Evropa ndryshon plan, s’ka vetura me djegie të brendshme nga viti 2035

Një dokument që ka rrjedhë nga Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të përshpejtohet afati i dhënies fund të veturave të cilat janë me motorë me djegie të brendshme.

Sipas dokumentit të publikuar nga “Bloomberg”, emetimet e gazit nga veturat e reja duhet të bien për 65 për qind deri në vitin 2030 dhe duhet të shkojnë krejtësisht në zero deri në vitin 2035. Sigurisht, këto do të vijnë me standarde më të rrepta që do të vijnë krahas obligimit të qeverive për të krijuar më shumë stacione të mbushjeve për veturat me rrymë.

Synimi i Evropës fillimisht ishte që të bëhej kontinenti i parë me zero emetim nga viti 2050. “Bloomberg” raporton se plani i përditësuar do të shpaloset javën e ardhshme dhe aty theksohet qartë se qëllimi është që deri më 2030 të ulet emetimi i gazit për 55 për qind në krahasim me nivelet që ishin më 1990.

Tash pritet që prodhuesit, sidomos ata që kanë shitje të mëdha në Evropë, të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për elektrifikim edhe më shumë. Volkswageni është në mesin e tyre që ka njoftuar se do të ndalë të gjitha mjetet me djegie të brendshme, me një raport të mëhershëm që citonte se kjo planifikohet të ndodhë kah viti 2035.

Fordi në Evropë po ashtu ka njoftuar se këtë do ta bëjë nga viti 2030.

Prodhuesit tjerë pritet të ndjekin këta hapa sapo që rregullat e reja të hyjnë në fuqi.

Artikulli paraprakJustifikimi i gjendjes profesionale
Artikulli tjetërNGJASHMËRI/ Pastrimi i parave nga krimi: kur Gjermania është Shqipëri!