Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar mbrëmë se Inspektorati i Tregut gjatë muajve të fundit ka shtuar numrin e inspektimeve për mbrojtjen e konsumatorit, në veçanti për mbikëqyrjen e etiketës që tregon flamurin e origjinës së produktit.
Sipas ministrisë, gjatë inspektimeve është konstatuar se në disa raste shitësit vendosin etiketë mashtruese me flamur të një shteti, i cili nuk është flamur i origjinës së produktit.
“Në rastet më të shpeshta është duke u vendosur etiketa e flamurit të shteteve të Evropës, në produktet që janë me origjinë të shteteve fqinje”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se në mbi 30 raste kur Inspektorati i Tregut ka konstatuar që shitësit nuk kanë vendosur etiketën apo kanë bërë ndërrim të etiketës së flamurit të origjinës së produktit, janë ndëshkuar me gjobë në vlerë prej 1 mijë deri në 10 mijë euro si masë ndëshkuese.
“Me këtë rast ftojmë qytetarët-konsumatorë që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në njoftim.
MINT-i ka shtuar se inspektimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve dhe muajve në vazhdim dhe se për çdo keqpërdorim do të vazhdojnë të merren masa sipas ligjeve në fuqi.