Europa synon të reduktojë me 55% emetimet e CO2 brenda vitit 2030

Marrëveshje në Këshillin Europian mbi objektivat e Green Deal – angazhim për të reduktuar brenda vitit 2030 emetimet në atmosferë me të paktën 55%

 

Pas marrëveshjes për bilancin financiar 2021 – 2027, në natën mes 10 dhe 11 dhjetorit, Këshilli Europian arriti një marrëveshje të re edhe mbi ndotjen dhe krizën klimatike. Pas më shumë se dhjetë orë negociatash, liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian do të angazhohen të reduktojnë, brenda vitit 2030, emetimet e dioksidit të karbonit në atmosferë me të paktën 55% krahasuar me nivelet e viteve ’90.

“Mënyra më e mirë për të festuar përvjetorin e parë të #EUGreenDeal!” – shkroi në Twitter, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. “Kjo na drejton në një rrugë të qartë drejt neutralitetit klimatik në vitin 2050”. Rritja e pragut për zvogëlimin e CO2 në atmosferë (deri më tani, objektivi deri në vitin 2030 ishte vendosur në 40%) ishte propozuar nga Komisioni që në shtatorin e kaluar, por kishte hasur në rezistencën e disa shteteve të Bashkimit Europian.

Polonia ishte një nga shtetet e para që kundërshtoi objektivat e Green Deal europian, duke u bërë e para e 27 shteteve që refuzonte të pajtohej me objektivat e vendosura dhe të kërkonte një përjashtim gjatë Këshillit Europian në dhjetor 2019. Shtete të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, ende shumë të varura nga qymyri, iu bashkuan ankesave të saj, duke e cilësuar të padrejtë që të gjitha vendet të detyroheshin të arrinin të njëjtin objektiv pavarësisht varësisë së tyre nga energjia.

Për të kapërcyer këto kundërshtime, anëtarët e Këshillit ranë dakord që objektivi i ri do të duhet të arrihet bashkërisht. Sipas zyrës së Kryeministrit të Belgjikës, “liderët ranë dakord që reduktimet të bëhen së pari në sektorë dhe vende ku ka ende shumë hapësirë për përmirësim”.

Për më tepër, deri në fund të vitit 2020, vendeve që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Klimës së Parisit në 2015 u kërkohet të paraqesin qëllimet dhe veprimet e azhurnuara që synojnë të ndërmarrin në nivel individual, për të mbajtur rritjen e ngrohjes globale. poshtë 2 gradë Celsius.

Artikulli paraprakApple planifikon 30% rritje të prodhimeve për vitin 2021
Artikulli tjetërE ardhmja e punës