Liderët e vendeve anëtarë të BE-së po ushtrojnë presion ndaj Brukselit në mënyrë që të hartojë masa drastike ndaj Mbretërisë së Bashkuar si kundërpërgjigje ndaj kërcënimit të hapur të Londrës për të pezulluar dakordësinë tregtare me Irlandën e Veriut, të arritur në kuadër të Marrëveshjes së Brexit. Burime diplomatike pohuan për “Financial Times” se përfaqësuesit e 5 vendeve anëtare të BE-së u takuan në fillim të javës me zv/Presidentin e Komisionit Europian, Maros Sefcovic, njëherësh negociatori i BE për Brexit, për t’i kërkuar atij që të përgatitet një plan eventual për çdo të papritur që mund të sjellë një luftë tregtare eventuale.
Franca, Gjermania dhe Holanda, aleate historik të Mbretërisë së Bashkuar, ishin dhe më këmbëngulësit për hartimin e një plani të tillë, megjithëse patën edhe mbështetjen e Italisë dhe Spanjës, saktësuan diplomatët për të përditshmen britanike. Mes alternativave të diskutuara në kryeqytetin e Bashkimit Europian, spikasin frenimi i aksesit të Mbretërisë së Bashkuar në furnizimin me energji nga vendet e Bllokut, imponimi i tarifave për eksportet britanike, madje në rrethana ekstreme, është shqyrtuar edhe mundësia e ndërprerjes së marrëveshjes dypalëshe të tregtisë.
Ministri britanik për Brexit, Lord David Frost paralajmëroi se Londra mund të kërkojë pezullimin e pjesës më të madhe të protokollit të shkëmbimeve tregtare me Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e marrëveshjes tregtare të arritur me BE, pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Blloku Europian. Protokolli në fjalë, i cili përcakton kontrolle doganore dhe rregullatore ndaj mallrave që dalin nga Britania e Madhe drejt Irlandës, ka hyrë në fuqi në Janar të këtij viti, duke u shndërruar në një burim konflikti dypalësh. Por vendet anëtare të BE-së i druhen mundësisë që Britania, pas pretendimit për rishkrimin e protokollit tregtar me Irlandën e Veriut, të përmbledhur në nenin 16 të Marrëveshjes, mund të rrëzojë të gjithë bashkëpunimin tregtar.
“Shanset që Frost të thotë “Ne duam Hënën” janë të mëdha” – pohoi një diplomat për FT, duke shtuar se ministri britanik për Brexit, mund të përpiqet të heqë qafe të gjithë protokollin që përcakton rregullat e shkëmbimit tregtar dypalësh. “Frost e di që po luan me zjarrin. Por kur luan me zjarrin edhe mund të digjesh. BE është gati të kundërpërgjigjet me një seri masash goditëse si për shembull furnizimet me energji” – evidentoi ai.
Britania e Madhe mbështet 10% të furnizimeve të saj me energji elektrike dhe 12% të furnizimit me gaz nga ndërlidhja me sistemet energjetike dhe gazsjellëse të Bashkimit Evropian. Zv/Presidenti i KE Sefcovic bëri me dije në një intervistë të mëparshme për “Financial Times” se ai ishte i hapur për opsione të tjera më konstruktive, por kur u takua gjatë kësaj të premteje me ministrin britanik për Brexit shtoi se : “Procesi i negocimit nuk mund të zgjasë përgjithmonë”/FT.