Erdogan: Rritet tregu global për ushqimin hallall, turizmin dhe financat

“Kërkesa për produkte dhe shërbime të certifikuara hallall është në rritje sepse këto produkte janë të pastra dhe të shëndetshme dhe preferohen nga muslimanët. Sot, tregu global i hallallit ka arritur një madhësi totale prej më shumë se 5 trilionë dollarë, veçanërisht në sektorë të tillë si ushqimi, turizmi, kozmetika dhe financat”, tha Erdoğan në një video-mesazh dërguar Samitit të 9-të botëror të produkteve hallall dhe Ekspozitës së 10-të të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) për produktet hallall.

Duke vënë në dukje se kjo shifër po rritet çdo ditë në përputhje me nevojat dhe pritshmëritë e shfaqura, presidenti Erdoğan tha se dokumentacioni dhe standardizimi janë shumë të rëndësishëm si për të siguruar qasje në produktet dhe shërbimet e certifikuara hallall, ashtu edhe për të lehtësuar qarkullimin e produkteve dhe shërbimeve hallall në tregtinë ndërkombëtare.

Ai tha se garantimi i sigurisë ushqimore është me rëndësi strategjike për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. “Besoj se Samiti Hallall, i cili do të presë rreth 40 mijë të ftuar, përfshirë 10 mijë vizitorë të huaj, do të forcojë sigurinë ushqimore të vendeve islame”, tha Erdoğan.

Erdoğan tha se aktivitetet e Institutit të Standardeve dhe Metrologjisë së Vendeve Islame (SMIIC), i cili filloi veprimtarinë në vitin 2010, ishin jetike në këtë drejtim. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të OBI-t që t’i bashkohen Institutit për të ndihmuar në shmangien e konflikteve, mosmarrëveshjeve dhe pasigurisë në certifikimin hallall.

Duke theksuar se Türkiye i kushtoi vëmendje kësaj çështjeje duke prezantuar Agjencinë e saj të Akreditimit Hallall (HAK), Erdoğan tha se sektori duhet të ngrihet në nivelin që meriton.

Samiti mbahet nën patronazhin e Presidencës së Türkiyes ndërsa Agjencia Anadolu është partneri global i komunikimit të eventit.

/AA/

Artikulli paraprakBE nis një “luftë”, atë për krahun e punës
Artikulli tjetërTë gjithë i duan ata që i zgjidhin problemet. Si të bëhesh një prej tyre?