Italia është bërë vendi i parë perëndimor që bllokon bashkëbiseduesin digjital, ChatGPT, shkruan BBC të premten.
Autoriteti italian i mbrojtjes së të dhënave ka thënë se kishte shqetësime për privatësinë në lidhje me modelin, i cili u krijua nga OpenAI dhe mbështetet nga Microsofti.
Rregullatori ka thënë se do të ndalonte dhe hetonte OpenAI “me efekt të menjëhershëm”.
Italia dyshon se ChatGPT ka shkelur rregulloren e saj për privatësinë. OpenAI ka 20 ditë kohë për të treguar se si do të trajtojë shqetësimet e mbikëqyrësit, ose do të pasojë një gjobë prej 20 milionë eurosh ose deri në 4% të të ardhurave vjetore.
Miliona njerëz kanë përdorur ChatGPT që nga fillimi i tij në nëntor 2022.
ChatGPT mund t’u përgjigjet pyetjeve duke përdorur gjuhë natyrale, të ngjashme me njeriun dhe gjithashtu mund të imitojë stile të tjera të të shkruarit, duke përdorur internetin si bazën e të dhënave.
Microsoft ka shpenzuar miliarda dollarë për të dhe u shtua në Bing muajin e kaluar.
Microsoft ka thënë gjithashtu se do të fusë një version të teknologjisë në aplikacionet e saj të Office, duke përfshirë Word, Excel, PowerPoint dhe Outlook.
Ka pasur shqetësime mbi rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale (AI), duke përfshirë kërcënimin e saj ndaj vendeve të punës dhe përhapjen e dezinformatave dhe paragjykimeve.
Në fillim të kësaj jave, figurat kryesore të teknologjisë, përfshirë Elon Musk, kërkuan që këto lloje të sistemeve të AI të pezulloheshin mes frikës se gara për t’i zhvilluar ato ishte jashtë kontrollit.
KOHA