E ardhmja e qyteteve?

Parashikimet katastrofike të studimeve për ndryshimin e klimës detyrojnë qeveritë dhe institucionet private të kërkojnë zgjidhje alternative për rritjen e nivelit të deteve. Ndërtimi mbi ujë dhe projektet e “floating city” tashmë janë realitet

 

Një ide inovative, por jo e kohëve të fundit

I pari që e shkroi të zezë në të bardhë ishte Homeri tek Odiseja, në shekullin VIII para Krishtit, i ndjekur nga Plini Plaku e deri tek Zhyl Verni. Në fund të fundit, Venecia njihet nga një pjesë e mirë e turistëve si “floating city”, pasi pjesa më e madhe e sipërfaqes së saj ngrihet mbi grupe shtyllash prej druri larshi, ku mbështeten ndërtesat mbi nivelin e detit.

Në Filipine, Vietnam dhe në gjithë Azinë Juglindore numërohen dhjetëra qytete që kanë sipërfaqe të tëra të banuara lundruese. Për të mos folur pastaj për popullin Uri në liqenin Titicaca.

Përveç artistëve të tillë si anglezi Richard Sowa i cili shkoi të jetojë në një ishullth utopik, i realizuar me shishe plastike dhe mbeturina në brigjet e Meksikës,në vitet ‘70, më shumë se një është përpjekur të krijojë një qytet në platforma nafte të braktisura (më e famshmja është Isola della Rosa, e vetëshpallur Republikë, në brigjet e provincës së Riminit).Shumë studio arkitekture dhe inxhinierike, vitet e fundit, janë angazhuar në projektimin e ishujve të mëdhenj “të motorizuar” futuristë dhe qyteteve të vërteta lundruese.

 

Në Maldive nis puna…

Nuk ka asnjë studim mbi ndryshimin e klimës dhe rritjen e nivelit të oqeaneve që nuk dënon të parët Venecian dhe arkipelagun e Maldiveve, fati i të cilëve duket se është vulosur. Nëse në Venecia kanë menduar për Mose (MOdulo Sperimentale Elettromeccanico – projekt i cili synon të mbrojë qytetin), lajmi është se pak ditë më parë, Qeveria e Maldiveve prezantoi projektin ekzekutiv për realizimin, në një kohë të shkurtër, të qytetit të parë lundrues në botë – Maldives FloatingCity. Projekti, i cili i është besuar një shoqërie holandeze,do të përfundojë rreth vitit 2030 (rreth 20 vite para se ishujt të zhduken plotësisht) dhe “guri i parë i themelit” do të vendoset vitin e ardhshëm.

 

I vogël është më mirë

Qyteti është projektuar me një seri modulesh të vogla lundruese, mjaft afër me njëri-tjetrin, të ndara nga kanale, shpesh të lidhura me ura. Ai do të ndërtohet brenda një lagune më shumë se 200 hektarë pranë kryeqytetit Male dhe aeroportit ndërkombëtar.
Qëllimi është të mësojmë të bashkëjetojmë me natyrën, duke respektuar koralet, gjë e cila është përparësi për zhvillimin e kombit, që gjithnjë e ka vënë mbrojtjen e tyre në qendër të politikave të tij.

Në qytet planifikohet të ndërtohen disa mijëra banesa, të gjitha me pamje nga deti, në një kontekst që përfshin një pjesë rezidenciale (po flasim për apartamente me tre dhoma,rreth 90 metra katrorë me çmim rreth 250,000 $, përfshirë varkën), hotele, dyqane dhe restorante. Rrugët, të mbuluara me rërë të bardhë natyrore, do të jenë të arritshme vetëm me biçikleta dhe skuterë elektrikë. Shitjet (të huajt do të duhet të aplikojnë për leje-qëndrimi për të blerë) do të fillojnë së shpejti.

 

 

Ndikim zero në mjedis

Maldives Floating City është projektuar për të respektuar dy logjika themelore – ndërtimin modular dhe qëndrueshmërinë. Forcat e natyrës, dallgët, kushtet ekstreme të motit dhe rritja e nivelit të detit do të përballohen me elasticitetin e strukturave dhe një sistemi ankorimi, i aftë të devijojë të gjitha forcat ekstreme. Ndër të tjera, qyteti përdor teknologji inovative për zhvillimin e qëndrueshëm, si sipër edhe poshtë sipërfaqes së ujit dhe zbaton praktikat më të mira ekologjike për të mbrojtur, për të ruajtur dhe madje për të përmirësuar ekosistemin detar.

Barriera koralore artificiale, për shembull, “do të qepen” nën qytet dhe do të nxisin natyrshëm rritjen e koraleve të vërteta dhe praninë e faunës. Këtu madje është marrë në konsideratë edhe ndikimi që do të ketë hija e strukturës në shtratin e detit. Barrierat koralore, të zhytura dhe të mbrojtura të lagunës, do të sigurojnë një ujëmbledhës natyral, i cili, i ndërthurur me rrjetin e strukturave lundruese, do të ofrojë rehati dhe siguri për banorët.

 

Oceanix City

Jo vetëm Maldive. Oceanix City është një projekt amerikan, i menduar si një “zonë” që do t’u shtohet metropoleve si Nju Jorku, Tokio apo Hong Kongu në ujëra të qeta dhe jo të thella, lehtësisht të arritshme, jo shumë larg brigjeve. Ideja është ndërtimi i platformave lundruese prej betoni rreth 20 mijë metra katrorë, të ankoruara në dyshemenë e detit.

Platformat (të projektuara nga Center for Ocean Engineering të MIT) lidhen me vendkalime, kanë ndërtesa të realizuara me dru nga pyje të qëndrueshme, serra, ferma vertikale dhe kopshte nënujore ku mund të kultivohen alga të ngrënshme. Natyrisht nuk mungojnë edhe sistemet e ujërave të zeza, ato për riciklimin e mbeturinave dhe impianteve të shkripëzimit, për të siguruar ujë të pijshëm,të cilat punojnë me burime të rinovueshme të energjisë.

/ Corriere della Sera

Artikulli paraprak3 avantazhet e marketingut me e-mail
Artikulli tjetërCilat janë vendet europiane që kanë më pak kufizime për të udhëtuar tani?