Fatih Donmez: Këtë vit mund të hapet një pus eksplorues i ri në Detin e Zi

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez, tha se një tjetër pus eksplorues mund të shpohet këtë vit në një hapësirë në jug ose në perëndim të Fushës Gazmbajtëse Sakarya, në Detin e Zi.

Fatih Donmez iu përgjigj pyetjeve të moderatorëve në sesionin special të Samitit 4. të Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë.

Pasi risolli në vëmendje se anija e sondimit “Fatih” shpoi puset “Turkali-1” dhe “Turkali-2” për të mbledhur të dhëna lidhur me projektet e prodhimit dhe inxhinierisë, pas zbulimit të 405 miliardë metrave kub gaz në pusin “Tuna-1” në Fushën Gazmbajtëse Sakarya vitin e kaluar, ministri Donmez tha se rezultatet nga këto puse konfirmojnë të dhënat e pusit “Tuna-1”.

Ai theksoi gjithashtu se kërkimet sizmike në rajon po kryhen në një zonë prej 10 mijë kilometrash katrorë dhe se shpimet në pusin “Amasra-1”, në verilindje të Fushës Gazmbajtëse Sakarya, ku pak ditë më parë u zbuluan 135 miliardë metra kub gaz, filluan vetëm rreth 2 muaj më parë.

Duke vënë në pah se Turqia bëri 3 zbulime të rëndësishme në Detin e Zi brenda një viti, Fatih Donmez sqaroi se rezerva totale e zbuluar në këtë mënyrë arriti në 540 miliardë metra kub.

“Me këto zbulime, Turqia është zhvendosur nga të qenit një vend konsumues, në një vend prodhues të gazit natyror. Pusi «Amasra-1» u shpua në verilindje të Fushës Gazmbajtëse Sakarya. Këtë vit mund të shpojmë një tjetër pus eksplorues në jug ose në perëndim të asaj fushe. Tashmë ne kemi më shumë shpresa sesa dje për të gjetur rezerva shtesë në Detin e Zi. Puna jonë po përparon në përputhje me kalendarin që kemi planifikuar. Nëse çdo gjë shkon siç duhet, me lejen e Allahut ne do ta përdorim këtë gaz në vitin 2023”, vijoi ai.

Po ashtu ministri Donmez dha informacione në lidhje me punimet në Mesdheun Lindor duke tërhequr vëmendjen se deri tani janë kryer 8 shpime në rajon dhe se nga disa shpime ka marrë sinjale pozitive.

Artikulli paraprakPse dhe si po kërcejnë çmimet e naftës në tregjet botërore
Artikulli tjetërTaksë ndaj gjigandëve të teknologjisë, G7 arrin marrëveshjen historike