ÇËSHTJE QË NDËRLIDHEN ME MURABAHANË BANKARE | A është premtimi i klientit obligues që të përcillet apo jo?

ÇËSHTJE QË NDËRLIDHEN ME MURABAHANË BANKARE

A është premtimi i klientit obligues që të përcillet apo jo?

Gjjatë shitblerjes murabaha jepet një premtim i ndërsjellë mes institucionit financiar islam (bankës) dhe klientit. Pala e parë premton se do t’ia sigurojë mallin e kërkuar palës së dytë (blerësit), që pastaj ai ta blejë atë me këste dhe me një përfitim të caktuar nga ky transaksion pala e parë do të ketë një fitim të caktuar. Në anën tjetër, pala e dytë premton se nëse banka e siguron mallin, ai do ta blejë atë. Ky premtim i ndërsjellë ndodh para se banka të marrë ndonjë veprim konkret, pasi kështu ajo e siguron veten që të mos i shkojë huq blerja, nëse klienti i saj nuk është serioz se do ta blejë atë artikull.
Mirëpo është problematike çështja se a do të duhej që ky premtim i ndërsjellë të jetë obligues për palët apo jo. Prandaj edhe kjo çështje është njëra nga ato për të cilat kanë debatuar më shumë dijetarët bashkëkohorë. Kjo temë është trajtuar gjatë, në kuvendin e Akademisë Nderkombëtare të Fikhut Islam, që është mbajtur më datën 10-15 dhjetor 1988 në Kuvajt si dhe kemi me dhjetëra studime që e shtjellojnë atë nga ana e dijetarëve e ekspertëve bashkëkohorë pjesëmarrës.
Në vazhdim do të japim thelbin e trajtimit që kanë bërë këta dijetarë, pasi është shkruar mjaft rreth saj.
Fillimisht do të sqarojmë qëndrimin e Islamit rreth premtimit dhe mbajtjes së fjalës në përgjithësi, pastaj do të kalojmë në çështjen e trajtimit të premtimit në shitblerjen murabaha.

Mbajtja e premtimit në jurisprudencën islame

Islami i jep rëndësi të veçantë mbajtjes së premtimit nga ana e besimtarëve dhe kjo vërtetohet nga një numër citatesh nga Kurani Fisnik dhe thëniet e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Citatet rreth rëndësisë së mbajtjes së premtimit
Në vazhdim do të përmendim disa citate nga fjala e Allahut te Madherishëm:
“Dhe përmbushni premtimet. Me të vërtetë, për premtimet do të jeni përgjegjës.”
“Trego në libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i Dërguar dhe Profet.”
“O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e beni !”
Ndersa i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
1. Shenjat e munafikut (dyfytyrëshit) janë tre: kur flet gënjen, kur premton, e thyen premtimin dhe kur i besohet, tradhton.
2. “Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë, por nëse gjendet njëra prej tyre, atëherë tek ai gjendet një cilësi prej cilesive të hipokritëve, derisa të heqë dorë nga ajo. Kur flet, gënjen; kur i besohet diçka, nuk e mban amanetin; kur premton, nuk e mban pretimin dhe kur është në konflikt, tejkalon kufijtë.”
3. Abdullah Ibën Amir ka thënë: “Një dite, derisa i Dërguari, lavdirimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte në shtëpinë tonë, nëna ime më thirri dhe më tha: -Eja të të jap diçka. I Dërguari i Allahut e pyeti se çfarë doje ti jepje dhe ajo tha se desha t’i jap hurma. Atëherë i Dërguari i tha se po të mos i jepje gjë, do të të shënohej një gënjeshtër.”

Dispozita e thyerjes së premtimit në Islam

Nga citatet që përmendëm më lart dhe citate të tjera të shumta nga libri i Allahut të Madhëruar dhe thëniet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kuptojmë rëndësinë e mbajties së premtimit. Mbajtja e fjalës së dhenë është cilësi e besimtarëve, simbol i të sinqertëve dhe njëri nga adhurimet më të vlefshme me të cilën mund t’i afrohet muslimani Krijuesit të tij. Kjo realizohet vetëm atëherë kur njeriu synon që fjalët dhe veprat e tij të jenë vazhdimisht në përputhje gjatë raportit me të tjerët. Dobia e kesaj cilësie në një shoqëri nuk është e panjohur, pasi me mbajtjen e fjalës shtohen lidhjet mes njerëzve, përhapet siguria e ndërsjellë, ngrihet humaniteti në shkallën më të lartë, përçohet dashuria dhe largohen veset e këqija që janë shkatërruese për shoqërinë.
Këto janë vetëm disa nga arsyet pse Islami nxit për mbajtjen e fjalës së dhënë dhe e qorton në formën më të ashpër thyerjen e premtimit.
E, nëse njeriu për shkak të rrethanave të ndryshme nuk ka mundësi ta realizojë premtimin e dhënë apo nga papërgjegjësia nuk e zbaton atë, atëherë a konsiderohet ai mëkatar dhe a është e mundur për personin të cilit i është premtuar që të shkojë në gjykatë dhe ti kërkojë premtuesit zbatimin e fjalës së dhënë? Me një fjalë, a ndiqet juridikisht ai person për të dhënë llogari sepse nuk ka zbatuar fjalën e dhënë? Në këtë problematikë ka sqarime të juristët islamë. Nga vlerësimet e tyre mund të konkludojmë se ekzistojnë katër mendime për këtë çështje.

Mendimi i parë: Mbajtja e premtimit është vaxhib (obligim) dhe premtimmarrësi ka të drejtë ta detyrojë premtimdhënësin për të zbatuar premtimin e dhënë.
Këtë mendim kanë Omer ibën Abdulazizi, Ibën Shubrume, Hasen Basriu, Ibën Shubati nga malikitë, Ibën Tejmije dhe mund të kuptohet se është përzgjedhje e Buhariut në kolekstonin e tij.
Përfaqësuesit e këtij mendimi janë nisur nga citatet e përgjithshme, të cilat rekomandojnë mbajtjen dhe realizimin e fjalës së dhënë, sikurse ato citate që kemi përmendur më herët.

Mendimi i dytë: Mbajtja e premtimit është e pëlqyer dhe nuk është vaxhib, pra premtimdhënësi nuk obligohet juridikisht ta realizojë premtimin e dhënë. Këtë mendim e zgjedhin shumica e dijetarëve duke filluar nga hanefitë, shafitë, hanbelitë, dhahiritë dhe një grup prej malikive.
Imam Ibën Ebi Sehl es Serhesi el Hanefi kur flet për premtimin, ka thënë: “Premtimet nuk janë të plotfuqishme e obliguese. ”
Gjithashtu, Imam Neveviu ka thënë: “Dijetarët janë në ujdi se nëse një njeri premton diçka që nuk është haram, atëherë ai duhet ta realiojë premtimin e dhënë, por ekziston mospajtim tek ata nëse është obligative apo e preferuar. Shafiu, Ebu Hanife dhe shumica e dijetarëve janë të mendimit se kjo është sunet dhe nëse e lë, atij i ikën një mirësi e madhe dhe bën një mekruh të madh, por nuk byn në baram. Ndërsa, një grup dijetarësh kanë thënë se kjo është vaxhib.”
Pikënisja e tyre mbështetet në faktin se premtimi për një veprim të caktuar është dhurim i një gjeje në formë vullnetare (donacion) dhe kjo formëmarrëveshjesh radhitet në llojin e kontratave dhuruese (Ukudu et-teberuat). Kontratat dhuruese nuk janë detyruese sheriatikisht (domethënë të plotfuqishme), deri para dorëzimit të asaj që dhurohet vullnetarisht. Me një fjalë, nëse një njeri i thotë tjetrit se do të ta dhuroj këtë në të ardhmen ose do të blej nga ti një mal të caktuar, etj., kjo fjalë në vetvete nuk e
detyron premtimdhënësin ta çojë në vend fjalën e dhënë dhe nuk ndiqet penalisht në gjyq pse nuk e ka realizuar këtë premtim.
Ndërsa në lidhje me argumentet në të cilat janë bazuar ata që e kanë obliguar mbajtjen e premtimit, kanë thënë se të gjitha ato citate aludojnë se mbajtja e premtimit të dhënë duhet të jetë cilësi e besimtarëve dhe se nuk bën që të tërhiqen nga fjalët e tyre.
Por, nëse ndodh që besimtari tërhiqet, atëherë ai nuk mund të detyrohet me ligj që ta çojë në vend fjalën e dhënë.

Mendimi i tretë: Një grup dijetarësh maliki kanë bërë dallim mes premtimit për shkak të të cilit premtimmarrësi, ka ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar ose është futur në ndonjë telash dhe mes premtimit, pas të cilit nuk është ndërmarrë ndonjë veprim i caktuar. Si për shembull, nëse një njeri i thotë një të varfri:
“Rrëno shtëpinë tënde të vjetër pasi unë do të ta ndërtoj tjetrën’’ dhe ai e rrënon për shkak të këtij premtimi që ka marrë, atëherë premtimdhënësi juridikisht obligohet ta zbatojë premtimin e dhënë. Ose shembull tjetër, nëse i thotë: “Martohu se unë do të ta paguaj mehrin (dhurata që burri i jep gruas për martesën) e martesës dhe dasmën” dhe nëse ai martohet, premtimdhënësi obligohet që ta realizojë fjalën e dhënë.
Nëse premtimmarresi nuk ndërmerr ndonjë veprim konkret si shkak i premtimit që ka marrë, atëherë premtimdhënësi nuk obligohet që ta zbatojë premtimin e dhënë.
Mendimi i katërt: Përzgjedhja e disa dijetarëve shafi, sikurseTekijudin Subkiu dhe mufesiri Muhamed Emin Shinkiti, është që nga aspekti fetar zbatimi i premtimit është obligues dhe nëse premtimdhënësi nuk e zbaton, atëherë ai do të japë llogari në Ditën e Gjykimit, me një fjalë është mëkatar, ndërsa nga aspekti juridik ai nuk ndiqet penalisht, nëse nuk e zbaton premtimin.
Pikënisja e tyre qëndron në atë se citatet nga Kurani dhe Hadithi që flasin për rëndësinë e mbajtjes së premtimit aludojnë se mbajtja e premtimit është obligues fetarisht, ndërsa në anën tjetër, pasi dhënia e premtimit është kontratë dhurimi (pra, akt vullnetar i dhurimit, donacion), atëherë kontratat dhuruese në parim nuk janë obliguese. Pra, ata kanë bërë bashkimin e citateve sheriatike, me trajtimin e premtimit në fushën e jurisprudencës islame.
Kjo formë dallimi, pra që të jetë vaxhib fetarisht dhe jo obligues juridikisht, edhe pse mund të duket jo shumë e qartë, ashtu siç e përmend Ibën Haxheri (Fet’hul Bari) është evidente në jurisprudencën islame edhe në disa problematika të tjera. Me një fjalë, ka edhe gjëra të tjera në jurisprudencën islame të cilat mund të jenë obliguese fetarisht dhe jo obliguese juridikisht, sikurse obligimi i mbatjes materialisht të të afërmve (prindërve), nëse ata nuk kanë mundësi ta mbajnë veten. Ky obligim fetar është evident dheai që e neglizhon do të japë llogari në Ditën e Gjykimit, pra bën mëkat, por nëse kësaj i kalon një kohë, atëherë nuk obligohet juridikisht që të paguajë për këtë moszbatim, megjithëse mëkati është evident.

PËRFUNDIM

Pas trajtimit të këtyre mendimeve dhe elaborimit të pikënisjeve të dijetarëve islamë, shohim se arsyeja e dallimit të këtyre qëndrimeve qendron në qasjen që i kane berë ata premtimit.
Sidoqoftë, pa u zgjeruar më shumë, arrijmë në konkluzionin se citatet që flasin për mbajtjen e premtimit, disa nga të cilat u përmenden më lart, na japin të kuptojmë se besimtari nuk duhet të neglizhojë në këtë çështje dhe të jetë shpërfillës i fjalës që jep. Është shumë e qëlluar që moszbatimi i premtimit fetarisht të ketë pasoja te besimtari, pasi kundërshton citatet e qarta sheriatike, mirëpo ndjekja juridike e penale e tij, për shkak se ai nuk e zbaton fjalën e dhënë, nuk është e njohur në praktikën e jurisprudencës islame gjatë historisë së muslimanëve, prandaj obligueshmëria e kësaj juridikisht, nuk duket të jetë e drejtë, përveç nëse si rrjedhojë e këtij premtimi personi të cilit i premtohet diçka, ndërmerr ndonjë veprim të caktuar, pasi atëherë do të duhej që të kërkohej juridikisht realizimi i atij premtimi. Me fjalë të tjera, mendimet më të drejta në këtë çështje janë ato qe e trajtojnë çështjen pak më hollësisht, sikurse mendimi i tretë, qe bën dallimin mes premtimeve, dhe mendimi i katërt. Zoti e di më së miri !

Alaudin Abazi

Artikulli paraprakChristian Wulff, ish-president i Gjermanisë, tha se Islami si fe është pjesë e Gjermanisë dhe shoqërisë së saj.
Artikulli tjetër6 kushtet e ortakërisë