Kargo ajrore është një mënyrë transporti e mallrave nga një vend ne një tjetër me mjete të ajrit, si avionë, helikopterë, etj. Mes tri mënyrave të ndryshme të transportit uji, toka dhe ajri. Nga këto tre mënyra mund të themi se avantazhi kryesor i ajrit është koha. Në kushtet e teknologjisë bashkëkohore avioni është një mjet udhëtimi i ajrit, i cili është më i shpejti se mjetet e tjera. Për të pasur një produkt të caktuar në adresën tënde sa më shpejt që të jetë e mundur, sigurisht që përdoret kargo ajrore. Çdonjëri nga ne pasi bën një porosi në Alibaba ose në një faqje të çfarëdoshme në cilindo vend të botës, ajo porosi maksimumi të nesërmen gjendet në avion rrugës për në adresën e përcaktuar nga ju. Nëse e njëjta porosi do të dërgohej me anije ose kamjon, do të vinte në adresën tuaj për minimumi 1-2 muaj. Sot koha është një faktor shumë i rëndësishëm për ne dhe një shërbim i kryer në një kohë sa më të shkurtër dhe pa dëmtime bën që ajo kompani të ngrihet dhe të lulëzojë mbi të tjerat.
Transporti ajror i një produkti, ndryshe nga transportet e tjera, edhe pse mund të kalojë në shtete tëndryshme, lidh vetëm rregullat e shtetit të origjinës dhe shtetit të mbërritjes, ndërsa shtetet që janë ndërmjet këtyre dyve nuk janë pengesë për llojin e ngarkesës që mund të gjendet në avion.
Një shërbim kargoje i mirë dhe i saktë patjetër që paguhet, dhe për këtë arsye kargo ajrore është më i kushtueshëm se transportet e tjera tokësore ose ujore. Diferenca e kostos nuk është në përpjestim të drejtë me diferencën në shpejtësi. Për ta ilustruar me një shembull; transporti i një pakoje 1kg nga Kina në Shqipëri me avion mund të kushtojë 5 euro dhe vjen për 3 ditë, ndërsa me anije mund të kushtojë 0.5 euro dhe arrin për 2 muaj. Disavantazhi më i madh dhe më kryesori i transportit ujor është se edhe nëse një X kompani ka bërë një blerje prej 100m3 të një produkti, edhe ai që ka bërë porosi një lodër për fëmijën e tij, do ngarkohen në të njëjtën anije dhe të dyja janë të detyruara të presin kohën e mbushjes së anijes me ngarkesë dhe pastaj do nisen për rrugë.
Po të bëjmë një krahasim duke u bazuar në çështjen e sigurisë mund të vërejmë një diferencë shumë të madhe midis transporteve në fjalë. Siguria e transportit ajror fillon që në pikën e parë të kontaktit të mallrave me ndërtesën në të cilën bëhet grumbullimi, e cila është e ruajtur dhe e mirëmbajtur duke u bazuar në kushte që vendosen nga organizata të aviacionit dhe të sigurisë ndërkombëtare. Çdo njëri ose produkt që kalon në zonën tranzite ose ndërkombëtare duhet të kontrollohet me rreze X. Mundësia e personave të rrezikshëm për të dëmtuar mallrat e transportit ajror janë shumë më të pakta, sepse kontakti me to nuk është i lejuar. Është shumë më e lehtë të ndalosh një kamjon që mund të jetë duke transportuar gjëra të çmuara dhe më e vështirë të ndalosh një anije dhe pothuajse e pamundur të ndërhysh në një avion.
Me kargon ajrore, mund të transportohen shumë shpejt shumë produkte që mund të prodhohen në anën tjetër të botës. Në kushtet e sotme nuk mund të themi se të sjellësh një produkt nga Kina brenda 3 ditëve është e pamundur, kur realisht është e mundur dhe kjo e gjitha falë kargos ajrore. Njerëzit duke mbetur të kënaqur nga kjo kohë rekord e transportit të mallrave e kërkojnë akoma e më shumë dhe duke u rritur kërkesa janë rritur edhe mundësitë e zhvillimit dhe mund të themi se po rritet me hapa marramendëse. Ne vitin 1910 është bërë fluturimi i parë i avionit të kargos, ndërsa sot bëhen me qindra fluturime në ditë vetëm me kargo. Madje, shumë kompani transporti postar, përveç shërbimit si agjenci, kanë marrë edhe avionin e tyre dhe të gjithë procesin e transportit mbyllin me stafin e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është DHL-ja.
Nëse do ngrejmë pyetjen që a ka ndryshuar mirëqënia e njerëzve me zhvillimin e këtij sektori, mund të themi se nëpër botë në secilin shtet në këtë sektor punojnë rreth 1% e të gjithë punonjësve që ai shtet ka në punë. Rekordin për momentin e ka shteti i Islandës, i cili ka rreth 2% të gjithë fuqisë puntore në këtë sektor. Nisur nga kërkesat për shitjblerje dhe rrjetet ndërkombëtare të tregtise, ky sektor do të zhvillohet edhe më shumë dhe mund të arrijë në një pikë të rëndësishme që të jetë një nga sektorët më të kërkuar për punë në një të ardhme të afërt.
Konkurenca mes kompanive të kargove është tek transporti i sasive të mëdha si dhe transporti i mallrave të rezikshëm, që jo çdo kompani mund ta bëjë. Një shembull konkret është transporti ajror i materialeve radioactive. Për transportin e tyre, kompania nevojitet të jetë pajisur me certifikata dhe trajnime specifike. Në transportet tokësore dhe ajrore, mallrat e rrezikshme mund te dërgohen vetëm me mjete të veçanta me kosto shumë të larta.
Në vitet në vazhdim pritet një lulëzim i transportit ajror të mallrave. Covid-19 ka kdikuar shumë në këtë drejtim, pasi jo vetëm që nuk ka ndaluar së funksionuari, por ka pasur edhe një rritje të ardhurave për kompanitë. Çmimet e transportit ajror të mallrave u rritën ndjeshëm. Shumë kompani për të kompensuar humbjet që kishin me avionët e pasagjerëve, i kthyen ato në avionë kargo dhe në këtë mënyrë arritën të minimizonin humbjet e mëdha që solli virusi në lëvizjen e lirë të pasagjerëve. /BM/