Borxhi i mirënjohjes

Është në natyrën njerëzore të jetë mirënjohëse ndaj dikujt që i ofron një të mirë. Përveçse kjo është diçka e lindur, edhe besimi fetar e forcon atë, duke e parë shprehjen e mirënjohjes ndaj dikujt si një parakusht për mirënjohjen e Zotit. I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Ai që nuk falënderon njerëzit nuk falënderon as Allahun.”
Por ndërkohë pikërisht kjo ndjenjë fisnike njerëzore mund të bëhet shkak i fortë i të mos mbajturit qëndrime parimore, i heshtjes ndaj zullumit dhe madje edhe mbështetjes së padrejtësisë dhe së pavërtetës. Allahu pikërisht për këtë na ka urdhëruar në Kuran që të jemi të drejtë me të gjithë dhe të mos mbajmë as anën e familjarëve tanë nëse ata janë në gabim, edhe nëse ai që ka të drejtë ne e urrejmë dhe kemi me të armiqësi.
Shpesh ata që janë në gabim dhe situata të padrejta e përdorin me efikasitet këtë element të fisnikërisë njerëzore, për të zmbrapsur ish përfituesit e mirësive të tyre nga qëndrimet parimore kundra tyre, duke i bërë ata të ndjehen borxhli dhe jo bukëshkalë nëse u dalin atyre kundra. Kështu, rasti më tipik është ai i Faraonit, i cili i kujtoi Musait (alejhi selam) se ai ishte rritur dhe ushqyer në shtëpinë e tij, kështu që nuk duhet të tregohej bukëshkalë duke dalë kundra bamirësit të tij. Dhe sigurisht që Musai ishte mirënjohës dhe kurrë një bukëshkalë, por ai ishte gjithashtu edhe Profet dhe një i Dërguar i Zotit, i cili kishte ardhur për të përmbushur një mision më të madh mirënjohje ndaj Burimit të të gjitha mirësive që ai kishte pasur në jetë.
Hatri i së vërtetës dhe i Krijuesit ishte më i madh sesa hatri i Faraonit, vuajtjet që kishin hequr populli i tij peshonin shumë më tepër në peshoren e tij morale sesa rehatia e jetës së tij në shtëpinë e Mbretit. Ndaj dhe ai i dha tij një përgjigje të mençur që e bëri Faronin të heshte dhe të ndryshonte temë: “Ti më përmend një të mirë që më ke dhuruar mua, por ndërkohë ke kthyer në skllevër bijtë e Israelit!”
Asnjë mirësi personale sado e madhe qoftë nuk mund të qëndrojë para së vërtetës, së drejtës dhe të moralshmes. Nëse për besimtarët as prindërit, që vijnë pas Krijuesit, në detyrimin për t’iu qenë mirënjohës, nuk peshojnë më shumë sesa e vërteta, e drejta dhe parimorja, atëherë të tjerët kushdo qofshin ata nuk e kanë këtë të drejtë. Atyre që iu përmendin bukën, strehën, shkollimin, punësimin, ndihmën etj., dhe kundrejt kësaj iu kërkojnë të shkelni mbi parimet e besimit dhe të drejtën, kujtojini fjalët që Musai i tha Faraonit. Por para se t’ua thoni këtë atyre, duhet t’ua thoni vetvetes suaj, për t’u çliruar nga kompleksi i borxhit të mirënjohjes ndaj një kërkese të padrejtë./ekonomiaislame/
Autor: Justinian Topulli
Artikulli paraprakSHBA synon të rrisë lidhjet e tregtisë dhe investimeve me Emiratet e Bashkuara Arabe
Artikulli tjetërSi ta sistemojmë ne të tashmen?