Eksportet e vendit u rritën me 8.2 për qind në prill, ndërsa importet ranë me 10.2 për qind.
Vëllimi i eksportit të Kinës u rrit në prill, pavarësisht pandemisë së koronavirusit të ri(COVID-19) që goditi ekonominë globale, thanë të enjten media shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Eksportet e vendit u rritën me 8.2 për qind në prill, ndërsa importet ranë me 10.2 për qind, njoftoi Agjencia e Lajmeve Xinhua.
“Tregtia e jashtme e mallrave shënoi ulje prej 0.7 për qind nga viti në vit në prill në 2.5 trilionë juanë (352.5 miliardë dollarë)”, citoi agjencia një zyrtar doganor.
Tregtia kineze u godit keq pas shpërthimit të COVID-19 dhjetorin e kaluar ndërsa Pekini mbylli qytetet e mëdha për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Në dy muajt e parë të vitit 2020, tregtia e jashtme e mallrave në vend ra me deri në 11 për qind. Eksportet në janar dhe shkurt shënuan ulje 17.2 për qind ndër vite në 292.5 miliardë dollarë, ndërsa importet u ulën me 4 për qind në 299.5 miliardë dollarë.
Kina gjithashtu regjistroi një rritje të madhe në udhëtimeve të pasagjerëve pasi miliona qytetarë të saj kryen vizita turistike vendase gjatë festës pesë-ditore me rastin e 1 majit.
Mbi 121 milionë njerëz udhëtuan gjatë ditëve të pushimit nga e premtja e kaluar deri në këtë të martë, tha agjencia.
– Shkollat u rihapën
Autoritetet, ndërkohë, hapën shkollat e mesme dhe qendrat profesionale në Wuhan, epiqendra e virusit.
Rreth 57.800 nxënës nga 121 shkolla u kthyen në klasat e tyre të mërkurën, tha agjencia shtetërore e lajmeve.
– Situata e virusit
Kina raportoi dy raste të reja me koronavirus të importuar në 24 orët e fundit.
Nuk ka pasur transmetime të reja vendore të virusit, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë (NHC) në një deklaratë.
Vendi deri më tani ka raportuar 82.885 raste me 4,633 vdekje, ndërsa 77.957 njerëz janë shëruar dhe liruar nga spitalet, sipas NHC-së.