Përparësitë tatimore që gëzon industria e linjave ajrore në Evropë është një nga arsyet pse udhëtimi ajror mbetet relativisht i lirë në krahasim me mënyrat e tjera të transportit.
Fluturimi është një nga aktivitetet më ndotëse që mund të bëjë një person dhe gjithashtu një nga më të vështirët për t’u pastruar.
Po ashtu, ndër faktorët kryesorë të ngrohjes së ambientit dhe shkaktimit të nxehtësisë vdekjeprurrëse nga gazrat serë të çliruar prej lëndëve djegëse fosile, është pikërisht shfrytëzimi i avionit si mjet transporti.
Megjithëkëtë, udhëtimi me avion ngelet mjeti kryesor i udhëtarëve, që përveç efikasitetit kohor, është edhe më i përballueshëm në aspektin financiar.
Raporti i Greenpeace
Një raport i ri i publikuar nga grupi mjedisor Greenpeace tregon sesa më i lirë mund të jetë udhëtimi ajror sesa të marrësh trenin në Evropë, qoftë edhe për udhëtime të shkurtra.
Studiuesit në organizatën e pavarur të fushatave mjedisore Greenpeace krahasuan koston e biletave të trenit dhe avionit për 112 linja midis qyteteve të mëdha në 27 vende evropiane. Ata regjistruan çmimet në nëntë data të ndryshme, duke filluar nga katër muaj deri në vetëm disa ditë para nisjes për të marrë parasysh ndryshimet e çmimeve dhe marrëveshjet e minutës së fundit.
Ata zbuluan se fluturimet ishin përgjithësisht më të lira në 79 nga 112 linjat e hulumtuara. Mesatarisht, marrja e një treni ishte dyfishi i kostos së fluturimit, por diferenca në çmim ishte shumë më dramatike në disa rrugë.
Për shembull, udhëtimi nga Barcelona në Londër me tren ishte mesatarisht dhjetë herë më i shtrenjtë dhe deri në 30 herë me një njoftim të shkurtër.
Pse dikush do të merrte trenin nga Londra në Barcelonë dhe do të paguante deri në 384 € kur biletat ajrore janë në dispozicion për çmimin tejet të ulët prej 12,99 €?
Në Francë dhe Belgjikë, për të njëjtin udhëtim vendas ose evropian, udhëtimi me tren është mesatarisht 2.6 herë më i shtrenjtë se udhëtimi ajror. Në 16 vendet e studiuara, hekurudha ishte mesatarisht 2 herë më e shtrenjtë. Përjashtimi i vetëm është Polonia, ku udhëtimi hekurudhor është mesatarisht gjysma më i shtrenjtë se udhëtimi ajror.
Arsyet e çmimit më të lirë të udhëtimit ajror
Përparësitë tatimore që gëzon industria e linjave ajrore në Evropë është një nga arsyet pse udhëtimi ajror mbetet relativisht i lirë në krahasim me mënyrat e tjera të transportit.
Në Evropë, linjat ajrore nuk paguajnë taksa për vajgurin dhe pak taksa për biletat ose TVSh-në.
Në këtë përfundim kanë dalë aktivistët teksa kanë theksuar se lehtësimet e taksave po inkurajojnë njerëzit të ngrohin planetin prej fluturimeve kur shkojnë me pushime.
Emetimet e tyre vlerësohen vetëm për fluturimet brenda Evropës në një nivel nën koston sociale të karbonit.
Industria e aviacionit është përgjegjëse për rreth 2,5 për qind të ndotjes globale të karbonit, por lëshon gazra të tjerë që ngrohin më tej planetin.
Aktivistët kërkuan gjithashtu heqjen graduale të subvencioneve të linjave ajrore.
/TRT Balkan/