Edukata e sadakasë(lëmoshës)

Kurani dhe Suneti i të Dërguarit vazhdimisht nxisin që besimtari të jep sadaka aq sa ka mundësi. Thotë Allahu: ‘’E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që veproni.’’ (el Bekare 265)

Thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) “O ju turmë e grave jepni sadaka, qoftë edhe prej arit tuaj për zbukurim, ngase unë ju kam parë juve se ishit shumica e banorëve të Zjarrit.’’ (Buhariu dhe Muslimi).

Ibn Kajjimi thotë: “Sadakaja dhe mirësia ndikojnë shumë në largimin e belave, syrit të keq, smirës së ziliqarëve, madje për këtë do të na mjaftonte përvoja e popujve në të kaluarën dhe në të tashmen. Prandaj rrallë mund të ndikojë syri i keq, smira ose dëmtimi mbi sadakadhënësin bamirës. Edhe poqëse e kaplon diçka e kaplon me butësi dhe me ndihmesë në atë sprovë. Sadakadhënësi shpesh del me përfundim të mirë, ngase ai është nën mbrojtjen e mirësisë dhe sadakasë së tij, prej Allahut ka Xhennetin si dhe mburojë nga çdo rrezik.”

Edukata e sadakasë përfshin:

  1. Të jepet lëmosha sinqerisht për Allahun. Sinqeriteti gjithmonë është i kërkuar e sidomos në adhurimet bazë. Pra lëmosha të mos jepet për syefaqësi dhe për t’u parë prej syve të njerëzve.
  2. Të jepet me gjithë zemër dhe me dëshirë. E as të pasohet sadakaja me pishmanllëk, apo që ajo për shembull të jepet nën trysni të syve të njerëzve.
  3. Prej sadakasë më të mirë është që ta japësh atë që është më e dashur për ty. Thotë Allahu: ‘Nuk do ta arrini devotshmërinë, derisa të jepni prej pasurisë atë që e doni më së shumti…” (ali Imran 92)
  4. Sadakaja preferohet që të jepet në sekret, sepse kjo është më larg syefaqësisë.
  5. Sadakaja më e mirë është ajo që u jepet të afërmve të familjes, madje kafshata që njeriu e fut në gojë të familjarëve të vet është më e vlefshme sesa një sadaka që i jepet një nevojtari të largët.
  6. Jep sadaka prej pasurisë së pastërt, jo prej pasurisë së ndytë që është e njollosur me harame.
  7. Jep sadaka duke qenë modest dhe duke mos e bërë nevojtarin të ndjehet i turpëruar prej fukarallëkut të tij.
  8. Kur jep sadaka mos u bë arogant për atë që e ke dhënë, sepse aroganca është cilësi e tiranëve.
  9. Jep sadaka kur ke edhe kur s’ke, sepse Allahu i ka lavdëruar besimtarët e tillë kur ka thënë: ‘Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit.’’ (ali Imran 134).
  10. Lute Allahun që të t’a pranojë sadakanë e dhënë dhe ki dro se a është pranuar apo jo.

Përgatiti: Mr. Enis Arifi / rizgjimi.com 

 

Artikulli paraprak2. SFIDA E MUNGESËS SË VETËBESIMIT
Artikulli tjetërNuk po jepni maksimumin në punë dhe jetë? Ja 6 mënyra si të luftoni ankthin në trurin tuaj