Erdoğan: Turqia përgjigje të gjithëve me rritjen e saj ekonomike

Erdoğan, në lidhje me vendimin e SHBA-së për Kudsin, ka theksuar se, “Ne këtë vendim nuk e njohim kurrë. Kjo deklaratë e presidentit Trump nuk na intereson. Nuk i intereson as Kudsit dhe as botës islame”

 

 

ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia me rritjen e saj ekonomike u ka dhënë përgjigje të gjithë atyre që dëshirojnë ta paraqesin atë si të dobët, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan ka marrë pjesë në aktivitetin “Dita Botërore për të Drejtat e Njeriut” të zhvilluar në ATO Congresium, ku në një fjalim ka tërhequr vëmendjen se normat e rritjes ekonomike për tremujorin e tretë të vitit 2017 janë njoftuar në 11.1 për qind.

“Me këtë normë, Turqia në tremujorin e tretë është ekonomia që rritet më shpejtë në botë. Shpresojmë që në vitin e plotë të arrijmë një rritje rreth 7 për qind. Kjo rritje tregon kontributin e rëndësishëm të investitorëve dhe suksesin e arritur nga pjesëmarrja. Me këto shifra besoj se u kemi dhënë përgjigjen më të mirë qarqeve keqdashëse të brendshme dhe të jashtme që punojnë me të gjithë forcën e tyre për të treguar vendin tonë të dobët. Turqia nuk ka zhgënjyer dhe nuk do të zhgënjejë askënd që i beson vetes dhe që investon. Ata që janë bashkë me ne do të fitojnë dhe ata që janë përballë nesh do të humbasin”, ka deklaruar Erdoğan.

Erdoğan: SHBA-ja me vendimin e saj për Kudsin është bërë partner i përbashkët në gjakderdhje

Duke theksuar se Dita e të drejtave të njeriut përkujtohet në një periudhë ku në të gjithë botën dhe veçanërisht në Kuds po përdhosen të drejtat e njeriut, Erdoğan është shprehur: “Nga këtu shpreh përshëndetjet e mia për vëllezërit tanë palestinezë të cilët privohen nga të gjitha të drejtat e tyre në territoret ku ata jetojnë dhe ku bota që ata jetojnë u është bërë si një burg për shkak të bastisjeve, persekutimeve dhe ngacmimeve me të cilët ato përballen çdo ditë”.

“Nuk është e mundur që vandalizmi, mizoria dhe ashpërsia që shfaqen në Kuds të vazhdojë përgjithmonë. Kudsi në çdo gurë dhe grimcë të tij mbart një histori të ndryshme. Kudsi nuk ka qenë asnjëherë vend për ata që nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë veten e tyre për të. Ata që sot mendojnë si posedues të Kudsit duhet ta dinë se nesër nuk do të gjejnë asnjë pemë ku të fshihen pas”, ka theksuar Erdoğan.

Ai ka shtuar më tej se, “Kurrë nuk do ta pastrojnë gjakun e duarve të tyre ata që Kudsin e kanë bërë si burg për muslimanët dhe pjesëtarët e feve të tjera”.

Erdoğan, duke vënë në dukje se SHBA-ja me vendimin e saj për Kudsin është bërë partner i përbashkët në gjakderdhje, ka theksuar se, “Ne këtë vendim nuk e njohim kurrë. Kjo deklaratë e presidentit Trump nuk na intereson. Nuk i intereson as Kudsit dhe as botës islame”.

Artikulli paraprakShkup, kompania nga Turqia hap fabrikën për kabllo dhe pajisje elektrike për automjetet
Artikulli tjetërHaradinaj priti në takim biznesmenët turq të MUSIAD