Një nga monedhat e fundit të arit në Shtetet e Bashkuara u shit të martën në New York për një shifër rekorde prej 18.9 milionë dollarësh.
Monedha jashtëzakonisht e rrallë e vitit 1933, “Shqiponja e Dyfishtë”, tani është më e shtrenjta që ka mundur të vendoset në ankand. Shuma e shitjes ishte gati dyfish më e lartë se rekordi i kaluar, shkruan CNN.
Në njërën anë, kjo monedhë ka të gdhendur trupin e një gruaje, fjalën Liberty (Liri) dhe vitin e prodhimin, ndërsa në anën tjetër ka një shqiponjë gjatë fluturimit. Edicioni i vitit 1933 i monedhës “Shqiponja e Dyfishtë” kurrë nuk kishte dalë në qarkullim dhe gati të gjitha monedhat i ishin kthyer qeverisë dhe ishin shkrirë.
Vetëm një numër i vogël i monedhave i shpëtuan këtij fati dhe një numër më i vogël u futën në treg. Megjithatë, më 1944, pas një hetimi të Shërbimit Sekret u deklarua se secila monedhë e këtij lloji që u gjendet koleksionistëve do të cilësohet si e vjedhur.Reklamë
Monedha që u shit të martën thuhet se është e vetmja që mund të mbahet ligjërisht në pronësi nga një individ privat, pas betejës ligjore mes Thesarit të Shteteve të Bashkuara dhe ish-pronarit të monedhës.