Kompanitë e sigurimeve, përfituese nga tarifat e sigurimeve kufitare

Të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetet dhe koha e qëndrimit në Kosovë. Të gjitha mjetet shkojnë në kompani private.

Mbi 10 milionë euro llogaritet të jetë vlera e grumbulluar vitin e kaluar nga tarifat e sigurimeve kufitare në Kosovë, përderisa vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti vlera e këtyre tarifave ka arritur afër një milion euro. Këto shifra i bëjnë të ditura zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Të gjitha këto mjete grumbullohen në Byronë e Sigurimeve të Kosovës, e më pas ato shpërndahen tek kompanitë e sigurimeve, kurse nga shuma e grumbulluar vetëm Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar derdhet në Buxhetin e Kosovës.

Pagesa e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë është e obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Aty përfshihen edhe automjetet e mërgatës, diasporës së Kosovës.

Shuma e tarifave të sigurimeve kufitare të auto-përgjegjësisë ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një vit kap vlerën e sigurimit prej 205 eurosh. Këto tarifa janë dukshëm më të larta për autobusë dhe kamionë me mbi një ton.

Por, ajo që në vazhdimësi ishte pjesë e debateve ka të bëjë me grumbullimin e mjeteve të tarifave të sigurimit.

Njohës të fushës së sigurimeve japin vlerësime të ndryshme. Profesori në Universitetin e “Haxhi Zeka” në Pejë, Ibish Mazreku, pohon se kjo çështje është e rregulluar me bazë ligjore.

Mazreku, i cili për një kohë ka punuar në sektorin e sigurimeve në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, tregon se tarifat për çdo automjet me targa të huaja (përveç automjeteve të shteteve që Kosova ka marrëveshje mirëkuptimi) derdhen në një Fond të përbashkët që menaxhohet nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

“Byroja Kosovare e Sigurimit këtë punë e kryen në emër të të gjitha kompanive të sigurimeve. Dhe më pas mjetet ndahen në mënyrë proporcionale tek kompanitë e sigurimeve. Byroja e Sigurimeve mbulon të gjitha shpenzimet operative, paguan dëmet, etj. Do të thotë, e përfundon një lloj shërbimi në emër të kompanive të sigurimit. Ato (mjetet) nuk kanë mundësi të derdhen në buxhet, sepse ky është biznes privat”, ka thënë Mazreku.

Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga auto-përgjegjësia thuhet se Fondi i Kompensimit administrohet nga Byroja dhe ka për qëllim pagesën e dëmeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Me tone më kritike në këtë drejtim paraqitet kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai e konsideron sfidë për autoritetet kompetente këtë problem.

Mjetet e grumbulluara, sidomos nga tarifat e sigurimeve që në të shumtën e rasteve paguajnë qytetarët që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, menaxhohen nga grupe të caktuara të interesit. Gërxhaliu këtë dukuri e quan formë të plaçkës moderne.

“Është koha kur institucionet shtetërore të bëjnë më tepër. Në rend të parë të eliminohet një hap i tillë, kurse në rend të dytë të ketë transparencë dhe mbi të gjitha, ato para të jenë në funksion të zhvillimit dhe jo vetëm në interes të grupeve të caktuara të interesit”, thotë Gërxhaliu.

Ndërkohë, Nazmi Mustafa, rektor në Kolegjin e Menaxhmentit, mendon se një shumë e mjeteve të grumbulluara nga tarifat e sigurimeve duhet të derdhet në buxhetin e Kosovës.

“Unë mendoj se këtë çështje duhet ta rregullojë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe pasi është fjala për kufijtë shtetëror, ishte dashtë që një pjesë të shkojë në buxhetin e Kosovës. Duhet të rregullohet çfarë përqindje duhet të shkojë për shtet dhe sa për kompanitë e sigurimeve”, thekson Mustafa.

Arsyet për blerjen e këtij sigurimi janë se Republika e Kosovës nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, dhe si rrjedhojë, asnjë karton i gjelbër, i cilitdo shtet në botë, nuk vlen në Republikën e Kosovës, përveç Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë, shtete me të cilat Kosova ka nënshkruar memorandum të mirëkuptimit për njohje reciproke të sigurimeve.

Artikulli paraprakAKR kërkon debat publik për Trepçën
Artikulli tjetërHoti: Është momenti i fundit që të përfundoj fiskalizimi i të gjitha pikave të karburanteve