Përfaqësuesit e Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit sot para mediave paraqiten sfidat me të cilat ballafaqohet industria e qumështit në plasmanin e produkteve të tyre në tregun vendor.
Sipas drejtuesve të kësaj shoqate, plasimi i qumështit të freskët në gjitha marketet dhe dyqanet vendore dhe nuk po u jepet hapësirë e duhur nëpër këto dyqane prodhimeve vendore të produkteve të qumështit.
Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit në Kosovë, Gani Durmishaj, tha se kushtet të cilat i caktojnë rrjetet tregtare të mëdha në Kosovë janë të papërballueshme dhe si pasojë e të gjitha këtyre vështirësive, industria e qumështit shtyhet drejt kolapsit apo falimentimit.
Durmishaj, përmendi disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen ata e që janë: Mbushjet e para me produkte të jenë gratis, pagesa për regjistrimin e barkodeve, dhënia e saldove nga 1 mijë euro në vit, afati i pagesës për mallin e marr 30 deri 60 ditë, mazha tejet e lartë në produktet e qumështit 10 deri 20 përqind, tarifat e larta të rrymës dhe maksigrafët e instaluar në fabrika, si dhe importet nga shtetet fqinje të cilat vijnë para afatit të skadimit me çmime shumë të ulëta.
Durmishaj tha se tregtarët më këto kërkesa po iu qesin haraç përpunuesve të qumështit.
“Industria e qumështit në gjithë Kosovën është investuar bukur shumë në ngritjen e kësaj industrie për plotësimin e standardeve dhe përmirësimin e cilësisë, kurse tani kemi disa sfida si industri e qumështit, ku me të vërtet na është bërë një barrikadë që është vështirë të tejkalohen. Një prej sfidave që vlen të përmendet që i kemi si industri e qumështit është plasimi i mallrave tona të qumështit të pasterizuar dhe të gjitha produktet e qumështit nëpër dyqanet dhe marketet tona në Kosovë”, tha Durmishaj.
Sipas tij, ky sektor nuk vazhdon të përkrahet nga Qeveria, e cila zhvillohet me rreth 30 qumështore të licencuara që përmbajnë një numër të madh të punësuarve dhe një numër të madh të fermerëve në këtë fushë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Safet Gërxhaliu, tha se sektorin e qumështit e kanë adresuar mjaft probleme për plasimin e produkteve të tyre, për çka Gërxhaliu tha se për këtë si OEK kanë kërkuar miratimin e ligjit për tregti të brendshme. Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i industrisë nuk mund të bëhet vetëm me fjalë dhe tryeza.
“Sot njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilat këta sot ballafaqohen nuk është më vetëm prodhimi, nuk është më vetëm punësimi, nuk është më vetëm ruajtja e kualitetit, por janë barrierat të cilat i paraqiten për t’i plasuar këto produkte në marketet dhe tregun vendor. Është një dukuri që Kosovën e bënë të veçantë dhe definitivisht besoj që është koha kur ky problem duhet të zgjidhet dhe të mos humbet më kohë gjithmonë në kërkim të arsyeve”, tha Gërxhaliu.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se është e njoftuar për kërkesat dhe gjendjen e përpunuesve të qumështit, dhe tregoi se janë në përpjekje për adresimin e tyre. Ajo tha se pikërisht për këto probleme kanë në prioritet ligjin e Tregtisë së Brendshme.
“Të gjitha ligjet të cilat i kemi në strategjinë legjislative edhe janë të parapara që të përfundojnë . Ne do të mundohemi që brenda kapaciteteve tona ti përcjellim ato, pikërisht për shkak të problemeve që janë shfaqur edhe sot në këtë tryezë. Ne do të kërkojmë një bashkëpunim nga të gjitha asociacionet e bizneseve në mënyrë që ne t’i adresojmë të gjitha çështjet në këtë ligj. Andaj, është edhe me prioritet shumë të lartë, ku Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tani më veç ka themeluar Grupet Punuese, po presim që të kemi ndihmë edhe nga ekspertët e BE-së në mënyrë që të marrim praktikat më të mira edhe të rajonit dhe zyrës së BE-së”, tha ministrja Bajrami.
Në këtë konferencë për media, përpunuesit e qumështit apeluan tek tregtarët që t’ua shpëtojnë këto investime industrisë së përpunuesve të qumështit, të cilat janë bërë deri më tani.