Bashkimi Evropian dhe Azerbajxhani nënshkruan të hënën një marrëveshje që do të dyfishojë importin e gazit natyror të Azerbajxhanit në mënyrë që të reduktojë varësinë energjetike të bllokut nga Rusia.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për partneritetin strategjik në fushën e energjisë, njoftoi organi ekzekutiv i BE-së.
“Azerbajxhani është një partner kyç energjetik për ne që ka qenë gjithmonë i besueshëm”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët shtypi me Aliyev pas ceremonisë së nënshkrimit të mbajtur në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit.
Siç tha ajo, Azerbajxhani aktualisht furnizon Evropën me më shumë se tetë miliardë metra kub gaz në vit nëpërmjet gazsjellësit Trans-Adriatik.
“Ne do të zgjerojmë kapacitetin në 20 miliardë metra kub deri në vitin 2027”, konfirmoi von der Leyen, duke shtuar se importi i gazit azerbajxhanas do të rritet në 12 miliardë metra kub tashmë vitin e ardhshëm, gjë që do të ndihmojë në kompensimin e shkurtimeve të furnizimit nga Ruia dhe do të kontribuojë ndjeshëm në sigurinë furnizimit të Evropës.
Marrëveshja e re synon gjithashtu të kontribuojë në neutralitetin klimatik dhe bashkëpunimin në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë, raporton Anadolia.
Aliyev theksoi se “çështjet e sigurisë së energjisë janë më të rëndësishme sot se kurrë më parë”.
“Bashkëpunimi afatgjatë, i parashikueshëm dhe shumë i besueshëm ndërmjet BE-së dhe Azerbajxhanit në fushën e energjisë është një avantazh i madh”, tha presidenti i atij vendi, një ndër ata udhëheqës që ka për mentor politik Presidentin Erdogan.
Së fundi, me ndërhyrjen e liderit turk, edhe Shqipëria lidhi një marrëveshje energjitike me Azerbajxhanin, vendin që fitoi një luftë dymujore me Armeninë, aty ku Bayraktari turk mundi Pancirin rus.
Korridori jugor që transporton gazin nga Azerbajxhani drejt BE-së është në funksion që nga viti 2020.
Gazi nga Azerbajxhani mbërrin në Evropë nëpërmjet Turqisë, pra gazsjellësit Transanatolian, i cili lidhet me tubacionin Trans-Adriatik të bllokut.
Në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë, Komisioni Evropian njoftoi planet në mars për të reduktuar varësinë nga furnizimet ruse me energji.
Për këtë qëllim, blloku synon të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të sigurojë furnizimin me lëndë djegëse fosile nga partnerë të rinj.
BE-ja vendosi gjithashtu një paketë prej gjashtë sanksionesh ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, duke përfshirë ndalimin e importeve të naftës së papërpunuar dhe qymyrit./tesheshi/