Dita Botërore e Kursimeve i gjen qytetarët e Kosovës me mbi 5 miliardë euro depozita

Qytetarët e Kosovës i kanë borxh bankave komerciale 4.2 miliardë euro. Mirëpo, krahas kredive qytetarët kanë kursyer edhe shumë para në banka. Ditën Botërore të Kursimeve qytetarët e festojnë me mbi 5 miliardë euro depozita.

Dita Botërore e Kursimeve kremtohet për gati një shekull me qëllim për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e kursimit të parave për ekonomitë moderne dhe individët, ndërsa sot premton se edhe kursimi më i vogël mund të jep përfitime të konsiderueshme në të ardhmen.

Kjo ditë kërkon të promovojë virtytin e shpenzimeve të mençura, si dhe kursimin e parave në banka, në vend të mbajtjes së tyre në shtëpi dhe jashtë ekonomisë, sipas Bankës Botërore të Kursimeve dhe Institutit të Bankave me Pakicë.

Dita Botërore e Kursimeve u shënua më 31 tetor 1924, gjatë Kongresit të parë Ndërkombëtar të Bankës së Kursimeve në Milano të Italisë. Ka pasur shembuj të tjerë në histori të ditëve të dedikuara për të kursyer para për një standard më të lartë jetese dhe një ekonomi më të qëndrueshme. Pas Luftës së Dytë Botërore, Dita Botërore e Kursimeve vazhdoi dhe arriti kulmin e popullaritetit midis viteve 1955-1970.

Qytetarët e Kosovës i kanë borxh bankave komerciale 4.2 miliardë euro, deri sa vlera e depozitave ka shkuar në mbi 5 miliardë euro. Kështu thuhet në raportin “Raporti i Informatave Mujore të Sistemit Financiar, korrik 2022“, duke shtuar se shuma më e madhe e depozitave është te ekonomitë familjare.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), bizneset kanë të depozituara rreth 1 miliard euro, me një rritje mesatare vjetore prej 10 për qind. Për sa i përket kredive, ekonomitë familjare kanë mbi 1.5 miliard euro detyrime, deri sa korporatat jo-financiare kanë 2.6 miliardë euro borxhe.

Ndryshimi mesatar vjetor i kredive është 18 për qind, ku për individët është 17.1 për qind, për bizneset ishte 17.9 për qind dhe 68.6 për qind për korporatat e tjera financiare. BQK thekson se rritja e kërkesës për kredi nga bizneset është nxitur kryesisht nga nevoja për financimin e kapitalit punues dhe investimeve fikse.

“Kërkesa për kredi nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është rritur në nivel më të lartë se sa ajo nga ndërmarrjet e mëdha. Kjo rritje e kërkesës, sipas deklaratave të bankave, u nxit kryesisht nga rritja e kërkesës për financimin e inventarëve dhe kapitalit punues dhe për financimin e investimeve fikse. Pritjet për pasiguri të shtuara si pasojë e rritjes së vazhdueshme të nivelit të çmimeve në vend dhe jashtë tij i kanë ndikuar edhe pritjet e bankave të cilat deklaruan se presin rritje të ulët të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të ardhshëm nga të dy kategoritë e ndërmarrjeve”.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), bizneset kanë të depozituara rreth 1 miliard euro, me një rritje mesatare vjetore mbi 10 për qind./F.Shala/

Artikulli paraprakKu do t’i shpenzojë Qeveria 3.2 miliardë eurot e buxhetit?
Artikulli tjetërCili është “aplikacioni për gjithçka” që Elon Musk dëshiron të ndërtojë?

Comments are closed.