Microsoft po u ofron punonjësve formën më të mirë të vlerësimit – një pagë më të madhe.
Nëse drejtoni një kompani softuerësh prej 2 trilion dollarësh – si për shembull Microsoft – ndoshta do t’ju duhej që të kujdeseshit për shumë gjëra që ndodhin në biznesin tuaj. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Satya Nadella, duket mjaft i qetë sa herë që flet, por gjithsesi, puna e tij duhet të jetë tepër stresuese.
Ndër të tjera, ka produkte që duhen dizenjuar dhe duhen dërguar, ka klientë për të cilët duhet të kujdesesh, si dhe aksionerë që duhet t’i bësh të lumtur. Në çdo moment, secili prej këtyre faktorëve do të mund të sillte një sërë sfidash të mëdha.
Gjëja e fundit për të cilën do të donit të shqetësoheshit në rrethana të tilla, është humbja e punonjësve tuaj më të mirë. Kjo për shkak se një CEO nuk e bën dot punën e tij i vetëm. Në fakt, CEO nuk është se e bën fare shumicën e këtyre gjërave. Është e pamundur për një kompani të përmasave të Microsoft që dikush t’i përmbushë detyrat i vetëm.
Një nga sfidat më të mëdha të drejtimit të një prej kompanive më të vlerësuara në botë, është gjetja dhe mbajtja e njerëzve të talentuar, të cilët mund t’ju ndihmojnë që të arrini të gjithë objektivat tuaj. Kjo nuk vlen vetëm për kompanitë e mëdha të teknologjisë, si Microsoft. Kjo vlen për çdo kompani dhe për çdo CEO. Menaxhimi i njerëzve është gjithmonë pjesa më e vështirë dhe më e rëndësishme e punës suaj. Çdo gjë tjetër shkon në varësi të mënyrës se si e drejtoni ekipin tuaj.
Dy vitet e fundit kanë qenë veçanërisht sfiduese në këtë drejtim. Fillimisht, kompanitë duhej të gjenin mënyrat për t’i bërë njerëzit që të punonin, edhe kur ata nuk mund të vinin në zyrë. Ndërsa tani, shumë prej këtyre kompanive po përpiqen të gjejnë mënyrat se si t’i bëjnë punonjësit që të kthehen në zyra.
Kjo është një sfidë e vërtetë, sepse dy vitet e fundit kanë dëshmuar se shumë prej punëve që ne mendonim se mund të bëheshin vetëm nga zyra, në fakt nuk janë të tilla. Njerëzit janë po aq produktivë – në mos edhe më produktivë – duke punuar nga distanca, siҫ kanë qenë edhe gjatë punës në zyrë. Gjithashtu, ata janë shumë më të lumtur me punën nga distanca.
Kjo është diҫka shumë thelbësore. Kënaqësia e punonjësve tuaj është mjaft e rëndësishme për t’i bërë ata sa më produktivë.
Jo vetëm kaq, por nëse kompania juaj nuk është e gatshme të përshtatet dhe të jetë fleksibël, punonjësit thjesht do të largohen për të gjetur një punë tjetër. Gjatë viteve të fundit, punonjësit e kuptuan se aftësitë e tyre kishin shumë më tepër ndikim mbi kushtet e punës. Në rastin e Microsoft, kjo do të thotë të konkurrosh për talente me disa prej kompanive më të pasura në botë.
Zgjidhja e Microsoft është mjaft e drejtpërdrejtë. Të hënën, GeekWire raportoi një memo nga Nadella, në të cilën ai u tha punonjësve se kompania po dyfishonte shumën e parave që do të shpenzonte për rritjen e pagave, bazuar te meritat e punonjësve. Dhe, për të qenë të sinqertë, ka shumë pak gjëra që i bëjnë punonjësit më të lumtur sesa pagat e larta.
“Herë pas here, ne shohim se talentet tona janë shumë të kërkuara, për shkak të punës së mrekullueshme që ju bëni për të fuqizuar klientët dhe partnerët tanë,” shkroi Nadella në memo. “Ndikimi juaj njihet dhe vlerësohet thellësisht nga i gjithë ekipi drejtues i kompanisë – dhe për këtë dua t’ju bëj një falenderim të madh. Kjo është arsyeja pse ne po bëjmë investime afatgjata për secilin prej jush.”
Në shumë kompani të tjera, CEO do të dërgonte një memo të bukur duke i falënderuar të gjithë për punën e tyre të palodhur dhe duke i inkurajuar që të vazhdonin me këto ritme. Patjetër që kjo është diҫka shumë pozitive, por punonjësit tuaj nuk mund t’i paguajnë kreditë që kanë, nëpërmjet vlerësimit dhe inkurajimit tuaj.
Kjo është arsyeja pse fjalia e fundit e kësaj deklarate ka rëndësi. Nadella nuk po u thotë punonjësve thjesht se ata kanë shumë vlerë për kompaninë; ai gjithashtu po e mbështet këtë nëpërmjet formës më të mirë të vlerësimit të punonjësve – një pagë më të madhe. Fjalia e fundit përbën ndryshimin midis fjalëve klishe dhe një strategjie të shkëlqyer për të mbajtur talentet më të mira të kompanisë.
“Rritja e investimit në paketën tonë të kompensimeve pasqyron angazhimin e vazhdueshëm që ne kemi për të ofruar një përvojë sa më konkurruese për punonjësit tanë,” tha një zëdhënës i kompanisë në një deklaratë për CNBC.
Microsoft nuk mund ta përballojë që të humbasë askënd. Gjetja e njerëzve shumë të aftë për të ndërtuar gjëra komplekse është e vështirë. Punësimi dhe trajnimi i këtyre njerëzve ka kosto të larta. Prandaj, është më e lehtë dhe më ekonomike nga pikëpamja e kostove që t’i paguani më shumë punonjësit tuaj më të mirë, nëse kjo është gjëja që duhet për t’i mbajtur ata në kompaninë tuaj. /INC/