FAO: Çmimet botërore të ushqimeve arrijnë nivelin më të lartë rekord në mars

Çmimet botërore të ushqimeve arritën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në muajin mars, pasi pushtimi rus në Ukrainë ka shkaktuar tronditje në tregjet e drithërave dhe vajrave bimorë, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Ndërprerja në zinxhirët e eksporteve që nisën që me fillimin e pushtimit në 24 shkurt dhe sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë kanë nxitur frikën e një krize globale urie, veçanërisht në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ku efektet tashmë po ndihen.

Rusia dhe Ukraina, dy rajonet e mëdha që kultivojnë drithëra përbëjnë një pjesë të madhe të eksporteve të globit në disa mallra kryesore, duke përfshirë grurin, vajin bimor dhe misrin.

Indeksi i çmimeve të ushqimit të FAO-s, i cili raportoi një rekord edhe në muajin shkurt u rrit me 12.6 për qind muajin e kaluar, “duke bërë një hap gjigant drejt një niveli të ri më të lartë që nga fillimi i tij në 1990”, tha agjencia e OKB-së.

Indeksi, një matës i ndryshimit mujor të çmimeve ndërkombëtare të një shporte mallrash ushqimore, ishte mesatarisht 159.3 pikë në mars.

Rritja përfshin nivelet më të larta të të gjitha kohërave për vajrat bimore, drithërat dhe mishin, tha FAO, duke shtuar se çmimet e sheqerit dhe produkteve të qumështit “gjithashtu u rritën ndjeshëm”.

Frika nga uria

Rusia dhe Ukraina së bashku përbënin përkatësisht rreth 30 për qind dhe 20 për qind të eksporteve globale të grurit dhe misrit, gjatë tre viteve të fundit, tha FAO.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për krijimin e “një krize globale ushqimore”.

Franca ka paralajmëruar se lufta ka rritur rrezikun e urisë në mbarë botën.

Konflikti ka çuar gjithashtu çmimet e naftës dhe gazit në majë, duke bërë që inflacioni të rritet më tej në të gjithë botën dhe duke ngritur shqetësime se mund të pengojë rritjen ekonomike globale. /AFP/

Artikulli paraprakLaburistët largojnë nga partia këshilltaren nga Newcastle, pas pretendimin të saj për “komplot islamik”
Artikulli tjetërCNN shpall pasaportat më të fuqishme në botë, ku renditet Kosova?