Idetë kryesore nga libri “Finish” i Jon Acuff / PJESA E PARË

Mësoni idetë kryesore nga libri i Jon Acuff

FINISH (Udhëzuesi për arritjen e qëllimeve tuaja)

Pse është kaq e vështirë të përmbushim qëllimet tona? Shumë shpesh, projektet tona braktisen përpara se të përfundojnë dhe shkaku kryesor nuk është vështirësia ose mungesa e kohës, por perfeksionizmi.

Në Finish, Jon Acuff na tregon sesi të qënit një perfeksionist është një strategji e keqe, sepse na çon në braktisjen e një projekti që në hasjen e vështirësisë së parë.

Shumë këshilla të dobishme për:

-Ata që shpesh fillojnë projekte të reja, pa i përfunduar kurrë ato.
-Të mësuar rreziqet e fshehura te perfeksionizmi dhe si t’i shmangni ato.
-Të mësuar një qasje që do të na lejojë vërtet të arrijmë qëllimet tona.

Autori i librit:

Jon Acuff është një shkrimtar Amerikan, autor i gjashtë bestsellerëve, përfshirë “Start”, “Quitter” dhe “Do Over”. Për më shumë se njëzet vjet ai është përfshirë në tregime për kompani të mëdha, duke përfshirë “Bose”, “Staples” dhe “The Home Depot”. Ai është shumë aktiv në rrjetet sociale dhe blogjet e tij ndiqen nga miliona njerëz në të gjithë botën. Angazhimi i tij shtrihet në sferën sociale: ai në fakt ka ndihmuar në ndërtimin e dy kopshteve në Vietnam.

Braktisim shumicën e projekteve që fillojmë sepse zbehet entuziazmi 

Shumë prej projekteve që ne ndërmarrim, nga puna tek ato personale, nuk përmbyllen. Shumë shpesh, në fakt, pas një faze të parë energjike dhe të përqendruar, entuziazmi bie dhe ne fillojmë të braktisim synimet tona.

Për shumicën e njerëzve, në fakt, është shumë më e lehtë të merren me fazën fillestare të një projekti, në të cilin paracaktohen qëllimi përfundimtar, metodologjitë, koha dhe të gjitha detajet e tjera.

Megjithatë, pas fazës fillestare, në mënyrë të pashmangshme mbërrin një ngërç, i cili çon, në shumicën e rasteve, në braktisjen e plotë të projektit.

Përse ndodh kjo? Shumë shpesh problemi vjen direkt nga ne: është perfeksionizmi.

Perfeksionizmi na çon në përcaktimin e qëllimeve të pamundura

Të jesh perfeksionist mund të duket si një qasje efiçente. Në fund të fundit, kush nuk do të dëshironte të shkëlqente në atë që bën? Problemi me këtë mendim është se perfeksionizmi na shtyn të bëjmë disa gabime të cilat shpesh çojnë në fundin katastrofik të një projekti.

Para së gjithash, na bën të vendosim qëllime tepër ambicioze. Kur jemi duke përcaktuar një projekt, emocionohemi për fillimin e një aventure të re dhe kjo mund të shtrembërojë perceptimin tonë për atë çka është me të vërtetë e mundur.

Për më tepër, të jesh perfeksionist do të thotë të mos pranosh gabime, të mos tolerosh papërsosmëritë. Megjithatë, gabimet janë një pjesë e rëndësishme e çdo rruge, sepse ato na lejojnë të mësojmë dhe të përmirësohemi, të ripërcaktojmë qëllimet tona në një mënyrë më realiste. Mos pranimi i gabimeve na bën të heqim dorë në momentin kur, në mënyrë të pashmangshme, hasim një të tillë.

Si përfundim, të jesh perfeksionist do të thotë të minimizosh çdo arritje tjetër përveç të përsosurës, duke dhënë ndjesinë e dështimit edhe nëse është bërë përparim.

Duke marrë parasysh këto aspekte, nuk është për t’u habitur fakti që me zor arrijmë të përfundojmë projektet tona.

Dita më e rëndësishme është dita e parë e papërsosur

Ka libra, metoda dhe seminare të panumërta që na mësojnë se sa e rëndësishme është faza e planifikimit dhe fillimit, duke na dhënë këshilla dhe rregulla që duhet të ndjekim për të planifikuar, hartuar, përcaktuar të gjitha hapat që duhet të ndjekim. Megjithatë, sapo të kalojmë fazën fillestare, rrallë mendojmë se si të merremi me problemet e pashmangshme që do të hasim.

Në çdo projekt, dita më e rëndësishme, por edhe më e vështira, nuk është dita e parë, ose e dyta, ose e fundit, por dita e parë e papërsosmërisë.

Për sa kohë që gjithçka shkon siç është planifikuar, jemi të lirë të përqendrohemi në punën që po bëjmë, pa u penguar nga perfeksionizmi ynë. Sidoqoftë sapo të hasim një problem ose një pengesë, fillojmë të dëgjojmë një zë të vogël brenda nesh, që na thotë se po dështojmë, se nuk kemi bërë pikërisht atë që kemi synuar të bëjmë, se nëse nuk mund të bëjmë gjithçka, më mirë ta lëmë fare: ky zë është perfeksionizmi ynë.

Kjo është dita kur shumica e projekteve braktisen. Nëse vendosim të vrapojmë çdo mëngjes, mjafton vetëm një mëngjes ku, për shkak të një sëmundjeje, angazhimi ose për ndonjë arsye tjetër, nuk i përmbahemi programit, që të heqim dorë.

Pikërisht për këtë arsye është dita më e rëndësishme, sepse është dita që rrezikon të kompromentojë të gjithë projektin dhe ajo në të cilën duhet të përpiqemi më shumë për të mos e harruar vijën e finishit.

Si të heshtësh perfeksionizmin

Nuk është e lehtë të heqësh dorë nga ajo pjesë e jona që na shtyn të jemi perfeksionistë. Sidoqoftë, mund të adoptojmë disa strategji që na ndihmojnë të shmangim gabimet me të cilat jemi mësuar. Nëse mund të zhvillojmë një tolerancë ndaj papërsosmërive, do të jemi në gjendje të kryejmë projektet që fillojmë.

Përgjysmimi i qëllimeve mund të na ndihmojë të arrijmë më shumë

Një qëllim ambicioz mund të duket si një ide e mirë fillimisht. Nisja e një projekti me idenë për të bërë gjëra të mëdha mund të na motivojë që të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme, duke i kushtuar kohë dhe burime. Megjithatë, duke vepruar kështu, kemi një rrezik të madh: nëse nuk arrijmë të përfundojmë rrugën tonë, do të drejtohemi për të minimizuar vlerën e çdo progresi të bërë.

Nëse qëllimi ynë është të lexojmë dy libra në muaj për një vit, por gjatë një periudhe të vështirë nuk arrijmë ta respektojmë këtë shpeshtësi, do të ndiejmë dështimin e qëllimit përfundimtar, pa i dhënë rëndësi gjithsesi asaj që arritëm të përfundonim.

Një strategji që mund të na ndihmojë të përfundojmë një projekt është përgjysmimi i qëllimit tonë përfundimtar. Disa studime tregojnë se duke përdorur këtë qasje produktiviteti ynë rritet.

Sidoqoftë, nuk është gjithmonë e mundur të përgjysmohen objektivat. Ka situata në të cilat objektivi ynë është fiks, siç është një borxh që duhet të shlyhet. Në këto raste, mund të mendojmë si të rrisim kohën që do t’i japim vetes, në mënyrë që gjithsesi të lehtësojmë ngarkesën e stresit.

Duke përdorur si shembull projekte të së kaluarës, ku nuk i kemi arritur qëllimet tona, le të pyesim veten se si do të kishte shkuar nëse nuk do të ishim kaq ambicioz dhe perfeksionist. Le të përpiqemi të pyesim veten se cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhte dhe ta krahasojmë atë me mënyrën se si shkuan gjërat në të vërtetë.

Kur qëllimet tona janë ato që na pengojnë të përfundojmë një projekt, ndryshimi i madhësisë së tyre është një alternativë më e mirë se sa braktisja./colibri

PJESA E DYTË :

Idetë kryesore nga libri “Finish” i Jon Acuff / PJESA E DYTË

Artikulli paraprakNë Skoci, financimi i bazuar në Islam, po merr hov të madh
Artikulli tjetërSipërfaqet e arrës shtohen në vitet e fundit në Kosovë: Sa kushton ky frut te ne?