Kartoni i Gjelbërt- Emërohet drejtoreshë e dashura e djalit të Gani Thaçit

Mbi 100 milionë euro kanë përfituar kompanitë e sigurimeve nga mos anëtarësimi i Kosovës në Kartonin e Gjelbërt.

Byroja Kosovare e Sigurimeve është kritikuar në vazhdimësi për zvarritjen e procesit të aplikimit. Por, në vend të angazhimit për këtë çështje, drejtues të këtij institucioni janë mobilizuar për emërime të njerëzve të afërt.

Insajderi ka zbuluar se para dy muajsh, në qershor Gani Thaçi është emëruar në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKS-së. Ndërkaq dje, Edona Ahmeti e dashura e Kushtrimit Thaçit, djalit të Gani Thaçit, është emëruar në postin e drejtoreshës për Karton të Gjelbërt.

Departamentin më të rëndësishëm brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve do ta udhëheq një person i njohur për Gani Thaçin, vëllain e presidentit Hashim Thaçi, ka zbuluar Insajderi.

Gani Thaçi ushtron detyrën e drejtorit ekzekutiv të BKS-së ndërsa Edona Ahmeti është emëruar në pozitën e drejtoreshës së departamentit për Karton të Gjelbërt. Ahmeti është e dashura e Kushtrim Thaçit, djalit të Gani Thaçit që drejton BKS-në.

Është emëruar në këtë post dje, më 11 gusht, nga Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Përgjegjësit e saj përfshijnë detyrat prej më rëndësishmëve dhe më të ndjeshmeve brenda industrisë së sigurimeve.

Nisin që nga implementimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit për polisat kufitare me vendet e rajonit e deri tek përgatitja e Kosovës për anëtarësim në këshillin ndërkombtarë të Byrove, përkatësisht pajisjen me Karton të Gjelbërt.

Qindra miliona euro kanë përfituar kompanitë e sigurimeve nën arsyetimin se Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbërt.

Nga viti 2002 e deri më 2015 kanë mbledhur rreth 130 miliona nga tarifat e sigurimit kufitar. Këto pagesa janë inkasuar kryesisht nga mërgimtarët që vijnë në Kosovë, gjatë pushimeve.

Industria e sigurimeve ka arsyetuar tarifat e larta të sigurimit kufitar me faktin s’obligohen të paguajnë dëmet eventuale për shkak se Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbërt.

Por, shuma e dëmeve është shumëfish më e ulët. Vetëm 10 milionë e 300 mijë euro janë paguar për kompensimin e dëmeve nga kompanitë e sigurimeve, bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore.

Gani Thaçi: Nuk jam në dijeni për këtë emërim

Insajderi ka kontaktuar Gani Thaçin, ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Ai është emëruar në këtë detyrë më 24 qershor të këtij viti. Thaçi ka pohuar se nuk ka qenë në zyre dhe se nuk është në dijeni që Edona Ahmeti është emëruar në pozitën e drejtoreshës së departamentit për Karton të Gjelbërt.

“Prej teje e morra vesh. Nuk kam qenë në zyre dhe nuk e di që ka ndodhur kjo”, ka thënë Thaçi për Insajderin.

Ka shtuar se Ahmeti e meriton këtë pozitë për shkak të kualifikimeve dhe përformancës që ka. Sipas tij, emërimi i saj nuk mund të ndërlidhet me asgjë tjetër përpos vlerave profesionale që ka e emëruara në këtë pozitë.

“Djali im nuk është as i fejuar dhe as i martuar. Kështu që, zyrtarisht unë nuk kam kurrfarë lidhje me të (v.j drejtoreshën e departmantit për Karton të Gjelbërt)”, ka shtuar Thaçi.

Edona Ahmeti para se të emërohej dje në këtë post kishte ushtruar për gjashtë muaj këtë pozitë.

Më 9 shkurt të këtij viti ishte emëruar në postin e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së këtij departamenti.

“Ushtrueses së detyrës znj. Edona Ahmeti i takojnë të gjitha të drejtjat-privilegjet sikurse Drejtorëve të Departamenteve të tjera, po ashtu e njëjta ka përgjegjësitë e Drejtorit paraprak të Departamentit të Kartonit të Gjelbërt dhe MOU. Paga e znj. Edona Ahmeti mbetet e njejtë ashtu si e ka pasur në pozitës e Zyrtares së Lartë të Sektorit të Kartonit të Gjelbërt dhe Mou”, thuhet në vendimin e Këshillit Administrativ të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të udhëhequr nga Rrahim Pacolli.

Insajderi ka pyetur Byronë Kosovare të Sigurimeve për avancimin e Ahmetit. Nuk ka kthyer përgjigje qe dy javë.

Ahmeti ka pasuar në këtë pozitë Vlora Obërtincën. Ajo publikisht kishte pohuar se Kosova ka mundur të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbërt që nga viti 2011, nëpërmjet UNMIK-ut. Obërtinca, po ashtu, pati deklaruar se edhe tash Kosova mund të bëhet pjesë e Kartonit të Gjelbërt duke aplikuar nëpërmjet një shteti të tretë, i cili do të operonte në emër të Kosovës.

Byroja Kosovare e Sigurimeve nuk ka lëvizur përpara në këtë drejtim.

Kontraktimi i firmës së miqve të djalit

Përveç në këtë rast të punësimit dhe avancimit në post të lartë menaxheria, shtrija e ndikimit të Gani Thaçit në këtë institucion vërehet edhe në kontratat me kompani private.

Insajderi ka raportuar më 20 korrik të këtij viti se kompania “Alt3c”, në pronësi të miqve të djalit të Gani Thaçit-Kushtrimit- dyshohet se ka përfituar mijëra euro nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky institucion.

Kompania është në pronësi të Visar Eminit, Mark Vuksanit, Ilir Pushkës dhe Ardian Kelmendit.

Banka Qendrore e Kosovës, e cila operon si mbikëqyrës i industrisë së sigurimeve, është e njoftuar me veprimet e firmës në pronësi të Pushkës dhe Kelmendit, të afërt me djalin e Gani Thaçit, Kushtrimin.

Kompania është angazhuar për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit softuerik për implementimin e sistemit Bonus-Malus.

Kompania përfiton 1 euro e 17 cent për çdo të siguruar që e regjistron në sistemin bonus-malus. Llogaritet se kompanitë e sigurimeve shpenzojnë mbi 400 mijë euro brenda një viti për implementimin e këtij sistemi.

Por, udhëzimi administrativ për implementimin e këtij sistemi parasheh që të mos inkasohen mjete financiare për regjistrimin në sistem të veturave në pronësi publike dhe shtetërore.

Kompania “Alt3c”, ka shpërfillur këtë udhëzim dhe ka inkasuar dhjetëra mijëra euro nga regjistrimi në sistem të veturave të këtyre kategorive.

Ky veprim, sipas Bankës Qendrore, është në kundërshtim me rregullat në industrinë e sigurimeve.

“BQK-ja është e informuar se kompania e kontraktuar për sistemin bonus-malus, ka llogaritur provizion për automjetet zyrtare shtetërore dhe publike, për të cilat sipas “Udhëzimit mbi implementimin e sistemit bonus-malus për personat juridik”, i aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e BKS-së me datë 6 korrik 2013, nuk vlen aplikimi i sistemit bonus-malus”, ka thënë për Insajderin, Ardita Begu-zyrtare për informim në Bankën Qendrore. /Insajderi.

Artikulli paraprakTeknologjia bankare zëvendëson punëtorët
Artikulli tjetërRritet për gati 20% numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri