai bëhet edhe personi që detyrohet me borxh, edhe personi që e paguan borxhin.
Ky është mendimi jonë sa i përket rregullave për marrëveshjen joformale, me gjithë komplikimet e saj, e Allahu Teala e di më së miri çka është e drejtë.
I kemi përmendur disa situata të supozuara në kuadër të të cilave është e mundur të merret fetva vetëm për këto. E sa i përket besimtarit, ai do të kërkojë përgjigjen në zemrën e vet, e do t’i ikë gjërave të dyshimta.
Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës sipas Imam Gazaliut
Vlera e fitimit në punë & biznes dhe nxitja për fitim sipas Imam Gazaliut
Burimi:
Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu