Greqia i dorëzon Eurozonës programin e reformave

Qeveria greke i ka dorëzuar Jeroen Dijsselbloem programin e reformave, i cili do të diskutohet të hënën nga ministrat e Financave të BE-së.
Sipas medieve helene, dokumenti me 7 pika dhe 11 faqe u dorëzua nga ministri i Financave greke, Janis Varufakis, duke rritur kështu shpresën për lirimin e këstit të radhës të ndihmës së financimit nga europianët.

Reformat që premton qeveria e re helene janë lufta kundër evazionit fiskal, ngritja e një këshill fiskal për të gjeneruar kursime buxhetore, si dhe detaje të planit  të qeverisë për të zbutur impaktin social të krizës, e cili do të kushtojë rreth 200 milionë euro.

Në letrën dërguar Dijsselbloem, Varufakis bën thirrje që diskutimet teknike mbi propozimet të nisin sa më shpejt të jetë e mundur.
Një zyrtar europian, duke folur në kushte anonimiteti nga Brukseli,  tha se është e pamundur që ministrat e Financave të eurozonës të miratojnë propozimet e qeverisë greke të hënën, duke shtuar se ky proces kërkon më shumë kohë.

Ndërkohë, dje Greqia pagoi këstin e parë të detyrimeve prej 310 milionë euro, i cili gjithashtu i hap rrugë lirimit të ndihmës.
Tashmë në dy javët e ardhshme Greqia duhet të paguajë edhe tre këste të tjera prej 1.5 miliardë euro, në mënyrë që të realizohet marrëveshja me trojkën.kohaislame
 
Artikulli paraprakKosova me çmime më të larta të naftës në rajon
Artikulli tjetërTrepça ndalë prodhimin