Njerëzit që janë të impresionuar nga civilizimi modern besojnë se hixhabi (mbulesa islame) është një shenjë prapambetjeje që e pengon gruan të zhvillohet dhe e dëmton përparimin dhe individualitetin e saj. Sipas tyre, hixhabi është një pengesë që i ndalon gratë të përparojnë në sferat e zhvillimit personal dhe shoqëror.
Ne u bëjmë pyetje këtyre njerëzve: “Çfarë lidhje ka hixhabi me zhvillimin dhe teknologjinë? A është një parakusht për civilizim dhe zhvillim që gratë të ekspozohen përpara burrave? A është parakusht për zhvillim që gratë të kenë marrëdhënie të paligjshme seksuale me burra? A është një parakusht që gratë të shndërrohen në trupa pa shpirt, pa ndjenjën e turpit apo ndërgjegjes?”
A është vallë mbajtja e hixhabit arsyeja pse nuk përparojmë në aspektin tekniko-teknologjik?
Gratë muslimane në shumë vende me shumicë muslimane hoqën dorë nga hixhabi dhe dolën të punonin krah për krah me burrat në të gjitha fushat. A u zhvilluan këto vende për shkak të heqjes së hixhabit nga gratë e tyre? A e arritën ato vendet e tjera të zhvilluara kur gratë e tyre filluan të përziheshin lirisht me burrat? A u bënë këto vende të fuqishme sa vendet e tjera të zhvilluara? A i zgjidhën ndonjë nga këto vende të gjitha problemet e tyre ekonomike, arsimore dhe shoqërore? Përgjigjet për këto pyetje janë të qarta dhe nuk kanë nevojë për shpjegim. Prandaj, duhet të shtrojmë pyetjen: Pse ende ka njerëz që kërkojnë që gratë të heqin hixhabin dhe të përzihen me burrat?
Ata që propagandojnë këtë ide në të vërtetë nuk kanë asnjë dëshirë për civilizim apo zhvillim. Ata thjesht duan që gratë të jenë pranë tyre në çdo kohë që t’i kenë në dispozicion për të plotësuar epshet e tyre, duan që gruaja të jetë një objekt i hapur për kënaqësinë e tyre – një lodër për të luajtur sa herë që duan. Ata duan që gratë të shndërrohen në mall në tregun e imoralitetit. Duan t’i zhveshin gratë nga dëlirësia dhe turpi, dhe dëshirojnë që mënyra e tyre e të menduarit dhe objektivat të jenë të perëndimizuara. Ata dëshirojnë që gratë të bëhen eksperte në këngë, vallëzim dhe aktrim. Me pak fjalë, duan që gruaja muslimane të jetë pa fe, pa besim, pa pastërti, pa moral dhe pa ndershmëri.
Akuza të rreme kundër përkrahësve të hixhabit
Ata që hedhin akuza të rreme ndaj përkrahësve të hixhabit janë zakonisht gënjeshtarë dhe e dinë mirë këtë. Ata thonë se ata që thërrasin për ruajtjen e ndershmërisë së gruas e shohin atë si një trup dhe asgjë më shumë, dhe se nëse grave do t’u jepej liria të visheshin si të donin, kjo ide do të zhdukej dhe marrëdhënia midis burrave dhe grave do të bazohej në respekt të ndërsjellë.
E vërteta është se askush nuk mund ta mohojë që realiteti e përgënjeshtron këtë pretendim, dhe dëshmia për këtë është ajo që ndodh realisht në shoqëritë ku gratë vishen si të duan dhe dalin me kë të duan. A është ky lloji i marrëdhënieve midis burrave dhe grave në këto shoqëri që supozohet të kenë “respekt të ndërsjellë”?
Statistikat përgjigjen për këtë pyetje:
- Statistikat e dokumentuara tregojnë se 19 milionë gra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përdhunuar.
- Bashkimi Italian për Psikiatrët kreu një sondazh publik, ku 70% e burrave italianë pranuan se kishin tradhtuar gratë e tyre duke shkuar me gra të tjera.
- Një milion fëmijë të paligjshëm lindin dhe një milion aborte kryhen çdo vit në SHBA.
- Një sondazh i kryer nga Universiteti Cornell në Nju Jork tregoi se 70% e grave që punojnë në atë qytet janë ngacmuar seksualisht.
- 35,000 gra përdhunohen çdo vit në Gjermani.
A nuk tregojnë këto statistika se sa të pavërteta janë pretendimet e këtyre njerëzve? Apo mos vallë këto krime janë pjesë e atij “respekti të ndërsjellë” për të cilin ata pretendojnë se po punojnë?
Hixhabi është ndihma më e madhe për gruan që të ruajë ndershmërinë dhe turpin, sepse e mbron atë nga shikimet e liga dhe epshndjellëse.
Ata që kanë shijuar hidhësinë e “modernizimit” dhe që nuk kanë respektuar rregullat islame për veshjen dhe përzierjen me burra, e kanë pranuar këtë fakt. Dhe në të vërtetë, dëshmia më e mirë është ajo që jepet nga kundërshtarët!
H. Stanberry, një gazetare perëndimore që kaloi disa javë në kryeqytetin e një vendi arab, u kthye në vendin e saj dhe deklaroi:
“Shoqëria arabe është e shëndoshë dhe e pothuajse e përsosur. Kjo shoqëri i përmbahet traditave të saj dhe i vendos të rinjtë dhe të rejat brenda kufijve të arsyeshëm. Kjo shoqëri është ndryshe nga shoqëritë evropiane dhe amerikane, ata kanë zakone të trashëguara që vendosin kufij për vajzat e reja, kërkojnë respekt për prindërit dhe, më e rëndësishmja, ndalojnë shthurjen që ka shkatërruar komunitetet dhe familjet amerikane dhe evropiane. Ata ndalojnë përzierjen e lirë mes burrave dhe grave që në esencë janë të huaj mes veti, kufizojnë lirinë e vajzave të reja dhe kthehen në epokën e hixhabit, sepse kjo është më e mirë për ju sesa shthurja dhe mungesa e turpit që mbizotëron në komunitetet amerikane dhe evropiane.”
A nuk është koha që gratë muslimane të ndjehen krenare për hixhabin e tyre, të sigurta që e ardhmja i përket këtij besimi dhe se fundi i mirë është për të drejtët – edhe nëse këtë e urrejnë ata me zemra të sëmura?
Përktheu dhe përmblodhi: Enis Arifi











