Pyetje: Nëse ndodh aksident me makinë, si duhet vlerësuar dëmi dhe kujt i takojnë të hollat që merren si kompensim për dëmin e shkaktuar?
Përgjigje:
Falënderimi i takon Allahut dhe paqja qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Në rastet e aksidenteve rrugore, personi që është fajtor duhet të mbajë përgjegjësi për dy gjëra:
- Riparimin e dëmit të shkaktuar.
- Kompensimin për humbjen në vlerë që pëson makina, domethënë dallimin ndërmjet vlerës së saj para dhe pas aksidentit.
Shejh Ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Çështja nuk ka të bëjë vetëm me pjesët rezervë, por edhe me humbjen në vlerë që pëson makina për shkak të goditjes. Kjo është diçka që shumë njerëz nuk e kuptojnë mirë. Por të gjithë e dinë dallimin në vlerë midis një makine të aksidentuar (edhe nëse është rregulluar) dhe një makine që nuk ka pasur aksident.”
Riparimi i dëmit është çështje e qartë, por mbetet për t’u sqaruar: si vlerësohet humbja në vlerën e makinës?
Pas aksidentit, dhe para se të riparohet makina, ekspertët e fushës ose organet
përkatëse bëjnë një vlerësim të gjendjes aktuale të saj.
Dallimi ndërmjet vlerës së makinës para aksidentit dhe vlerës së saj pas aksidentit (në gjendjen e dëmtuar) quhet vlera e humbur, dhe ky dëm është pjesë e të drejtave të pronarit.
Nëse ndodh një aksident rrugor dhe personi që ishte fajtor, apo kompania e sigurimeve, jep kompensim, i gjithë kompensimi është e drejtë e pronarit të makinës, sepse ai është meritor për dëmshpërblimin e dëmit që i është shkaktuar pronës së tij, dhe nuk ka kuptim që ndonjë tjetër qoftë mjeshtër apo i punësuar në kompaninë e sigurimeve të ketë pjesë në të.Allahu e di më së miri.
Përgatiti: Senad Ramadani / https://www.rizgjimi.com/











